Në orën 19:00 ka nisur protesta kombëtare e opozitës. Mijëra qytetarë kanë vërshuar nga të katër anët e Tiranës për t’u mbledhur në sheshin para Kryeministrisë. Protestuesit kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore që do të krijojë kushtet për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Me mijëra qytetarë me thirrjet ‘Rama ik’, po i bashkohen në këtë moment protestuesve të tjerë që po vijnë nga rrethet. Sipas llogaritjeve paraparake, më shumë se 65 mijë qytetarë kanë ardhur nga rrethet.
Vetë organizatorët e protestës kanë marrë masa që të mos ndodhin incidente nga ana e protestuesve. Më shumë se 30 të rinjtë me shirit të bardhë në krah jave vendosur në rresht para forcave të rendit që qëndrojnë në oborrin e jashtëm të Kryeministrisë.
“300 të rinj të forumeve rinore do të qëndrojnë përpara kordonit të policisë për të qetësuar turmën dhe per te garantuar mbarevajtjen e protestes. Të rinjtë do të mbajnë një shirit të bardhë në krah“,-njoftoi Partia Demokratike.
Zhvillimet minutë pas minute
ORA 19:07: Policia e Shtetit por edhe Garda ka marrë masa për mbarëvajtjen e protestës së sotme. Policia ka vendosur në objekte dhe shtylla kamera me rezolucion të lartë për të evidentuar protestuesit e dhunshëm dhe personat problematikë. Gjithashtu në tarracën e Kryeministrisë janë vendosur efektivë të tjerë dhe të pajisur me snajperë. Nuk dihet nëse do të ketë dhunë në protestën e sotme por kujtojmë se në 5 protestat e kaluara ka pasur dhunë ndaj institucioneve dhe gaz lotsjellës e forma të tjera të përdorura nga policia.
ORA 19: 05 Kreu i PAA, Agron Duka deklaroi për Report TV, se opozita po lufton për një kauzë të drejtë teksa deklaroi se është kundër dhunës pavarësisht se zemërimi popullor nuk mund të menaxhohet lehtë. “Ne luftojmë për një kauzë të drejtë dhe përveçse janë dokumentuar që zgjedhjet janë të vjedhura, politika është e lidhur me krimin. Edhe unë kam të njëjtin apel. Jemi kundër dhunës. Nuk është shumë e lehtë për arsye të zemërimit popullor”, deklaroi Duka.