Genc MLLOJA
Një letërkëmbim ndërmjet një nëne dhe një të riu adoleshent, i cili do të hynte në histori në plejadën e një prej udhëheqësve më të shquar të Kinës, pikërisht Presidenti Xi Jinping, u bë shkas të sjell në vëmendje një aspekt jo shumë të njohur për publikun shqiptar ndoshta edhe për atë të vendeve të tjera: anën publicistike të udhëheqësit të ardhshëm, i cili mbështetur në mësimet dhe përvoja e klasikëvë të kulturës së lashtë kineze dhe të udhëheqësve të mëparshëm, që krijuan Partinë Komuniste dhe e udhëhoqën atë dhe vendin nën drejtimin e saj gjatë këtyre 100 viteve të fundit, shpalos që në moshë të re tiparet e një figure poliedrike me vizione autentike për ndërtimin e një Kine të Re moderne.
Shtytje tjetër për mua ishte edhe revokimi i një përvjetori historik sikurse është 100-vjetori i krijimit të asaj force politike, Partisë Komuniste, e cila e ngriti dhe e drejtoi Kinën duke e vendosur në piedestalin e merituar si një ndër vendet më të fuqishme dhe të zhvilluara të botës duke ndërtuar sistemin e vet të socializmit me karakteristika kineze nën dejtimin e shumë figurave të ndritura e largpamëse.
Dhe pikërisht këto kohët e fundit, dhe për të qenë më saktë ekzaktësisht më 9 maj 2021, është bërë e ditur për publikun një “marrëveshje” e vendosur midis djaloshit të ri Xi Jinping me nënën e tij Qi Xin lidhur me kontributin e devotshëm për partinë, vendin dhe popullin. Në periudhën e adoleshencës kur i riu Xi shkoi në Liangjiahe të Kinës Veriperëndimore, ku jetoi për 7 vjet, e ëma i dha një çantë ku ishin shkruar fjalët prekëse të një nëne por me një mesazh të qartë largpamës: “Zemra e nënës. Kjo është dashuria mes nënës dhe birit, është mbështetja për kontributin ndaj vendit dhe është vullneti origjinal që kurrë nuk do të ndryshojë”.
Ky ishte një amanet për të birin i një nënë, e cila vetë ishte pjesë e atij brezi që mori pjesë në revolucionin popullor që në moshën 15-vjeçare, duke u futur në PKK më 1939. I biri mësoi edhe nga babai i tij, Xi Zhongxun se nëna e udhëheqësi të ardhshëm kishte qenë një anëtare e spikatur e PKK-së.
Qe në moshën e rinisë, kur Xi Jiniping ishte në Liangjiahe, shkroi në një artikull që mund të ketë qenë ndër të parët nga pena e tij: “Në moshën 15-vjeçare, kur erdha këtu në tokën e verdhë, nuk dija çfarë t’ia bëja, ndërsa në moshën 22-vjeçare, kur u largova nga toka e verdhë, kisha një objektiv dhe besim të vendosur për jetën time”.
Kontributi me gjithë zemër për partinë, vendin dhe popullin është një “marrëveshje” mes Xi Jinping-ut dhe nënës së tij. Në fakt tregohet se i riu Xi kishte patur një letërkëmbik të shpeshtë me nënën e tij dhe përmbajtja që bëhet e ditur dëshmon se ajo shpeshherë i shkruante duke i thënë atij të zbatonte rreptësisht rregullat dhe të vendoste standarde serioze për veten.
“Të bëhet një njeri i pastër, të bëjë punë të pastër dhe të bëhet një zyrtar i pastër”. Kjo është “marrëveshja” mes Xi Jinping-ut dhe nënës së tij.
Në Festën e Pranverës 2001, nënë e bir patën një bisedë telefonike ku ajo i tha: “Nëse e bën mirë punën, kjo është zemërngrohtësia më e madhe për prindërit e tu. Kjo është përgjegjësi për familjen dhe për veten, sepse ato janë të lidhura bashkë”.
“Unë do të punoj për popullin pa pushim gjatë gjithë kohës, si udhëheqës dhe luftëtar për të mirën e popullit”, citohet Xi të ketë thënë. “Unë kam thënë që në rrugën e zhdukjes së varfërisë, nuk duhet të lëmë mënjanë asnjë individ dhe asnjë kombësi. Kinezët, PKK-ja dhe liderët e PKK-së e mbajnë fjalën,” është shprehur me ton të vendosur Xi Jinping-u.
Vënia e popullit në plan të parë dhe ruajtja e frymës së një anëtari të PKK-së, që sakrifikon veten dhe jep kontribut pa ndërprerje: kjo është “marrëveshja” mes Xi Jinping-ut dhe nënës së tij.
Rritja e Xi-së si politikan dhe analist…
Por visar i vërtetë mendimesh, dëshirash, dhe vizionesh guximtare dhe epokëbërëse na shpalosen në disa vepra të Presidentit Xi ndër të cilat veçohet libri me titull “Urtësia dhe Qeverisja Njëqindvjeçare – Citate të Veprave Klasike Kineze nga Presidenti Xi Jinping”, i cili është botuar në gjuhën shqipe nga Radio Kineze Ndërkombëtare (CRI), me mbështetjen e Ambasadës Kineze në Tiranë dhe bashkëpunëtorëve të tjerë para disa vitesh. Çfarë e bën atë libër të veçantë dhe aktual, sipas mendimit tim, është se në të na shpaloset një vështrim i ri në vizionin e gjithanshëm të Presidentit Xi Jinping si politikan vizionar dhe publicist i mprehtë me artikujt më të hershëm që datojnë nga viti 1984 dhe më i fundit në 2014.
Që nga viti 1984 kur ai ishte sekretar i Komitetit të Partisë Komuniste të rrethit Zhengding të provincës Hebei Xi botoi një artikull në “Hebei Daily”, gazetë e cila u krijua në 1949, redaktohej në kryeqytetin e provincës Shijiazhuang dhe printohej në 11 qytete çdo mëngjes. Gjatë kohës që ai ishte sekretar partie në provincën Zhejiang, Xi filloi të shkruante për gazetën tjetër “Zhejiang Daily”. Që nga 25 Shkurt 2003 ai ishte autori i komenteve në kolonën Fjalët e reja të Zhijiang me pseudonimin ‘Zhezin’; në një hark kohor katër vjeçar ai botoi 232 artikuj, që i bie pothuajse një shkrim në javë. Duhet të theksohet se që nga shkrimet e tij të hershme është e dallueshme që citimet e klasikëve të shquar të lashtë kinezë, të zgjedhur sipas temave përkatëse dhe problemeve me të cilat hasej, ishin frymëzimi dhe fuqia që kontributet e tij të ktheheshin në këmbënguljen e një udhëheqësi të ardhshëm, i cili në 1974 u prit në Partinë Komuniste të Kinës, duke filluar karrierën e tij politike si ndihmës i Gen Biao-s, një udhëheqës i lartë i ‘Ushtrisë Çlirimtare të Popullit’.
Një vështrim nga afër i rrjedhës së detyrave të tij politike, siç zbulohet nga libri, tregon se puna mediatike ka qënë ‘shoqëruesi’ i tij, pse jo ndoshta edhe pasioni i tij i kahershëm. I transferuar në Fujian në 1985, Xi punoi në poste të ndryshme partie, duke filluar si Zëvendëskryetar i Bashkisë së Xiamen. Në vitin 1987, ai u transferua në Ningde, ku shërbeu si shef i partisë në rreth. Ai nisi një fushatë konservimi që zbukuroi arterien kryesore që lidh Ningde me provincën më të madhe Fujian. Ai ishte udhëheqësi i partisë në Fuzhou, kryeqyteti i provincës, nga viti 1998 deri në 2000. I kredituar me stimulimin e investimeve të huaja, Xi ringjalli seksionin historik ‘Tri korsi dhe shtatë rrugica’. Reputacioni i tij si një politikan i ndershëm dhe efikas u rrit në mënyrë të qëndrueshme gjatë kohës së tij në provincën Fujian.
Në vitin 2000, ai u emërua guvernatori provincial i Fujian, dhe prej ande në vitin 2003 u transferua në provincën e Zhejiang, ku shërbeu si guvernator dhe sekretar partie. Gjatë mandatit të tij, industria private katërfishoi investimet e saj të kërkimit dhe zhvillimit në krahinë. Në vitin 2007, ai u zgjodh për të udhëhequr partinë në Shangai. 2008 ishte një vit determinues për Xi Jinping. Ai u emërua në Komitetin e Përhershëm të Partisë Komuniste dhe menjëherë pas kësaj Nënkryetar i PKK.
Në 2012, ai mori postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës. Meqenëse Kina është një shtet me PKK-në drejtuese e vendit, ky është funksionalisht pozicioni më i lartë. Më vonë po atë vit, Xi u zgjodh President, një titull që i ka dhënë atij postin e kryetarit të shtetit.
Në të gjitha këto detyra, Xi la ‘gjurmën’ e tij përmes artikujve dhe kontributeve të tjera mediatike.
“Kush gëzohet për gëzimin e njerëzve, edhe njerëzit gëzohen për të; kush shqetësohet për shqetësimin e njerëzve, edhe njerëzit shqetësohen për të”. Ky ishte leitmotivi i një artikulli të shkruar nga Xi më 7 janar 2007 në rubrikën e tij Fjalët e reja të Zhijiang në “Zhejlang Daily”. Por duke kaluar nëpër listën e gjatë të artikujve dhe komenteve të tij mund të shihet se mesazhet e përcjella tek zyrtarët e të gjitha niveleve përqendrohen kryesisht në vëmendjen ndaj njerëzve, dashurinë për njerëzit dhe pasurimin e njerëzve. Në shumë raste, Xi merret në detaje me shqetësimet e njerëzve në artikujt e tij duke konsideruar strehimin, kujdesin shëndetësor dhe arsimin si tre ‘barrat’ mbi shpatullat e njerëzve.
Tema e ‘shqetësimeve’ të njerëzve është mbizotëruese në pothuajse të gjithë përvojën e tij publicistike e lidhur ngushtë me qëndrueshmërinë sociale. Si sekretar partie në Ningde, Xi shkroi në Janar 1989 në një artikull: “Nëse i dimë vështirësitë e njerëzve, nëse i zgjidhim ato si duhet, nëse zgjidhim vështirësitë e njerëzve sikurse shërojmë sëmundjet e barkut dhe zemrës … a duhet ende të shqetësohemi për qëndrueshmërinë shoqërore”? Siç është nënvizuar në libër, Xi shpjegoi në atë artikull mendimin e tij mbi qëndrueshmërinë shoqërore, të cilën ai e konsideroi si çështje të trajtimit dhe zgjidhjes së interesave të publikut, duke parë në të ‘thelbin e çështjes’.
Sipas tij, nuk ka asgjë të vogël në jetën e njerëzve të zakonshëm – rritja me një cent e çmimit të ujit, rritja e biletës së autobusit me dhjetë cent, ose ulja e procedurave për të marrë një licencë, të gjitha këto janë gjëra që kanë një ndikim të madh te njerëzit.
Vitet 2020-2021 do të mbahen mend për largpamësinë e treguar nga Xi kur çdo gjë u vu në shërbim të popullit: pikërisht në këtë periudhë Kina ka hyrë në analet e historisë si vendi i vetëm në botë që në një kohë rekord mposhti pandeminë kovidiane në mbrojtje të jetës së popullit të vet, por edhe duke u bërë ndër kontribuesit më të mëdhenj në ndihmë të popujve në mbarë botën kundër kësaj murtaje vrastare. Dhe nga ana tjetër ishte po ajo që plotësoi një ndër Objektivat e Mijëvjeçarit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (United Nations Millennium Development Goals) sa i përket zhdukjes së varfërisë një dekadë para afatit të caktuar nga OKB. Dhe çdo gjë e arritur me forcat e veta duke ruajtur ritmin e parashikuar të rritjes ekonomike si asnjë vend tjetër në botë!
Lufta kundër korrupsionit
Kur Xi Jinping mori postin presidencial, korrupsioni ishte një shqetësim i madh në Kinë dhe ai e bëri luftën kundër tij një objektiv kryesor të shprehur në vendosmërinë e tij për të goditur si ‘tigrat’ (zyrtarë të rangut të lartë) dhe ‘mizat’ (zyrtarët e rangut të ulët). Deri në korrik 2014, rreth 50.000 persona u dënuan për shkeljen e “Tetë rregullave”, ndërsa deri në plenumin e 4-të të Komitetit Qendror të 18-të të PKK-së 180.000 anëtarë dhe kuadro të Partisë, 54 prej të cilëve në nivelin provincial dhe ministror, u dënuan duke përfshirë ‘super tigrat’ Zhou Yongkang, Xu Caihou dhe Su Rong. Para se të merrte ato masa, Xi kishte shkruar në një artikull të titulluar “Biseda mbi politikën” se besnikëria e një zyrtari duhet të përputhet me ligjin. “Besnikëria nuk është favor, por respekt i drejtësisë dhe ligjit. Nëse ligji nuk është i qartë, standardet nuk mund të vendosen dhe nëse nuk ka standarde, morali dhe drejtësia nuk mund të respektohen”, nënvizonte Xi në artikullin e tij, i cili paralajmëronte fushatën anti-korrupsion.
Kurse në rubrikën e tij Fjalët e reja të Zhijiang më 20 mars 2004 ai vinte në dukje se gjërat e vogla dhe grimëcat janë si një pasqyrë; ato tregojnë cilësitë dhe shpirtin e njeriut. “Pjesa më e madhe e njerëzve të korruptuar zhyten në gjendjen e shkatërrimit të tyre për shkak të neglizhencës së gjërave të vogla dhe grimëcave. Ata neglizhojnë paralajmërimet në lidhje me ftesat e ndryshme, hedhin poshtë parimet përballë interesave të vogla, humbin personalitetin në një atmosferë të gëzueshme”.
Më 17 maj 2006, Xi botoi artikullin që përqendrohej në rëndësinë e krijimit dhe promovimit të kulturës së shtetit të së drejtës në rubrikën e tij. “Nëse njerëzit nuk kanë kulturën e shtetit të së drejtës dhe shoqëria nuk ka atmosferën e shtetit të së drejtës, atëherë ligji është si një pemë pa rrënjë, si ujë pa burim”, vuri në dukje Xi kur drejtoi Komitetin e Partisë të provincës Zhejiang. Vendimi për forcimin e sundimit të ligjit në provincën Zhejiang u botua në Prill të po atij viti.
Shkrimet si një lajmëtar i përgjithësimeve u bënë për Presidentin Xi si përvojë efikase e punës së tij si udhëheqës lokal në faza të ndryshme të karrierës së tij siç u përmend më lart për të përcjellë mesazhe në aspekte të ndryshme dhe shumë nga shkrimet e tij e kanë çuar atë në direktiva e masa të rëndësishme në nivel kombëtar. Për shembull, ai shkroi në 2006 se “jeta e njeriut është e kufizuar, por njohuria jo”, ose “ajo që dëgjojmë nuk është më e besueshme se ajo që shikojmë; ato që mësojmë me sy nuk na fiksohen në mendje më shumë sesa ato që mësojmë me duar”.
Më 4 dhjetor 2006, në një artikull të botuar në Falët e reja në Zhijiang, Xi u ndal në idenë e tij mbi rëndësinë e punës konkrete të qeverisjes . “Njerëzit praktikë janë ata që duan të dëgjojnë dhe flasin me fjalë konkrete, të cilët guxojnë të marrin përsipër përgjegjësi dhe janë të aftë për punë konkrete. Udhëheqësit duhet të jenë njerëz të tillë”, shkroi ai në atë vit. Në 2007, ai nënvizoi në një artikull se “nëse dëshiron të bëhesh një zyrtar i mirë, duhet të jesh një njeri i mirë; nëse dëshiron të jesh njeri i mirë, duhet të kultivosh moralin. Prandaj morali është baza për kryerjen e detyrës qeveritare dhe një zyrtar duhet të kultivojë moralin në radhë të parë”.
Në lidhje me konceptin e leximit, Xi do të shkruante në Fjalët e reja në Zhijiang se “Ne duhet të krahasojmë atë që lexojmë në libra me atë që shohim në realitet në mënyrë që të gjejmë rendin e zhvillimit dhe të veprojmë në bazë të kombinimit të njohurive me praktikën.” Në qershor të vitit 1988, kur Xi u emërua sekretar partie në qytetin Ningde të provincës Fujian, ai bëri një inspektim në 9 rrethe në lindje të Zhejiang dhe disa rajone fqinje në jug të kësaj krahine. Pas vizitës Xi renditi idetë e tij mbi zhvillimin e rajonit në një artikull nën titullin “Si zogu i dobët mund të fluturojë shpejt – Mendime për zhvillimin e nëntë rretheve në lindje të Fujian”. Ai nënvizoi rëndësinë e punës ekonomike. “Shumë kolegë shpesh bëjnë gabime në lidhje me renditjen e punimeve për sa i përket problemeve konkrete. ‘Qerpikët janë afër syve, por ne nuk i shohim ato.’ Zhvillimi ekonomik është çështja kryesore e punës sonë dhe ne nuk mund të arrijmë rezultate të konsiderueshme pa u përqendruar në këtë drejtim. Disa kolegë ankohen se shumë punë që nuk lidhen me sferën ekonomike e shterojnë pjesën më të madhe të energjisë së kuadrove në rrethe dhe fshatra. Mendoj se kjo situatë duhet të ndryshojë. Ata duhet t’i kushtojnë pjesën më të madhe të energjisë dhe kohës zhvillimit ekonomik”, shkroi ai në atë artikull.
Se sa aktuale është kjo në kohët e tashme jo vetëm për Kinën por për të gjithë botën për të kapërcyer pasojat shkatërrimtare të pandemisë në ekonomi nuk ka ka nevojë për shumë koment.
Vizioni i Xi për ‘Ëndrrën Kineze’
Para se të niste promovimin e iniciativës për ‘Ëndrrën kineze’ Xi filloi ta vinte në dukje atë si një vizion në një vizitë në Muzeun Kombëtar të Kinës në nëntor 2012 pasi mori postin e sekretarit të përgjithshëm të PKK-së. Ai u ndal tek ajo temë në shumë kontribute dhe thelbi i ‘Ëndrrës Kineze ’, sipas vizionit të Xi, është dëshira e çdo kinezi për një jetë më të mirë, është harmonia kombëtare dhe ajo e natyrës me njeriun, është paqja në botë. “Kjo është një ëndërr dhe mendim unanim i të gjithë popullit kinez, është e drejta e të gjithë kinezëve”, shpjegoi Xi, duke shtuar: “Interesat e përbashkëta mund të krijojnë objektiva të përbashkëta, dhe kur këta objektiva të përmbushen, edhe ëndrrat e vogla bëhen realitet”.
Presidenti Xi e solli atë ide edhe në vëmendjen e opinionit publik amerikan gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara në Shtator 2015. Duke folur me një grup përfaqësuesish të biznesit amerikan dhe kinez në Seattle më 22 Shtator 2015 në një darkë, e cila gjithashtu u ndoq nga Dr. Henry Kissinger, i cili si Këshilltar presidencial i Sigurisë Kombëtare vizitoi Pekinin më 9-11 korrik 1971 dhe bisedimet e tij me autoritetet kineze arritën në një marrëveshje që Presidenti Nikson të vizitonte Kinën. Nikson shkoi në Kinë në Shkurt të vitit 1972.
Në fjalimin në Seattle në 2015 Presidenti Xi preku ndër të tjera ‘Ëndrrën Kineze’, duke theksuar se ajo është një ‘ëndërr e njerëzve’. Presidenti Xi tha në atë fjalim: “Kah fundi i viteve 1960, kur isha në moshën e adoleshencës sime, më dërguan nga Pekini për të punuar si fshatar në një fshat të vogël, ku kalova shtatë vjet. Në atë kohë, unë dhe fshatarët jetonim në shpella dheu dhe flinim për dhe. Jeta ishte shumë e vështirë. Nuk kishte mish në dietën tonë për muaj me radhë. E dija se çfarë dëshironin më shumë fshatarët. Më vonë, unë u bëra sekretar i partisë së fshatit dhe fillova të drejtoj fshatarët kah prodhimi. Një gjë që unë dëshiroja më shumë në atë kohë ishte të bëja të mundur që fshatarët të hanin mish që të kënaqeshin. Por ishte shumë e vështirë që një dëshirë e tillë të realizohej në ato vite. Në festivalin e pranverës në fillim të këtij viti (2015) u ktheva në fshat. Ishte një vend tjetër. Tani fshatarët jetonin në shtëpi me tulla dhe pllaka dhe kishin akses në internet. Njerëzit e moshuar kishin kujdesin bazë mjekësor dhe të gjithë fshatarët kishin shërbim mjekësor. Fëmijët shkonin në shkollë. Sigurisht, mishi ishte në dispozicion. Kjo më bëri të vetëdijshëm se ëndrra kineze është, në fund të fundit, një ëndërr e njerëzve. Ne mund ta përmbushim ëndrrën kineze vetëm kur ta lidhim atë me dëshirën e njerëzve tanë për një jetë më të mire”.
‘Do të ndërtojmë një Kine të bukur deri në vitin 2035’
Në fillim të karrierës së tij politike, Xi kishte ngritur alarmin për ndotjen e ajrit në Kinë dhe masat për të mbrojtur mjedisin në atë vend me një popullsi prej rreth 1.3 miliardë njerëz. Më 22 Shkurt 2005, ai botoi një artikull nën titullin “Krijimi i shoqërisë shpëtuese është një revolucion shoqëror” në rubrikën e tij Fjalët e reja në Zhijiang. Ai shkruante ndër të tjera: “Qëllimi i njeriut për zhvillim dhe burimet e kufizuara të tokës krijojnë një kontradiktë të përhershme. Në kohët antike thuhej se natyra lind bimën me një kohë të kufizuar, toka prodhon pasuri me një kufizim hapësinor, por dëshira e njeriut është e pakufishme . Kjo thënie tregon pikërisht këtë kontradiktë”.
Dymbëdhjetë vjet më vonë, në një fjalim në hapjen e Kongresit të 19-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës në 18 Tetor 2017, Presidenti Xi tha se njerëzit do të shohin një përmirësim thelbësor në mjedis dhe vendi do të arrijë objektivat e vendosura për ndërtimin e një Kine të bukur deri në vitin 2035. Kina do të promovojë zhvillimin e gjelbër përmes një sërë masash, duke përfshirë politikat mbi prodhimin dhe konsumin, duke nxitur shërbimet e mbrojtjes së mjedisit dhe duke promovuar financimin e gjelbër, sipas tij. Për ndotjen e madhe, Kina do të bëjë përpjekje më të mëdha për të siguruar një mjedis më të mirë, tha ai, dhe qeveria do të vazhdojë përpjekjet për të fituar luftën kundër ndotjes së ajrit dhe për të forcuar masat për të trajtuar ndotjen e ujit dhe tokës. Shumë ide të shprehura nga Xi në artikujt e tij dhe kontributet e tjera mediatike që datojnë nga 1984 në 2014 duket se kanë shërbyer me kalimin e kohës si një burim për t’u kthyer në një udhëzues për presidentin e ardhshëm për të kërkuar zgjidhje për shumë probleme.
“Të gjitha problemet që ka Kina janë të ndërlidhura me njëri-tjetrin dhe nuk mund të trajtohen veçmas”, është përfundimi i Xi i nxjerrë me sa duket edhe falë përvojës së tij si një udhëheqës lokal për të cilin media, publicistika, kanë qenë pjesë e punës për të arritur në krye të një prej shteteve më të fuqishme në botë.
“Vërtetësia është jeta e gazetarisë”
Duket përvojë publicistike e ka drejtuar Presidentin Xi edhe ne konkluzione te tija mbi fushën e medias, të ashtuquajturit pushteti i katërt. Një lexim i vëmendshëm i veprës së Xi “Dituria dhe Qeverisja Njëqindvjeçare – Citate të Veprave Klasike Kineze nga Presidenti Xi Jinping” është dëshmi e bollshme se si një politikan që nga mosha e tij e re dhe në hapat e parë të karrierës politike gjen motivim, forcë dhe hapësirë në mediat lokale të vendeve ku ai punonte, duke e parë gazetarinë si një mjet komunikimi me njerëzit.
Ndërsa lexon librin me 455 faqe, i cili përbëhet nga shtatë pjesë që përmbajnë citime të Presidentit Xi Jinping nga historia klasike antike në fjalimet dhe artikujt e tij, është interesante të mësosh më shumë mbi thirrjen e Xi, atë të një ‘analisti’, i cili edhe pse 27 vjeçar, tregoi interes të madh për të shprehur idetë dhe mendimet e tij në artikuj dhe komente të bartura nga mediat lokale të vendeve ku ai punonte duke mbajtur pozicione të ndryshme. Përmes mediave ai bëri publike vëzhgimet, analizat dhe propozimet e tij personale, shpesh herë novatore për kohën, për çështje të ndryshme të lidhura veçanërisht me faktorët dhe proceset social-ekonomike lokale, si dhe me përmirësimin e punës së zyrtarëve.
Me kalimin e viteve mënyra e komunikimit të Xi me njerëzit vazhdon të bëhet më e fortë dhe më gjithëpërfshirëse dhe më e drejtëpërdrejtë në përputhje me pozicionet në detyra më të larta lokale dhe qendrore të partisë dhe qeverisë, por është e rëndësishme se sa gjallërisht citimet nga klasikë si Konfuci, Guan Zi dhe dhjetëra të tjerë janë përfshirë në kontributet e tij duke reflektuar mendimet e veta mbi një gamë të gjerë çështjesh.
Ky ‘rrugëtim gazetaresk ’që fillon në 1984 duket se ka qenë praktikë dhe përvojë efikase dhe shumë e frytshme për të paraqitur politikën e re dhe gjithëpërfshirëse të konturuar nga Presidenti Xi më 19 Shkurt 2016.
“Vërtetësia është jeta e gazetarisë, dhe faktet duhet të raportohen bazuar në të vërtetën”, tha Xi në fjalimin e tij në simpoziumin mbi punën e medias në shkurt 2016. “Ndërsa raportojnë me saktësi fakte individuale, gazetarët gjithashtu duhet të kuptojnë dhe pasqyrojnë situatat e përgjithshme të një ngjarjeje nga një këndvështrim i gjerë.” Në konferencën kombëtare të punës mbi propagandën dhe ideologjinë më 19 gusht 2013 ai mbajti një fjalim në të cilin theksoi se “interneti është përparësia e përparësive”. Më vonë në një fjalim gjatë një vizite në Televizionin Qendror të Kinës në 19 Shkurt 2016 ai vuri në dukje se “(Ne duhet) të përdorim mirë platformën tonë ndërkombëtare të transmetimit në mënyrë që të raportojmë në mënyrë objektive, të vërtetë dhe të gjallë situatën në lidhje me zhvillimin ekonomik dhe social të Kinës, duke transmetuar kulturën kineze, duke treguar historinë e Kinës siç duhet dhe duke promovuar një kuptim më të gjerë dhe më të mirë të Kinës në vendet e huaja”.
Kina është vend i madh, populli kinez po ashtu sikurse është më i madhi për nga numri ne këtë tokë ka meritën e tij të veçantë se ka nxjerrë nga gjiri i tij figura të spikatura që i kanë pri me mençuri e përkushtim në stade të ndryshme të historisë përballë tallazeve të panumërta duke u ngritur nga tragjedizmi në lavdi. E natyrshëm këto figura emblematike të kohëra të lashta dhe kontemporane si Konfuci, Mencius, Mao Ce Duni, Ten Hsiao Pini e shumë e shumë të tjerë, sot e kësaj dite i kanë kaluar kufijtë e vendit të tyre për gjurmët që kanë lënë në mbarë njerëzimin në çdo fushë. E në këtë 100 vjetor të PKK trajektorja e rritjes së një biri të atij populli kontributi i të cilit e hovi përpara Kinën moderne drejt horizonteve te reja te gjithësisë që kalon kufijtë e planetit tokë mban dukshëm gjurmët e ‘Mendimit Xi Jinping mbi Socializmin me Karakteristikat Kineze për Epokën e Re’. Shumë e lartëson, sipas mendimit tim, figurën e Presidentit Xi boshti njerëzor dhe human i filozofisë së tij zanafilla e të cilës duket se ka burimin që në moshën 15- vjeçare e lidhur fort me fatet e popullit në një Kinë të bukur: kur populli ndjehet mirë, çdo gjë në vend për këdo është mirë!/CRI