Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar nga një rritje masive e numrit të viktimave nga pandemia e Coronës. Në SHBA numri i të infektuarve me Corona kaloi ndërkohë në një milionësh tjetër.
Numri i dy milionë viktimave nga pandemia e Coronës është i papërfytyrueshëm, por „jo i pamundur”, deklaroi, Michael Ryan drejtor i ndihmës së emergjencës nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH në Gjenevë. Madje kjo shifër pa një bashkëpunim ndërkombëtar është „me shumë gjasa.” Sipas Ryan një rritje e re masive e infektimeve është e mundur. Prandaj duhet të zbatohen me rigorozitet të gjitha masat kundër SARS-CoV-2. Higjiena, mbajtja e maskës, distanca, testimi, ndjekja e kontakteve, karantina.
“Atëherë kam frikë se, …”
„Çështja që shtrohet është: Jemi të gatshëm të veprojmë së bashku multilateralisht e globalisht, që ta kontrollojmë këtë virus në vend që ta kontrollojë fatin tonë? Nëse nuk e bëjmë këtë dhe nuk e zhvillojmë mënyrën, dimensionin dhe intensitetin e bashkëpunimit, atëherë kam frikë, se duhet të përgatitemi për një shifër të tillë, dhe për fat të keq ndoshta edhe një më të lartë”, tha Ryan. Sfida kryesore si më parë është zhvillimi i një vaksine të efektshme.
Aktualisht numri i viktimave në botë që kanë humbur jetën nga virusi Corona po i afrohet shifrës 1 milionë. Pritet që kjo të kalohet në javën që vjen.
SHBA në krye
Në Shtetet e Bashkuara janë regjistruar ndërkohë më shumë se 7 milionë të infektuar, sipas Universitetit John Hopkins. Kjo është shifra absolutisht më e lartë, ndjekur nga India me 5,8 milionë raste dhe Brazili me 4,7 milionë të infektuar. Ndërkohë në të gjithë botën janë infektuar 32 milionë vetë, 283.000 në Gjermani. Edhe në Gjermani ka rritje të numrit të infektimeve.
Krahasimisht pandemia e Coronës është zhvilluar më lehtë në Afrikë deri më tani. Që ky kontinent deri më tani i ka shpëtuar rritjes së lartë të infektimeve mendohet, se lidhet me kushtet klimatike të tij dhe një dendësi të ulët popullsie në shumë rajone, ka bërë të ditur zyra e OBSH-së në Brazzaville. Një rol mund të luajë edhe mosha e ulët mesatare e popullsisë afrikane.