Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manstirliu njoftuan mesditën e sotme nisjen e programit të vaksinimit anti-Covid në Shqipëri.
Vaksinimi zyrtarisht pritet të nisë sot pasdite në stadiumin kombëtar, mjediset e së cilit janë përshtatur në vend për të kryer vaksinimin e popullatës, ku prioriteti kryesor do të jenë punonjësit e sistemit shëndetësor.
Rama tha se procesi i vaksinimit nis disa ditë përpara afatit të deklaruar prej tij, – ishte thënë java e fundit e janarit, – prej faktit se një vend anëtar i Bashkimit Evropian ka mundur t’i sigurojë Shqipërisë vaksina të tjera shtesë, përtej 500 mijë dozave të siguruara direkt më parë me kompaninë Pfizer.
I pyetur nga gazetarët për sasinë, Kryeministri tha se sot niset me 957 dozat e para nga vaksinat e ardhura nga vendi i BE-së që ka treguar solidaritet, – nga ku priten edhe 2 mijë doza të tjera.
Rama kritikoi BE-në për faktin se nuk u shërbeu vaksina vendeve jo-anëtare duke vijuar me një qasje vetjake dhe tha se nuk ishte i autorizuar t’ia përmendte emrin vendit që i siguroi Shqipërisë vaksinat. Përballë pyetjeve nga gazetarët ai theksoi se mungesa e transparencës në lidhje me këtë proces të shpejtë të bërë së fundmi ka ardhur prej kërkesave për konfidencialitet.
“Nëse një vend e bën këtë për Shqipërinë, nuk dëshiron që nesër t’i rriten kërkesat se përse të mos e bësh për një tjetër,” – tha Rama, pasi shtoi se vaksinat janë zhdoganuar ditën e sotme.
Duke përjashtuar çdo keqkuptim të mundshëm prej vizitave të kryera së fundmi, vetë Rama tha se ky vend i BE-së nuk ishte Greqia.
“Nëse do të qëndronim në pritje të COVAX-it, nuk dihet se sa do të prisnim,” – u shpreh Kryeministri Edi Rama teksa tha se falë kontaktit drejtpërdrejtë me kompaninë Pfizer në Shtetet e Bashkuara qeveria ka mundur të hapë një kanal furnizimi me vaksina anti-Covid. Kryeministri rezervoi kritika për BE-në duke thënë se ajo “mendoi për vetëm për veten”.
Rama tha se momentalisht qeveria ka hapur edhe katër kanale të tjera komunikimi për të marrë furnizime me vaksina të tjera, me pritshmëri të madhe edhe për vaksinën nga kompania AstraZeneca. Ai tha se po mbahen kontakte edhe me një vend të Bashkimit Evropian për të rritur kapacitetet vaksinuese me rritjen e prurjeve të vaksinave.
I pyetur nëse do t’i kërkojë kthimin e parave – mbi 3 milionë euro – nga nisma COVAX, Rama tha se nuk do ta bënte këtë gjë, pavarësisht se nuk është e qartë se kur do të mund të përfitojë Shqipëria vaksina prej këtij mekanizmi. Thënë këtë Rama shtoi se me vaksinat e siguruara Shqipëria do të nxjerrë mënjanë edhe një sasi për Kosovën, si mënyrë solidariteti “ndryshe nga BE-ja”.
Të mërkurën qeveria tha se do të bëjë publik me pamje vendin ku mbahen vaksinat anti-Covid të ardhura së fundmi. Zyrtarisht tashmë Shqipëria ka siguruar dhe pritet të marrë gjatë javëve në vazhdim së paku 13 mijë doza vaksinash – duke përfshirë këtu 10 mijë dozat e para të kontraktuara nga Pfizer në fillim të janarit.
Prej diagnostikimit të rastit të parë me COVID-19 në Shqipëri në muajin mars 2020, autoritetet kanë diagnostikuar rreth 63,500 raste, prej së cilave 37,600 janë mundur të shërohen ndërsa 1,241 nuk ia kanë dalë mbanë.