Gjatë debatit me eurodeputetët e Komisionit të Punëve të Jashtme, komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi konfirmoi shtyrjen e publikimit të raportit vjetor në muajin shtator, për shkak të situatës të krijuar nga COVID-19.
“Ne tani po punojmë natë e ditë me situatën e COVID-19, dhe për faktin se është shumë e vështirë të parashikohet se si do të duket situata ekonomike. Është edhe shumë e vështirë të shihet se si reformat do të japin rezultat, sepse sigurisht që Covid-19 e ka frenuar punën. Ne duam të vijmë me një raport domethënës, me një raport të mirë, që ofron edhe të dhëna për përparimin”, theksoi Komisioneri Evropian për zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Për momentin, sipas komisionerit, fokusi është tek përgatitja e kuadrit negociues me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që në qershor pritet të shoqërohet dhe më një raport të ndërmjetëm për dy vendet.
“Fokusi im tani është më shumë tek kuadri negociues për dy vendet, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dhe ajo që mund t’ju them është që me to do të vijmë sipas planit, në qershor. Mendoj se kjo është për momentin pjesa thelbësore në mënyrë që të mund të vijojmë me vrullin e momentit. Këto korniza negociatash do të shoqërohen edhe me një përditësim për dy vendet. Dhe shumë shpejt dhe në varësi të kalendarit të komisionit, me paketën e zgjerimit, dhe shpresoj edhe me planin ekonomik të zhvillimit dhe investimeve për Ballkanin Perëndimor brenda asaj pakete, në shtator”, shton ai.
Komisioneri për zgjerimin shtoi se pjesa e ndihmës ekonomike për Ballkanin në paketën e zgjerimit do të varet nga bisedimet që vijojnë brenda vendeve anëtare për buxhetin e ardhshëm shtatë vjeçar të BE-së.