Oda Amerikane në Shqipëri, Oda Amerikane në Bosnjë dhe Hercegovinë, Oda Amerikane në Kosovë, Oda Amerikane në Maqedoninë e Veriut dhe Oda Amerikane në Serbi, të mbledhura në konferenca Qytetet Inteligjente në Tiranë, u dakorduan për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe promovimit të mundësive për zhvillim.
Odat Amerikane u dakorduan të vazhdojnë punën e përbashkët për avokim për klimë më të mirë afariste dhe të investimeve, si dhe për inkurajimin e largimit të barrierave tregtare dhe fuqizimin e lëvizjes së lirë të kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.
Po ashtu, Odat Amerikane u zotuan të punojnë bashkërisht për të eksploruar mundësitë e pashfrytëzuara duke fuqizuar lidhjet e Odave Amerikane në rajon.
“Një nga efektet pozitive anësore të Konferencës Rajonale Smart City ishte pjesëmarrja dhe fillimi i një kapitulli të ri bashkëpunimi mes AmCham-eve të Ballkanit Perëndimor. Në ambientet e konferencës, u takuam për herë të parë pas shumë kohësh dhe ramë dakord për:- Nxitjen e nismave të bashkepunimit ekonomik rajonal- Promovimin e potencialeve që rajoni u ofron investitorëve të medhenj – Bashkërendimi i forcave mes sektorit publik dhe atij privat për një faqe të re investimesh në Ballkan duke lënë pas imazhin e një rajoni të prapambetur. Të gjithë jemi të bindur se Ballkani, përfshirë Shqipërinë i ka të gjitha mundësitë të shndërrohet në një zonë tërheqese për investimet e huaja në Europë“, shprehet Presdienti i Dhomes Amerikane te Tregtise, Z. Enio Jaçe.
Duke u përballur me sfida të shumta përfshirë sigurinë energjetike, mungesën e kapitalit njerëzor, çrregullimet në zinxhirët e furnizimeve, barrierat tregtare, sigurinë kibernetike dhe çështjet klimatike, Odat Amerikane u bëjnë thirrje udhëheqësve të rajonit që të përshpejtojnë reformat dhe bashkëpunimit, duke bashkërenduar ekonomitë me rregullat e BE-së, agjendën digjitale dhe të gjelbër, si dhe avancimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
/Argumentum.al