Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës po zhvillohet sot në Elbasan.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “ky është takimi i 7-të ndërqeveritar i Shqipërisë dhe Kosovës mes dy qeverive”.
“Sot mblidhemi pas një viti sfidues për shkak të pandemisë, por edhe pasi kemi arritur sidoqoftë një numër të konsiderueshëm gjërash që janë diskutuar edhe janë vënë në vijë. Kemi një numër të konsiderueshëm marrëveshjesh dhe një pjesë janë në rrugën e zbatimit, një pjesë tjetër janë zbatuar, ndërkohë që sfida e përbashkët është që të rrisim zbatueshmërinë e marrëveshjeve dhe faktikisht të realizojmë një sinergji të plotë mes të dyja shteteve në të gjitha fushat”, tha Rama.
Rama tha se sot e sjellim bashkëpunimin e të dyja vendeve më pranë njerëzve, kalojmë në një fazë tjetër në lehtësimin e lëvizjes së lirë, lehtësimin e punësimit dhe ndërveprimin më të madh mes të dy bashkësive në të dy anët e kufirit.
Duke folur për marrëveshjet që pritet të nënshkruhen sot, Rama tha se “më vjen mirë që sot angazhohemi bashkërisht për heqjen e lejeve të qëndrimit të përkohshëm, për hapjen e pikës kufitare të përbashkët në Shishtavec të Kukësit dhe për rregullimin e regjimit të trafikut lokal të kufirit”.
Po ashtu, Kryeministri shtoi se marrëveshja që kemi sot përpara nesh për firmë, lehtëson procedurat për marrjen e një lejeje qëndrimi automatike, gjë që është fare e natyrshme por u desh të uleshim dhe ta materializonim në dokument të përbashkët, pavarësisht arsyes së qëndrimit.
Nga ana tjetër, Rama tha se “krijojmë kushte shumë të favorshme nga të dy anët e kufirit për aksesin në tregun e punës dhe për një tjetër hap për bashkimin e tregjeve në një hapësirë të vetme ku shqiptarët mund të punojnë, të studiojnë, të krijojnë familje dhe të aksesojnë çdo shërbim dhe të dalin në pension duke përfituar çdo kontribut dhe të drejtë sociale pavarësisht vendosjes gjeografike në Shqipëri apo Kosovë”.
Po ashtu, Kryeministri theksoi se “njohja e sigurimeve shoqërore është një marrëveshje që është pjesë e njërës paketë, e cila në tërësi jep një mesazh kuptimplotë për garantimin e lirisë së zgjedhjes së çdo qytetari të Shqipërisë apo Kosovës për të punuar në cilëndo anë të kufirit dhe për të pasur një mobilitet të pakushtëzuar nga burokracia”.
Përmes një marrëveshje tjetër të veçantë, Rama shtoi se të diplomuarit nga vendet tona do të kenë mundësi të kenë njohje reciproke automatike të diplomave shumë shpejt.
“Verifikimi do të kryhet në mënyrë elektronike. Hiqet njëherë e mirë një procedurë e tjetër e ngarkuar me shkresa burokratike por e rëndësishme besoj është që hiqet edhe diskrecioni i përgjigjes sipas dëshirës ose mosdëshirës së burokracisë në të dy anët. Është një marrëveshje inovatore dhe patjetër që suksesi i saj mund të shërbejë si bazë dhe si shembull për njohjen automatike të diplomave të arsimit të lartë në të gjitha vendet e rajonit, por edhe më gjerë”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se bashkëpunimi në fushën e arsimit, inovacionit, kërkimit shkencor është konsideruar prej të dyja qeverive qysh në krye të herës një prioritet dhe paraprirja e thellimit të këtij bashkëpunimi si nevojë urgjente për ta fuqizuar kapitalin tonë njerëzor, është detyra jonë.