Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka përshëndetur vendimin e Republikës së Kenias për të njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm diplomatik. Këshilli vlerëson njohjen si një dëshmi të zbatimit të drejtësisë ndërkombëtare dhe një realitet të pakthyeshëm që kontribuon në paqe dhe stabilitet në rajon. Për këtë sukses, Këshilli shpreh mirënjohjen për ish-Presidentin e Kosovës, Behgjet Pacolli, për përkushtimin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm.
Deklarata e plotë nga KASH:
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përshëndet vendimin e Republikës së Kenias për të njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, si dhe shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin më të lartë për vizionin largpamës të autoriteteve Kenias.
Ky është një përparim i rëndësishëm diplomatik, që i jep fund një periudhe katërvjeçare pa njohje të reja dhe që duhet t’i shërbejë rivitalizimit të përpjekjeve të diplomacisë e politikës së Kosovës, Shqipërisë, shteteve mike, si dhe të gjithë atyre që mund të kontribuojnë në shtimin e njohjeve të Kosovës dhe forcimit të pozicionit të saj në arenën ndërkombëtare.
Njohja nga Kenia e Kosovës së pavarur e sovrane është një dëshmi e zbatimit korrekt të ligjit ndërkombëtar dhe drejtësisë së pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, si dhe e një realiteti tashmë të pakthyeshëm, që po i shërben paqes, stabilitetit e prosperitetit në të gjithë rajonin e më gjërë.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë nënvizon rëndësinë e kësaj njohjeje edhe për faktin se Republika e Kenias është një prej shteteve më të konsoliduara ekonomikisht dhe jo vetëm, të kontinentit të madh Afrikan, anëtare e shumë Organizatave Ndërkombëtare, si dhe një prej aleateve më të rëndësishëm, ndër vendet jo anëtare të NATO-s, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Jemi besim plotë se kjo arritje do të nxisë hapa të tjerë në procesin e konsolidimit të mëtejshëm diplomatik të Kosovës.
Shprehim mirënjohjen tonë të thellë ndaj të gjithë atyre që kontribuan në këtë arritje. Në veçanti, falenderojmë përzemërsisht ish-Presidentin e Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, për përkushtimin e tij të palëkundur dhe kontributin e jashtëzakonshëm në sigurimin e kësaj njohjeje. Angazhimi i tij i vazhdueshëm për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës po jep rezultate konkrete.
Tiranë, 27 Mars 2025
/Argumentum.al