Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e ka konsideruar shqetësuese deklaratën e Serbisë pasi shteti afrikan – Kenia njohu pavarësinë e Kosovës, më 26 mars 2025.
Ministria tha se Serbia nuk ka interes të normalizojë raportet me Kosovën dhe kjo vërtetohet me deklaratën e djeshme. Të mërkurën Kenia njohu pavarësinë e Kosovës, duke u bërë kështu shteti i 118-të që e njeh atë.
Pas kësaj, reagoi Ministra e Jashtme e Serbisë duke e cilësuar si “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare”.
“Edhe një herë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria e Serbisë kanë zbuluar fytyrën e tyre të vërtetë duke treguar sërish se nuk kanë asnjë interes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Deklarata e tyre e fundit si përgjigje ndaj vendimit sovran të Republikës së Kenias për të njohur Republikën e Kosovës, vërteton se Serbia vazhdon të refuzojë të përmbushë zotimet e saj në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të lehtësuar nga BE-ja”, tha MPJD përmes një komunikate për media.
Ministria tha se Serbia vazhdon fushatën e saj të gënjeshtrave, manipulimeve dhe propagandës kundër Kosovës, duke përdorur çdo mjet në dispozicion për të penguar Kosovën në rrugën drejt integrimit të plotë në mekanizmat ndërkombëtare.
“Kjo nuk është hera e parë që Serbia i shpërfill hapur zotimet e saj ndaj Bashkimit Evropian. Duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare, Serbia sfidon hapur detyrimet e saja të përcaktuara me nenet 1–5 të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, të arritur në kuadër të dialogut të Brukselit. Refuzimi i Serbisë për të zbatuar këto zotime konfirmon edhe më tej mungesën e vullnetit të mirë dhe sinqeritetit në procesin e normalizimit”, tha MPJD.
Ndër të tjera, ministria tha se Serbia nuk ka asnjë autoritet moral për t’i dhënë leksione asnjë vendi mbi të drejtën ndërkombëtare “e aq më pak Kenias, vendi që ka njohur Kosovën në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme”.
“Ajo që është edhe më shqetësuese, deklarata e Serbisë përmban një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe alarmues kundër Kosovës. Duke deklaruar se do ta mbrojë ‘me vendosmëri më të madhe’ sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, Serbia po sinjalizon sërish gatishmërinë e saj për agresion”, tha MPJD.
Ministria e Jashtme e Kosovës i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojë ashpër retorikën agresive të Serbisë dhe shkeljet e saj të vazhdueshme të Marrëveshjes së Brukselit.
/KosovaPress/