Një zyrtar i lartë për Evropën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha sot në një takim me gazetarët se masat e izolimit mund të evitohen nëse njerëzit ndjekin këshillat e ekspertëve siç është vendosja e maskave.
Kreu rajonal i OBSH për Evropën, Hans Kluge theksoi se izolimet janë “mundësia e fundit,” dhe nxiti publikun të ndjekë udhëzimet shëndetësore për parandalimin e vdekjeve.
Ai shtoi se nëse 95% e njerëzve vendosin maska, në vend të rreth 60% që e bëjnë këtë aktualisht në Evropë, “mbylljet e izolimit nuk do të nevojiteshin”, edhe pse shtoi se maska nuk është zgjidhja universale dhe vendosja e saj duhet të kombinohet me masa të tjera.
“Nëse ne të gjithë bëjmë pjesën tonë, izolimet totale janë të evitueshme,” tha Kluge.
Ai përmendi faktin se aktualisht miliona njerëz po jetojnë sërish në izolime të cilat shkaktojnë vështirësi ekonomike dhe humbje të vendeve të punës, dëmtim të shërbimeve shëndetësore dhe dëme të tjera kolaterale siç është shëndeti mendor, abuzimi me substancat dhe dhuna ndaj grave.
Kluge tha se kufizimet në të gjithë kontinentin kanë bërë që numri i rasteve të bjerë nga 2 milionë në 1.8 milionë javën që shkoi.
“Është një sinjal i vogël por është diçka. Unë inkurajoj sistemin e ndarjeve te zonave urbane sipas masës së infektimit, për zbatimin specifik te masave,” shtoi ai.
Duke folur nga Kopenhagen në Danimarkë, Kluge paralajmëroi se “impakti negativ zbutet shumë shpejt” prandaj kufizimet duhet të relaksohen në mënyrë graduale.
Vendet evropiane po përballen ende me shifra të larta infektimesh, ku Italia regjistroi dje 753 vdekje, ndërsa Polonia 637.
Kluge tha se ka pasur 29,000 vdekje nga koronavirusi në rajon javën që shkoi, me rreth një vdekje nga semundja në çdo 17 sekonda.
Ai shtoi se vdekjet nga Covid-19 ishin rritur me 18% në Evropë në dy javë e fundit, me mesatarisht 4,500 në ditë