Për NATO-n, viti 2024 do të lidhet me Suedinë, pasardhësin e sekretarit të përgjithshëm, stërvitjet Steadfast Defender 2024, shpenzimet, samitin…
Ndoshta, lajmi më i afërt i ri do të jetë fundi i sagës së anëtarësimit të Suedisë në aleancë.
Ajo aplikoi qysh në pranverë të vitit 2022 dhe shumica priste anëtarësimin e saj po atë vit, por Turqia dhe Hungaria kishin plane të tjera.
Ndërsa Finlanda u bë anëtare në prill të vitit të kaluar, Stokholmi duhej të priste.
Por, përpara takimit të parë ministror të NATO-s këtë vit, që do të mbahet më 14-15 shkurt në Bruksel, ka shpresa për zhvillimin e një ceremonie të ngritjes së flamurit dhe Suedia të bëhet anëtarja numër 32.
Kjo bazohet kryesisht në shenjat e vogla pozitive të Ankarasë. Komiteti i Punëve të Jashtme i Turqisë e miratoi instrumentin për ratifikimin e Suedisë si anëtare më 26 dhjetor të vitit të kaluar, dhe kur seanca plenare u hap sërish javën e kaluar, kjo çështje ishte e fundit në mesin e 42 pikave të rendit të ditës.
Megjithatë, nuk duhet pasur pritje të mëdha. Ankaraja është ende në kërkim të avionëve luftarakë F-16 nga Shtetet e Bashkuara; në Turqi do të mbahen zgjedhjet lokale më 31 mars, ndërsa vendi nisi edhe një fushatë të sulmeve ajrore kundër milicive kurde në Irakun verior dhe në Siri. Të gjitha këto çështje mund ta vonojnë procesin e ratifikimit.
E, pastaj, vjen edhe Hungaria. Budapesti premtoi se nuk do të jetë i fundit që do ta ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO, por plani i legjislacionit pranveror i Qeverisë hungareze, dërguar Parlamentit të këtij vendi, nuk përmbante asnjë referencë për anëtarësinë e Suedisë.
Mund të ndodhë që ceremonia e ngritjes së flamurit do të duhet të presë për takimin e ardhshëm ministror të NATO-s, që do të mbahet në prill.
Në prill mund të zbulohet, po ashtu, se kush do të jetë pasardhës i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka dhjetë vjet që shërben në këtë detyrë.
Ai zyrtarisht do të largohet në vjeshtë, por ka zëra se aleanca do që ta konfirmojë një kandidat, përpara se Bashkimi Evropian t’i zgjedhë udhëheqësit e tij të rinj për Këshillin Evropian dhe Komisionin Evropian, si dhe shefin e politikës së jashtme, pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit.
Skenari më i mundshëm është që vendet më të mëdha të NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, ta gjejnë një kandidat të përshtatshëm kompromisi, me të cilin mund të pajtohen të gjithë.
Favorit është kryeministri holandez, Mark Rutte, i cili pritet të largohet nga politika kombëtare sapo të formohet Qeveria e re holandeze.
Por, nuk duhet përjashtuar mundësia që vendet e krahut lindor ta shtyjnë përpara një kandidat tjetër, duke argumentuar se ato, për një kohë të gjatë, kanë shpenzuar burime të konsiderueshme buxhetore për mbrojtjen dhe se e kuptojnë më mirë kundërshtarin më të madh të NATO-s – Rusinë.
Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, është një emër që përmendet, ashtu si dhe ministri i Jashtëm i Letonisë, Krisjanis Karins.
Këtë pranverë, NATO-ja do t’i kryejë edhe stërvitjet e saj më të mëdha ushtarake në disa dekada, të koduara si Steadfast Defender 2024.
Mbi 90.000 trupa pritet të marrin pjesë në to.
Nisur nga fundi i janarit, stërvitjet do të zgjasin më shumë se katër muaj në të gjithë Evropën.
Aleanca ushtarake do të testojë aspekte të ndryshme të planit të ri të mbrojtjes.
Dokumenti prej 4.000 faqesh u miratua vitin e kaluar dhe ofron detaje për dislokimin dhe rolet strategjike të vendeve anëtare, nëse NATO-ja sulmohet.
Megjithatë, ngjarja kryesore e vitit për NATO-n do të jetë Samiti i Uashingtonit, që do të mbahet më 9-11 korrik.
Takimi treditor pritet të jetë më shumë se një festë e ditëlindjes për NATO-n, e cila këtë vit mbush 75 vjet.
Por, ngjarja mund të ngatërrohet edhe me ciklin e zgjedhjeve në SHBA, pasi konventa e Partisë Republikane do të zhvillohet vetëm disa ditë më pas.
Gjatë kësaj konvente, Donald Trump mund të konfirmohet si kandidat i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Në mandatin e mëparshëm si president, nga viti 2017 deri më 2021, Trump ishte kritik ndaj anëtarëve të tjerë të NATO-s për shpenzime të pamjaftueshme për mbrojtjen.
Ukraina, padyshim, do të përmendet shumë si në samit, ashtu edhe në të ardhmen. Por, derisa rezultati i luftës mbetet i vështirë për t’u parashikuar, ashtu mbetet edhe integrimi i Ukrainës në NATO.
Pas ngurrimit të SHBA-së për ta inkurajuar më shumë Kievin në Samitin e Vilniusit, më 2023, pak besojnë se melodia do të ndryshojë në vitin e zgjedhjeve në SHBA.
Duket se Samiti i Uashingtonit nuk do të jetë një “samit i zgjerimit”.
Edhe vende të tjera që aspirojnë të anëtarësohen në NATO, si Bosnje e Hercegovina dhe Gjeorgjia, do të përfaqësohen vetëm nga ministrat, e jo udhëheqësit./REL