“Nuk dua të krenohem me asgjë tjetër, përveçse me kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht… Unë mbart shenjat e plagëve të Jezusit në trupin tim”. Shën Palit
PËRVJETORI I 14-TË I SHUGURIMIT IPESHKVOR*
Nga Mons. George Frendo O.P.
Fort të dashur Nunci Apostolik, Ipeshkëv Ndihmës, meshtarë, rregulltare, dhe besimtarë: Ju falënderoj shumë që keni ardhur në këtë meshë ku, së bashku, ta falënderojmë Zotin i cili, me të gjitha dobësitë e mia, më ka zgjedhur të jem bari për ju.
Sot dua të kujtoj dy fjalë nga shkrimet e Shën Palit. Korintasve u ka shkruar: “Edhe sikur të kishit me mijëra mësues për besimin në Krishtin, nuk keni shumë etër, sepse jam unë ai që ju ktheva në besimin e Krishtit Jezus me anë të Ungjillit”. Sa bukur të flitet për marrëdhënien mes bariut dhe besimtarëve me një fjalor atëror! Por më të forta janë këto fjalë të Palit drejtuar Galatasve: “Bijtë e mi, unë po kaloj për ju të njëjtat dhimbje si të një gruaje gjatë lindjes, derisa Krishti të formohet në ju”. “Dhimbjet e gruas gjatë lindjes” është një imazh amnor: pra me fjalë të tjera thotë Shën Pali: Për ju jam jo vetëm baba, por edhe nënë. Por, si tha Jezusi, dhimbjet e lindjes shndërrohen në gëzim, për faktin se ia ka dhuruar botës një jetë të re.
Kanë ndodhur shumë gjëra gjatë këtij viti pas përvjetorit që kam kremtuar vjet. Dua të përmend veçanërisht mbylljen e seancave të Sinodit Dioqezan. Dhjetë komisionet kanë punuar me shumë entuziazëm. Kam parë punën që ka bërë çdo komision, e jam shumë i kënaqur. Pres me padurim që, në nëntor, të mbyllim zyrtarisht Sinodin kur do të më dorëzohen mua dokumentat përfundimtare.
Natyrisht, nuk kanë munguar ngjarje që na kanë trishtuar gjatë këtij viti. Përmend së pari tërmetin e 26 nëntorit të kaluar, që ka goditur veçanërisht territorin e arqidioqezës sonë. Dua t’i falënderoj shumë meshtarët, motrat, dhe disa organizata, sidomos Caritas-in, që nuk kanë munguar të ndihmojnë në shumë mënyra ata që kanë përjetuar pasojat e tërmetit.
Një ngjarje tjetër që na ka shkaktuar jo vetëm dhimbje, por edhe shumë probleme, dhe jo vetëm neve, por gjithë botës, ishte pandemia Covid-19. Ka qenë një sfidë e madhe për ne, veçanërisht duke menduar se kemi kaluar gati gjithë kohën e shenjtë të kreshmeve dhe tërë Javën e Madhe pa kremtime liturgjike për popullin tonë. Është e vërtetë se të gjitha sakrificat që kemi bërë gjatë asaj kohe tregojnë sa shumë vlerësojmë jetën njerëzore. Për ta shpëtuar jetën kemi sakrifikuar gjithçka. Më vjen shumë keq se, edhe duke parë të gjitha këto sakrifica, ka shumë njerëz që nuk arrijnë të kuptojnë imoralitetin e abortit dhe të eutanazisë.
Gjithashtu më vjen shumë keq kur shoh sa shumë janë rritur vrasjet dhe vetëvrasjet në këtë vend. Janë kryer vrasje për arsye shumë banale. Aq pak vlen jeta njerëzore sa që janë të gatshëm të vrasin sepse është prishur një miqësi me një vajzë, ose sepse dikush, aksidentalisht, të ka gërvishtur makinën? Në këta muaj të fundit kemi dëgjuar shpesh për shumë abuzime seksuale edhe me të miturit. Është rritur numri i vjedhjeve. Droga vazhdon të përhapet dhe të eksportohet. Shumë shqiptarë vazhdojnë të largohen nga atdheu sepse nuk shohin asnjë shpresë për të ardhmen e tyre. Sa keq të shohim këtë vend aq të bekuar prej Zotit duke u zbrazur!
Të gjitha këto fenomene janë simptoma të një shoqërie të sëmurë. Ne mburremi për faktin se Shqipëria është model, përsa i përket bashkëjetesës ndërfetare në harmoni, dhe nuk e di sa shumë simpoziume dhe konferenca janë organizuar mbi këtë temë.
Por tani a nuk e ndiejmë më urgjente nevojën të organizojmë simpoziume mbi vlerat morale të shoqërisë? Janë vlera që mund të transformojnë shoqërinë duke e bërë më të denjë për njeriun.
Lidhur me këtë problem shpreh edhe një shqetësim tjetër: gjendja e të varfërve. Kjo nuk është vetëm një çështje politike, por edhe morale. Në Nxitjen Apostolike Pastores Gregis (n. 69) i Papa Gjon Palit II lexojmë: “Në punën baritore të Ipeshkvit nuk mund të mungojë dhe një vëmendje e veçantë ndaj nevojave për dashuri dhe drejtësi të cilat rrjedhin nga kushtet sociale dhe ekonomike të personave më të varfër, të mënjanuar, të keqtrajtuar, në të cilat besimtari shikon përfytyrime të veçanta të Jezusit. Prania e tyre në brendësi të komuniteteve kishtare dhe civile, është një provë për vërtetësinë e besimit tonë të krishterë”.
Profetët, që kanë jetuar më shumë se dy mijë e pesëqind vite më parë, kanë qenë të parët në botë që kanë hartuar një doktrinë shoqërore. Kanë guxuar t’i qortojnë mbretërit dhe personat me autoritet sepse korruptonin duke abuzuar nga më të dobëtit. Ishin të bindur se besimi ka një dimension moral, social dhe ekonomik. Kanë mbrojtur të varfrit dhe punëtorët.
Këto ditë u shpall data e zgjedhjeve politike, në prill. Që nga sot u bëj apel politikanëve: Të varfërit mos i kërkoni vetëm për të fituar votën e tyre. Janë njerëz, kanë të drejta si keni ju dhe unë, kanë dinjitetin e tyre që duhet të respektohet. Mendoni më shumë për ata që mezi kanë ç’të hanë, ose s’kanë për të paguar qiranë e shtëpisë, ose për të blerë ilaçe, ose që sot, dhjetë muaj pas tërmetit, ende banojnë në tenda. Vareni më shumë nga doktrina shoqërore e profetëve se sa nga kapitalistët që, me paratë e tyre (të pastra ose të pista), mbështesin financiarisht partitë tuaja. Ne mburremi me figurën e Nënë Terezës sepse ishte shqiptare. Por Nënë Tereza na fton që ta shohim jo në ekrane të televizorëve tanë, por ta shohim në fytyrat e të varfërve.
Të dashur meshtarë, motra, besimtarë, sot keni jo vetëm ipeshkëv, mua, ipeshkvin dioqezan që ju udhëheq. Kemi edhe Ipeshkvin ndihmës, Mons. Arjanin, i cili u shugurua ipeshkëv para një jave. Por të gjithë ne po bëjmë të njëjtin shtegtim nën udhëheqjen e Jezu Krishtit. Modeli për ne nuk është asnjë ipeshkëv, asnjë meshtar, askush tjetër përveç Jezu Krishtit. Kur Shën Pali na nxit: “Kini ndër ju po atë mendje që kishte edhe Krishti Jezu”, ai vazhdon duke na ftuar të vështrojmë dhe të imitojmë përvujtërinë e Krishtit. Po, të dashur vëllezër dhe motra: të mirat që kemi janë një dhuratë prej Zotit. Le t’i përdorim me gëzim këto dhurata për t’i shërbyer Zotit, Kishës, dhe njerëzve që kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë. Duke ofruar shërbimin tonë, mos të mendojmë se jemi ne që i bëjmë një nder Zotit, por është Zoti që bën një nder për ne, sepse, me të gjitha mungesat tona, na përdor për zbatimin e planeve të tij. Nga ana jonë, le të përsërisim fjalët a apostullit të madh, Shën Palit: “Nuk dua të krenohem me asgjë tjetër, përveçse me kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht… Unë mbart shenjat e plagëvetë Jezusit në trupin tim”.
* Fjala prshendetese e mbajtur nga mons. geroge Frendo me rastin e 14 -vjetorit te Shugurimit Ipeshkvnor .
© Argumentum