Në një mbrëmje të veçantë me organizim të Bashkisë Lezë dhe Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë e quajtur “N’Prishtinë nga Lezha” u prezantuan punimet artizanale, hotelet, verërat, pikturat e librat të autorëve lezhjanë ndërsa mbrëmja u pasurua nga performanca artistike të ansamblit të valleve e këngëtarëve të këtij qyteti dhe ushqimit të përgatitur nga shefat e kuzhinës lezhjanë.
Në prag të sezonit veror, Lezha me vijën e saj bregdetare paraqet ofertën më të mirë për pushuesit nga Kosova.
Përpos detit, në Lezhë ka edhe shumë pika të tjera turistike që mund të vizitohen. Lugina e Vainit është zona e parë e mbrojtur në Shqipëri.
Specialistja e komunikimit pranë Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në Lezhë, Besiona Simoni, tha se janë 196 lloje shpendësh që gjenden në lagunë dhe vizita aty është një atraksion më vete.
“Laguna e Vainit është një ndër zonat e para të mbrojtura në Shqipëri që nga viti 1940, realisht ne jemi të famshëm sa i përket numrit të shpendëve. Kemi 196 lloje shpendësh që gjenden në lagunë, çdo vizitor i cili mund të vizitojë tashmë, mund të bëjë një shëtitje me varkë, me biçikletë, të vëzhgojë faunën e egër , por gjithashtu edhe të marrë informacion te qendra e vizitoreve, sepse tashmë është një pikë e rëndësishme për çdo vizitor që vjen aty”, tha ajo.
I veshur me kostume të zonës së Lezhës, David Gjergji, prezantoi punimet artizanale të prezantuara në panairin në Prishtinë.

“Ne për këtë ekspozitë kemi këtë shqiponjë që është e prodhuar nga balta. Kjo bëhet nga balta, bëhet në Zadrimën e Lezhës dhe Zadrima ka si traditë për të punuar me baltë, dhe kjo duhet për ta marrë baltën dhe duke filluar për ta bërë shqiponjën. Kjo mund të zgjasë disa javë për t’u lehtësuar, sepse është e gjitha me ngjyrë, formati dhe figura e kësaj”, shpjegoi ai.
“N’Prishtinë nga Lezha” nuk munguan as personalitetet politike të Kosovës. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi se Lezha rrezaton shumë histori, ndërsa kërkoi nga shqiptarët e Kosovës ta vizitojnë sa më shumë këtë qytet.
E pranishme në këtë mbrëmje ishte edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, për të cilin tha se është një event që mund të merret shembull edhe nga qytetet e tjera.
“Ky organizim është shembull për tu ndjekur edhe nga komunat tjera, unë u ngazëlleva me paraqitjen e gjithë këtyre, kuzhinës, hotelerisë dhe agro-turizmit, është një gjë që duhet për t’u vlerësuar dhe për t’u marrë shembull… 8:41 Ky shembull duhet të ndiqet, për këtë arsye, të mirat, këto përvoja duhet të shkëmbehen dhe pse jo të mos jetë edhe Presheva t’i promovojë vlerat e veta”, tha ajo.
Lezha është një zonë atraktive për mjedisin që e rrethon. Lumi, lagunat e Kune – Vaini, plazhet Shëngjin dhe Tale, bukuritë malore të Ungrejit e malit Vela si dhe fushat e Zadrimës, Bregut te Matit e Torovicës janë mjedisi ndërsa përshkon nga një cep në tjetrin këtë zonë. Karakterizohet nga një diversitet i larmishëm i relievit, klimave e mikroklimave dhe për pasojë të florës e faunës.