Nga Dr. Jorgji KOTE
Në numrin 9 të kësaj rubrikë ekskluzive të “ARGUMENTUM”, diplomati dhe analisti i njohur, Dr. Jorgji KOTE flet “copë” dhe me vetëm 1000 fjalë mbi 4 kryetemat diplomatike të periudhës 18 – 31 MAJ 2020
SHBA braktisin “Qiejt e Hapur” dhe OBSH
Më 21 Maj Presidenti Trump njoftoi largimin nga Traktati Ndërkombëtar “ Qiejt e Hapur” të nënshkruar më 1992 e të hyrë në fuqi më 2002 me 34 vende antare; ai mundëson kryerjen e fluturimeve vëzhguese mbi qiejt e vendeve pjesëmarrëse dhe për të verifikuar zbatimin e marrëveshjeve të çarmatimit; kjo mes procedurave/protokolleve të shumta tejet teknike. “Qiejt e Hapur” synon krijimin e masave të besimit, një ndër shtyllat kryesore të OSBE-së.
SHBA akuzojnë Rusinë për shkelje dhe pengesa të ndryshme, shtimin e misioneve vëzhguese në SHBA dhe gjetkë. Por Rusia i ka përgënjeshtruar ato me shumë fakte dhe argumenta lidhur me të vërtetën dhe pozicionet sipas saj korrekte.
Në fakt, në diplomaci, largimi i njëanshëm nga një traktat shumëpalësh është mjeti më i fundit; ndaj, palët zhvillojnë deri në fund bisedime, takime dhe konsulta të tjera për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të ndryshme. Krahas kundërshtimeve të brendshme, më 23 Maj, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg dhe ministrat e Jashtëm të 11 vendeve europiane i kërkuan SHBA-ve me një letër zyrtare rishqyrtimin e këtij vendimi. Ndërkohë që Moska zyrtare ka treguar gatishmëri “për dialog dhe konsultime por jo me ultimatume”. Mbetet për të shpresuar që deri në Nëntor kur do të vendosë sipas këtij Traktati, SHBA-të ta a nullojnë vendimin dhe të vazhdojnë në “Qiejt e Hapur”.
Po kështu, më 29 Maj, SHBA njoftuan tërheqjen dhe nga OBSH-ja, duke e akuzuar atë për paaftësi në menazhimin e koronës dhe njëanshmëri në favor të Kinës. Por ende nuk dihet nëse ky është largim përfundimtar. As ky veprim që pason ndërprerjen e financimit të OBSH-së nuk ka gjetur mbështetje brenda vendit e sidomos te partnerët europianë; ata kanë kërkuar anullimin e saj; aq më tepër në këtë periudhë, kur korona është ende sheshit dhe kur OBSH-ja do mbështetje në sfidat e saj dhe në rajone të tjera, sidomos në Afrikë.
Të dya këto tërheqje shihen si lëvizje politike elektorale dhe për të shkëputur vëmendjen nga keqadministrimi i krizës së koronës nga Administrata Amerikane.
Boshti franko-gjerman dhe “ The next Generation EU”
Më 18 Maj, Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron befasuan politikën ndërkombëtare me propozimin për krijimin e Fondit të Rimëkëmbjes Ekonomike prej 500 Miliard Euro. Kjo shumë do të tërhiqet nga Komisioni Europian në tregjet financiare ndërkombëtare për t’ua shpërndarë si grante dhe ndihma pa interes/kthim vendeve më të prekura, sidomos Italisë dhe Spanjës. Një “ revolucion” i vërtetë për Gjermaninë që ka qenë kundër garancive të përbashkëta për borxhet dhe huatë bashkë më katër vende të ashtuquajtura “ kurnace” – Austria, Holanda, Suedia dhe Danimarka që qëndrojnë ende në pozicionet e tyre. Kësisoj, boshti i BE-së, “rindezi motorët” e saj i mirëpritur kudo.
Në vijim, më 27 Maj Komisioni Europian e miratoi këtë fond, duke i shtuar dhe 250 Miliard Euro si kredi të buta. Bashkë me buxhetin prej 1,1 Trilion Euro 2021 – 2027 i mbiquajtur “ The next generation EU” është plani më i madh i zhvillimit socio-ekonomik pas Luftës së II Botërore. Ai shënon “ pikën më të madhe të kthesës europiane përballë krizës së rëndë”; siç ka thënë Jean Monnet, një prej baballarëve të BE-së, kjo e fundit “rritet e forcohet mes krizash, si shumatore e zgjidhjeve të tyre”. Tani mbetet të punohet me katër “ dorështrënguarit” deri më 19 Qershor kur Samiti i BE-së do të shqyrtojë dhe miratojë këtë paketë gjigande. Ajo tregoi se BE-ja nuk i ka stakuar e motorët; përkundrazi, ajo po tregon më në fund dhe solidaritetin e saj fillimisht të munguar fillimisht, duke përfshirë dhe Ballkanin me 3,3 Miliarda Euro, etj.
Dialogu Prishtinë – Beograd: Këtu zhvillimet më të rëndësishme janë Deklarata e Përbashkët e ministrave të jashtëm franko-gjermanë më 23 Maj. Ajo ishte një apel dhe kujtesë që të mos ketë ngut, as ndryshime territori dhe kryesorja procesin do ta udhëheqë BE-ja. Atë e mbështeti më 29 Maj dhe Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, i cili theksoi kundërshtimin ndaj ndryshimit të kufijve. Këto janë mesazhe të qarta për këdo dhe për Richard Grenell, të Dërguarin e Presidentit Trump. Ndërkohë, liderët e Kosvës po mundohen sërish të venë “stërkëmbësha” dhe në këtë çështje jetike.
Thaçi gabon rëndë kur refuzon dialogun me Lajçak dhe Borell, të cilët i kanë miratuar dhe Franca me Gjermaninë që Thaçi i pranon dhe kërkon që atë ta udhëheqë SHBA, ndryshe nga Kurti etj. Kujdes, axhendwn dhe formatin e këtij dialogu e përcaktojnë BE dhe SHBA dhe asnjë lider në Kosovë. Mirëpo, kur grinden dy palë, fiton e treta, në rastin tonë Serbia. Nisur nga këto dhe të tjera zhvillime të njohura, gjasat që Marrëveshja me Serbinë të nënshkruhet këtë vit, e ca më pak përpara Nëntorit po pakësohen dita ditës, aq sa duken të pamundura.
Më 28 Maj vonë në mbrëmje, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi njëzëri në favor të krijimit të qeverisë së re HOTI. Eshtë pa diskutim vendim shumë i drejtë, në përputhje me Nenin 55/100 të Kushtetutës së Kosovës dhe standardet ndërkombëtare. Meqënëse sipas Kushtetutës, Albin Kurti nuk paraqiti kanditaturë tjetër nga VV-ja dhe as nuk denjoi të bënte ndonjë përçapje për marrëveshje me aleaten qeveritare, e cila ka siguroi vetëm një votë më pak në zgjedhjet e 6 tetotit 2019 por vetëm “ ngulte këmbë si mushka” për zgjedhje të parakohshme, LDK krijoi një koalicion funksionues, në respekt të plotë të votës së 6 Tetorit dhe të Kushtetutës.
Tani ky vendim do respektuar, sepse ishte vetë Kurti që ankimoi në Kushtetuese. Sa për zgjedhjet e parakohshme, ato bëhen vetëm kur shterohen të gjitha mundësitë kushtetuese; ca më keq akoma, në rastin e Kosovës, ato mund të kthehen në refrene me kosto pa zgjidhje funksionale; për pasojë, ato venë në rrezik të gjithë axhendën shpërthyese, të brendshme dhe të jashtme të Kosovës.
/argumentum.al/
© Argumentum