Në Shqipëri ka nisur viti i ri shkollor 2019-2020. Rreth 380 mijë nxënës janë ulur në bankat e shkollave, ndërsa për 24 mijë kjo do të jetë ditë e paharrueshme për shkak se ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Rreth 272 mijë nxënës janë në sistemin 9-vjeçar dhe rreth 90 mijë nxënës në gjimnaz.
Për arsimin bazë, mësimi përfundon më 12 qershor, ndërsa matura një javë më herët. Ndërkohë, pushimet e shumëpritura të dimrit do të zgjasin dy javë, nga 21 dhjetori deri më 5 janar 2020.
Policia rrugore ka hartuar një plan masash me detyra specifike, në lidhje me menaxhimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë së qarkullimit pranë shkollave. Plani përfshin edhe kontrollin rigoroz të mënyrës së transportit të fëmijëve në moshë jo madhore kryesisht për ata deri në 12 vjeç, për të cilët Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë parashikon përdorimin e sistemeve të fiksimit me qëllim sigurimin e tyre dhe parandalimin e pasojave që mund të vijnë si rezultat i ngjarjeve rrugore.