Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përfshirë edhe atyre që janë larguar nga vendlindja, u bëhet thirrje që t’i përgjigjen këtij regjistrimi, i cili fillon sot me 2 tetor e do të përfundojë më 31 tetor.
Dhjetë vjet më parë, shqiptarët bojkotuan regjistrimin e popullsisë, që më pas Serbia e shfrytëzoi si pretekst për fshirjen nga listat dhe për zvogëlimin e buxhetit për Komunën e Preshevës dhe Bujanocit.
Ndryshe nga dhjetë vite më parë, kur shqiptarët e patën bojkotuar regjistrimin në Serbi, partitë politike që i përfaqësojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës, kësaj radhe kanë arritur konsensus për pjesëmarrje në regjistrim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka ftuar të gjithë shqiptarët që jetojnë në Serbi, e në veçanti ata të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë.
Regjistrimi do të nis ditën e sotme dhe do të zgjasë deri më 31 tetor.
Kurti, nëpërmjet një video-mesazhi theksoi se shqiptarët që jetojnë në Serbi, vazhdimisht përballen me diskriminim kombëtar, njerëzor me pasivizim të adresave të tyre, e ndaj duhet të regjistrohen.
“Prandaj, regjistrimi i cili fillon sot e përfundon më 31 tetor, për shqiptarët nuk është vetëm çështje statistike. Ju ftoj që shtypjes t’i përgjigjeni me regjistrim”. T’i përgjigjeni pasivizimit duke regjistruar çdo shqiptar. Edhe ata që gjenden me banim të përkohshëm në diasporë dhe Kosovë. Të dëshmoni me vendosmëri që jeni aty”, është shprehur Kurti përmes një video-mesazhi.
/Argumentum.al