Organizata e Kombeve të Bashkuara ka reaguar duke e lëshuar një deklaratë zyrtare pasi Kosova e shpalli “non grata” një zyrtar rus të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, raporton Gazeta Express.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla të premten ka shpallur “non grata” një zyrtar rus të misionit të UNMIK-ut.
Mediat vendase raportojnë se pas këtij vendimi ka reaguar Organizata e Kombeve të Bashkuara duke lëshuar një deklaratë.
Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric deklaroi se UNMIK-u s’ka pranuar asnjë komunikim zyrtar nga institucionet e Kosovës për këtë vendim.
“Jemi vënë në dijeni për shpalljen ‘persona non granata’ të një anëtari të stafit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-ut. Nuk është pranuar asnjë komunikim te Misioni nga autoritetet e Kosovës sa i përket këtij njoftimi. Doktrina e ‘persona non grata’ nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është e parashikuar sipas rregullores së UNMIK-ut 2000/47. Çdo shqetësim në lidhje me një anëtar të personelit të UNMIK-ut duhet t’i adresohet udhëheqësisë së Misionit në mënyrë që UNMIK-u ta trajtojë këtë çështje në përputhje me statusin, privilegjet dhe imunitetin e UNMIK-ut dhe personelit të tij”, thuhet në deklaratë.