Qeveria e Maqedonisë së Veriut do ta vazhdojë punën e saj, pasi opozita nuk i ka siguruar votat e nevojshme për mocionin e mosbesimit.
Pak para mesnatës së ditës së enjte, kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi, ka mbyllur seancën duke konstatuar se në mungesë të deputetëve të opozitës që paraqitën nismën, si dhe mungesës së kuorimit të nevojshëm, Kuvendi nuk e ka votuar nismën e saj.
Opozita maqedonase dhe ajo shqiptare janë larguar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, rrethe orës 22.00 të ditës së enjte(11 nëntor), pasi nuk arritën të sigurojnë 61 vota për të votuar mocionin e mosbesimit të Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev.
Gjatë ditës kishte pasur disa tentime për nisjen e seancës për ajo është ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut numëron 120 deputetë dhe për t’u mbajtur seanca nevojitet prania në sallë e 61 deputetëve, aq sa nevojiten edhe për mocionin e mosbesimit të qeverisë.
VMRO DPMNE-ja dhe partitë shqiptare në opozitë e kanë akuzuar pushtetin për siç kanë thënë “rrëmbimin e Kastriot Rexhepit, deputetit të Lëvizjes Besa”, gjë që i ka pamundësuar opozitës të ketë 61 vota të deputetëve për mbajtjen e seancës, e cila ndërkohë është bojkotuar nga partitë në pushtet, për të pamundësuar sigurimin e votave të nevojshme.
Nikollovski: Ditë e errët për demokracinë
Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandër Nikollovski, tha se Maqedonia e Veriut të enjten ka shënuar një nga ditët më të errëta të demokracisë, pasi pakica jo vetëm që shkeli vullnetin e shumicës, por edhe rrëmbeu një deputet për të pamundësuar mocionin e mosbesimit.
“Sot në Maqedoni është nëpërkëmbur demokracia. Sot pamë se si regjimi është transformuar në regjimin më kriminal të parë ndonjëherë në Evropë dhe për këtë të gjithë do të mbajnë përgjegjësi, më shpejt sesa që ata mendojnë. Një deputet u rrëmbye, telefonat celularë u konfiskuan nga ligjvënësit dhe të njëjtit u mbyllën në parlament që të mos kenë asnjë kontakt me jashtë dhe në këtë mënyrë ky pushtet në mënyrën më brutale shkeli mbi demokracinë”, tha nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.
VMRO-ja kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare
Pas ngjarjeve të ditës së enjte, Nikollovski deklaroi se Maqedonia e Veriut ka hyrë në krizë të thellë politike dhe të sigurisë, andaj sipas tij, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mënyra e vetme për kthimin e stabilitetit në vend. Partitë qeverisëse, siç u shpreh ai, e kanë humbur pushteti meqë spas tij, ato kanë 59 deputetë, 60 opozita dhe një deputet mbetet i rrëmbyer.
“Zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo situatë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Zgjedhjet e shpejta janë zgjidhja për dalje nga kriza politike, e sigurisë, ekonomike dhe energjetike. Pushteti e ka humbur shumicën, ka vetëm se 59 deputetë, një e kemi të rrëmbyer, të cilin besojmë se do ta lirojnë tani pas largimit tonë nga Kuvendi apo do të presin që këtë ta bëjnë pas mesnate kur skadon afati i mocionit”, ka deklaruar Nikollovski.