“Provat e mbledhura në Turqi gjatë detyrës sime, tregojnë se Khashoggi është viktimizuar në një vrasje mizore dhe të paramenduar nga zyrtarët e shtetit të Arabisë Saudite”, tha raportuesja e OKB-së
Vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi është planifikuar nga zyrtarët e Arabisë Saudite, e cila në mënyrë serioze ka sabotuar përpjekjet e Turqisë për të zbardhur rastin, tha Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), transmeton Anadolu Agency (AA).
Agnes Callamard, Raportuesja Speciale e OKB-së për Ekzekutime Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare, e cila së fundmi vizitoi Turqinë për hetimin e rastit Khashoggi nën kryesimin e OKB-së, në raportin e publikuar në lidhje me hetimin ka thënë se “provat e mbledhura në Turqi gjatë detyrës sime, tregojnë se Khashoggi është viktimizuar në një vrasje mizore dhe të paramenduar nga zyrtarët e shtetit të Arabisë Saudite”.
Callamard ka thënë se vrasja e Khashoggit përbën shkelje të të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
“Hetimi efikas, gjithëpërfshirës, i paanshëm dhe transparent i Turqisë është sabotuar seriozisht nga Arabia Saudite”, ka theksuar Callamard.
Raportuesja e OKB-së ka falënderuar Turqinë për mbështetjen gjaté vizitës së saj.
Khashoggi, kontribues i gazetës “The Washington Post”, u vra në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor.
Pas shpjegimeve të ndryshme kontradiktore, Rijadi pranoi se ai u vra brenda ndërtesës së konsullatës, duke thënë se vrasja ishte një operacion jashtë kompetencave dhe dijenisë së qendrës.
Turqia ka kërkuar ekstradimin e shtetasve sauditë të përfshirë në vrasje, si dhe një llogaridhënie më të plotë nga ana e Rijadit.