“Nëse BE-ja vërtet dëshiron që rrethi i saj i stabilitetit të përforcohet, atëherë duhet të marrë hapa që procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor të përshpejtohet”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Faruk Ajeti, studiues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington. Ajeti flet edhe për metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së, e cila, sipas tij, do të jetë më sfiduese dhe më kërkuese.
BE-ja e ka publikuar metodologjinë e re, më 5 shkurt. Është thënë se ajo bazohet në katër parime themelore të besueshmërisë, udhëheqjes më të fortë politike, dinamikës dhe parashikueshmërisë.
Me metodologjinë e re, vendeve anëtare të BE-së u jepet autoriteti për të pezulluar procesin e pranimit të vendeve të reja. Negociatat e anëtarësimit mund të kthehen në pikën zero, nëse vendet anëtare nuk përparojnë në asnjë fushë.
Tridhjetepesë kapitujt e negociatave nuk do të hapen veç e veç si deri më tash, por në gjashtë grupe. Njëri grup nuk do të mbyllet derisa të mos mbyllen të gjithë kapitujt brenda atij grupi.
Radio Evropa e Lirë: Bashkimi Evropian është tkurrur këtë muaj për herë të parë në histori. A ka ende kuptim zgjerimi?
Faruk Ajeti: Që nga anëtarësimi i Britanisë së Madhe fillimisht në Komunitetin Ekonomik Evropian – i cili ka qenë paraardhës i Bashkimit të sotëm Evropian – më 1973, ky vend vazhdimisht ka hezituar që disa fusha të sovranitetit shtetëror t’ia dërgojë Brukselit. Kjo lidhet edhe me faktin se Britania e Madhe nuk ka qenë një nga shtetet themeluese të Unionit Evropian, nuk ka pranuar të jetë pjesë e zonës së Schengenit dhe as pjesë e zonës së Euros. Ajo, pra, ka hezituar që monedhën e saj kombëtare ta zëvendësojë me monedhën e përbashkët evropiane.
Mirëpo, në anën tjetër, largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja është një humbje e madhe si për vetë atë, ashtu edhe për BE-në. Largimi i saj, si një nga shtetet më të fuqishme evropiane në karakterin ekonomik, politik dhe ushtarak, do të jetë një humbje e madhe edhe për Ballkanin Perëndimor.
Këtë e them sepse Britania e Madhe ka qenë një nga partnerët dhe avokatët më të mëdhenj të zgjerimit të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Unë gjykoj se zgjerimi i BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm nevojë, por edhe domosdoshmëri. Tani në fazën e post-Brexitit dhe në një kohë kur në disa shtete të BE-së ka një tendencë në rritje të partive të ekstremit të djathtë dhe të disa partive euroskeptike, mendoj se zgjerimi do të mund të jepte një frymë, një shpresë të re.
Radio Evropa e Lirë: Brukseli ka dalë me një metodologji të re të procesit të zgjerimit, e cila thuhet se është më dinamike dhe më e besueshme. Ju, si e shihni?
Faruk Ajeti: Nuk është hera e parë që Bashkimi Evropian e ndryshon apo e modifikon strategjinë e tij të zgjerimit. Që nga koha kur BE-ja është formuar, strategjia e zgjerimit ka ndryshuar vazhdimisht. BE-ja nuk është zgjeruar vetëm nga qendra, por edhe në drejtim të lindjes, veriut, jugut dhe perëndimit. Çdo shtet i ri që është anëtarësuar në BE ka bartur më vete sfidat, problemet, por edhe përparësitë për BE-në.
Duhet rikujtuar për shembull se të tjera kushte janë aplikuar për anëtarësimin e Austrisë në BE më 1995, të tjera kushte për anëtarësimin e Sllovenisë më 2004 dhe të tjera kushte për Kroacinë – shtetin e fundit që i është bashkuar BE-së. BE-ja po ashtu është një organizatë ndërkombëtare që nxjerr mësime nga e kaluara. Nëse te shteti A ose B janë shfaqur disa probleme ose pengesa, BE-ja ka tentuar që ato të mos përsëriten te shteti i ardhshëm që do të anëtarësohej.
Radio Evropa e Lirë: Dy vendet që presin në prag janë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Si do të gjenden ato me këtë metodologji?
Faruk Ajeti: Tirana dhe Shkupi zyrtar e kanë mirëpritur strategjinë e re, pas tërmetit politik që kanë përjetuar në samitin e fundit të BE-së. Tirana dhe Shkupi presin që shtetet anëtare të jenë më të drejta në vlerësimet e tyre në raport me reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
E dimë që Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian e kanë dhënë dritën e gjelbër për nisjen e negociatave me këto dy vende, por ishin shtetet anëtare ato që i bllokuan. Tani, ato presin që shpresat e tyre të kapitalizohen në samitin e radhës midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në muajin maj në Zagreb.
Radio Evropa e Lirë: Po Kosova dhe Bosnja?
Faruk Ajeti: Kosova dhe Bosnja pritet t’i nënshtrohen metodologjisë së re, sikurse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi, sipas të gjitha gjasave, nuk do t’i nënshtrohen asaj [v.j. këto dy vende i kanë nisur më herët negociatat me BE-në].
Marre nga REL