Në Qafë Thanë hyri sot (31 korrik) në fuqi programi i ri kufitar “Një ndalesë – Një kontroll”, duke “zhbërë” kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave me procedura shumë të thjeshtuara.
I pranishëm në ceremoninë e organizuar me këtë rast në pikën kufitare të Qafë Thanës, kryeministri Edi Rama vlerësoi rëndësinë e këtij vendimi.
“Ky është një moment i rëndësishëm për të gjithë ata që kalojnë nga kjo pikë kufitare, qofshin individë apo kompani që shkëmbejnë mes dy vendeve. Është një moment i rëndësishëm, sepse më në fund ua lehtësojmë në mënyrë të konsiderueshme kalimin në këtë pikë dhe patjetër i japim një shtysë të mëtejshme jo vetëm shkëmbimeve tregtare, por edhe zhvillimit të marrëdhënieve tona në tërësi, pa harruar edhe zhvillimin e turizmit”, tha ai.
Kryeministri theksoi se Shqipëria këtë vit po përjeton një impakt të jashtëzakonshëm të transformimit të imazhit të saj.
“Si asnjë vit më parë, fluksi i turistëve por edhe numri i investitorëve të mëdhenj ndërkombëtarë të interesuar për të investuar në industrinë e turizmit në Shqipëri, së bashku me shqiptarët e diasporës apo edhe ata që banojnë në Shqipëri, është realisht tejet inkurajues”, tha ai.
Rama theksoi se zhvillimi i mëtejshëm dhe rritja e dëshiruar e industrisë së turizmit, ashtu sikurse edhe rritja e dëshiruar e sektorëve të tjerë të prodhimit, kërkojnë një qasje komplekse.
Pjesë e patjetërsueshme e kësaj qasjeje, sipas tij, është pikërisht transformimi në funksion të lehtësimit të kalimit të kufijve.
“Me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut kemi folur vijimësisht për këtë dhe kemi parë se ka shumë pengesa që vijnë nga inercia e së shkuarës dhe nga ana tjetër nga paragjykimi për liberalizimin e lëvizjes. Në fakt liberalizimi i lëvizjes sjell jo vetëm më shumë lehtësi, por edhe më shumë transparencë e më pak rrezik për praktika të këqija në trajtimin e qytetarëve dhe subjekteve tregtare”, tha ai.
Kryeministri Rama dhe homologu i tij Kovaçevski e quajtën këtë pikë të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm tregtar, ndërsa njoftuan se brenda 5 viteve do të jetë gati edhe Korridori 8.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçesvki ka dhënë një deklaratë teksa sot nis implementimi i programit të ri kufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kovaçevski thotë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera, e me heqjen e kësaj pengese, tashmë do të ketë përfitime të mëdha ekonomike për dy vendet.
Dimitar Kovaçevski: “Për 5 vite do të kemi infrastrukturën më të mirë në Ballkan. Ky korridor mund të ketë financim në BE dhe do të mundësojë realizimin e hekurudhës. Unë jam një prej atyre që përsërit se nuk na duhen në kufi. S’ka në BE s’ka pse të ketë asnjë Ballkan. Marrëdhëniet dypalëshe janë më të mira se kurrë.
Vendimi për implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Qafë-Thanë u miratua në mbledhjen e dy qeverive mbajtur më 14 nëntor 2022.
Marrëveshja e bashkëpunimit policor, përcaktohen kushtet dhe mënyrat e ndërtimit të strukturave të përbashkëta hetimore, të tipit “task force”, për luftën kundër krimit të organizuar, gjë që mundëson shkëmbimin e shpejtë të informacioneve dhe ndërmarrjen e veprimeve operacionale.