Dhjetë vjet më parë, George Papandreou, asokohe Kryeministri i sapozgjedhur i Greqisë, njoftoi para së gjithë botës se deficiti buxhetor i 2009 ishte në të vërtetë dyfishi i vlerësimeve të mëparshme. Pasi Greqia humbi aksesin në tregjet e kapitalit, ajo u detyrua që t’i kërkojë ndihmë Bashkimit Europian dhe FMN-së.
Kriza e rëndë financiare, së bashku me uljen e shpenzimeve të kërkuara nga kreditorët, e zhytën Greqinë në një nga rëniet më të thella të përjetuara që nga periudha e Luftës së Dytë Botërore. Tani, ajo ka në krye një Kryeministër të ri, Kyriakos Mitsotakis, i cili është duke u përpjekur ta forcojë Greqinë, duke e rikthyer atë në kohërat më të mira. Edhe pse ekonomia ka shfaqur shenjat e para të rikuperimit, rritja është përsëri e dobët dhe prodhimi është gati një e katërta nën nivelin që ka qenë në 2007, shkruan The Economist.
Vendi përfundoi paketën e tij të tretë të shpëtimit vitin e kaluar, me një borxh publik prej 180% të PBB-së. Tani ai është subjekt i realizimit të një marrëveshje për lehtësimin e borxhit të arritur me kreditorët e saj europianë. Kjo marrëveshje ishte krijuar në mënyrë që të dukej sa më e ashpër, që të merrte miratimin e veriut të Europës, i cili e urren idenë e paketave të shpëtimit dhënë për jugun e kontinentit. Por, sipas ekspertëve, marrëveshja është jashtëzakonisht joreale.
Ndoshta ka ardhur koha që të ndalojmë të pretendojmë dhe t’i japim zgjidhje njëherë e përgjithmonë financave të Greqisë. Marrëveshja e vitit 2018 zgjati maturimin e disa prej kredive të Greqisë dhe ofron një lehtësim të normës së interesit. Në kthim, së bashku me vazhdimin e reformave, Greqia duhet të përmbushte objektivat fiskale të caktuara. Ajo duhet të ketë arritur një suficit primar (d.m.th. para pagesave të interesit) prej 3.5% të PBB-së në vit deri në vitin 2022, dhe një prej 2.2%, mesatarisht, deri në 2060. Pyetja mbi lehtësimin e borxhit nuk do të rishikohet deri në vitin 2032.
Arritja e objektivave do të ishte një fitore e vërtetë, por ama vetëm një numër shumë i vogël shtetesh kanë arritur t’i përmbushin ato. Dhe këto kanë qenë shtete shumë të pasura dhe me një ekonomi të lulëzuar. Të presësh që edhe Greqia do të arrijë të përmbushë objektiva të tillë fiskalë, në vetëm katër dekada nuk është aspak e arsyeshme. Siç thekson edhe FMN-ja, asaj do t’i duhet përfundimisht një lehtësim i borxhit real. Dhe tani që ekonomia është ende në një situatë jo të favorshme, ndoshta është rasti më i mirë për një lehtësim fiskal. Kushtet penale të marrëveshjes së vitit 2018 pasqyrojnë mosbesimin, sepse politikanët e Veriut nuk do të binin kurrë dakord për të nënshkruar një marrëveshje, e cila do ta çlironte Greqinë nga barra e rëndë e borxhit të saj. Nga ana e saj, Greqia ka shmangur një sërë reformash, me qëllim që të mundohet të ecë me të njëjtin hap të pjesës tjetër të Eurozonës.
Qeveria e mëparshme, e udhëhequr nga Siriza, një parti e majtë, u përpoq që të përmbushte objektivat fiskalë, por duke anashkaluar një pjesë të madhe të reformave që duheshin zbatuar. Bankat janë të mbushura me kredi këqija dhe struktura për t’i trajtuar ato është e paplotë. Të ardhurat nga taksat mbështeten në një bazë shumë të ngushtë. Në regjistrimin e pasurive ose zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të biznesit, raporti i Bankës Botërore “Doing Business”, e rendit Greqinë vendin e tretë nga fundi.
Por, pa dyshim që ekziston edhe një rrugëdalje. Kur grekët votuan në korrik për z. Mitsotakis, i cili ishte pro zbatimit të reformave, ata i kthyen shpinën populizmit. Kreditorët duhet ta marrin situatën në fjalë si shenjë mirëbesimi. Ata gjithashtu duhet të përcaktojnë një objektiv të ri, që, në këmbim të më shumë reformave, Greqia duhet të marrë një reduktim të borxhit të saj.
Gjatë kësaj periudhe, me kusht që Greqia të realizojë disa prej reformave më të rëndësishme, objektivat e saj të suficitit fiskal duhet të reduktohen gradualisht.
Për ta përshëndetur këtë gjest të mirë të Greqisë, BE-ja mund të japë deri në mbi 1 miliard euro në vit fitime nga një skemë e blerjes së bonove për t’i dhënë kështu Greqisë një hapësirë fiskale ekstra. Megjithatë z. Mitsotakis ka qenë shumë i ngadaltë në drejtim të përmbushjes së reformave të ndryshme. Ai duhet t’i përveshë mëngët dhe të veprojë më shumë në këtë drejtim. Z. Mitsotakis duhet të bindë veriorët se Greqia ka fituar njëfarë fleksibiliteti. Kjo nënkupton përballjen me problemet që mbështesin ekonominë. Për dhjetë vjet, qeveritë dhe kreditorët nuk janë treguar të qartë në drejtim të fatit të Greqisë, dhe kjo e fundit meriton më shumë. – monitor