Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien tha se Mali i Zi është një partner i fortë i NATO-s dhe shprehu optimizmin se qeveria aktuale do të vazhdojë në rrugën e integrimit më të thellë evropian dhe transatlantik.
Zoti O’Brien këto komente i bëri të hënën në Podgoricë në një konferencë me gazetarë pas takimit me kryeministrin malazez, Milojko Spajiç.
Zyrtari i lartë amerikan O’Brien, i cili më herët sot u takua edhe me Kryeprokurorin e Shtetit, vuri në dukje arritjet e qeverisë së re malazeze.
“Jam bindur për përkushtimin e Malit të Zi në rrugën evropiane. Fakti që prokurorët po veprojnë me kapacitet të plotë është një arritje e madhe e qeverisë. Institucionet që janë ndërtuar do të punojnë për të mirën e qytetarëve”, tha zoti O’Brien.
Më 27 janar, Parlamenti i Malit të Zi zgjodhi Milorad Markoviçin si kryeprokuror të shtetit, pas më shumë se pesë vite krize të institucionit më të rëndësishëm gjyqësor të Malit të Zi.
Zoti O’Brien shprehu kënaqësinë për mundësitë e bashkëpunimit me qeverinë aktuale dhe për përmbushjen e detyrimeve ndaj NATO-s.
“Ne jemi të kënaqur që mund të bashkëpunojmë me Malin e Zi dhe jemi të kënaqur që Mali i Zi përmbush detyrimin për të ndarë dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen,” tha O’Brien.
Kur bëhet fjalë për BE-në, O Brien tha se po përgatitet një paketë për Malin e Zi që duhet të reduktojë kostot financiare dhe të përshpejtojë transportin.
“Ne shpresojmë se kjo do ta bëjë jetën më të lehtë për të gjithë. Qëllimi i dialogut mes Amerikës dhe Malit të Zi është hapja e dyerve dhe ky është imazhi që ne duam t’u përcjellim njerëzve nga komuniteti i biznesit,” tha O’Brien.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç tha se në fokus të bisedës me zyrtarin amerikan ishte ekonomia dhe se pret që ekonomia amerikane të jetë shumë më e interesuar për tregun malazez.
” Ne i vlerësojmë miqtë tanë amerikanë që ishin vërtet shumë konstruktivë në lidhje me dialogun ekonomik malazezo-amerikan,” tha Spajiç.
Zoti Spajiç tha se Mali i Zi ka përgatitur një plan prej rreth 90 reformash, të cilat do ta afrojnë Malin e Zi me tregun e BE-së dhe tha se Uashingtoni po i ndjek këto reforma.
“Për Malin e Zi ky është një moment kyç kur po realizohet historia jonë për Malin e Zi, si një Singapor i Evropës”, tha kryeministri Spajiç.
Qeveria e Milojko Spajiç u zgjodh tetorin e kaluar, me mbështetjen e tij Lëvizja Evropa Tani, Demokratët, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe, partia e Frontit Demokratik pro-Rus të shpërbërë së fundmi dhe Partia Kombëtare Shqiptare.
Zgjedhja në fund të tetorit të vitit të kaluar të qeverisë së re e zotit Milojko Spajiç ishte e treta që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kur pas tre dekadash u zëvendësua Partia Demokratike e Socialistëve e ish presidentit Milo Gjukanoviç.
Megjithatë qeveria e re u prit me rezerva të dukshme nga fakti se në shumicën qeverisëse u përfshi edhe një ish drejtues i koalicionit politik pro-serb dhe pro-rus në Mal të Zi, Andrija Mandiç, të cilit iu dha posti i kryetarit të parlamentit të Malit të Zi.
Megjithatë, këto ditë, qeveria malazeze mori mbështetjen e dukshme nga Brukseli, ku zyrtarët evropian përshëndetën përparimin e arritur në Mal të Zi në vetëm tre muajt e qeverisjes.
Është shumë pozitive të shohim Malin e Zi të fokusuar plotësisht në qëllimin e tij të pranimit, duke bërë përparim të mirë, tha KE./voa