Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi thotë se Shqipëria thuajse i ka plotësuar kushtet për të mbajtur konferencën ndërqeveritare, por vendimi i takon të merret nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Pas fjalës që mbajti në Parlamentin e Shqipërisë, komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi, u takuan edhe me kryeministrin Edi Rama. Ata në fund mbajtën një konferencë për mediat, ndërsa fokusi i saj u vendos tek rruga europiane e vendit tonë.
Kryeministri i vendit, Edi Rama, u zotua para komisionerit se Shqipëria do të vazhdojë të plotësojë të gjithë kushtet e vëna nga BE-ja.
“Ne jemi shumë mirënjohës dhe do të jemi gjithmonë mirënjohës. Bashkëpunimi me komisionin ka dhënë fryte të veçanta. Në të gjitha aspektet, që lidhen me objektivat e përcaktuara nga KE për çuarjen përpara të agjendës së integrimit, ne kemi vazhduar të shkojmë përpara me bindje të plotë, që duhet t’i bëjmë të gjitha këto: reformën në drejtësi, luftën e korrupsionit, përsosjen e administratës publike, jo sepse na e kërkon Brukseli, Parisi, por është obligim për fëmijët tanë”, tha Rama.
Komisioneri i Zgjerimit të BE-së tha se unioni evropian e ka prioritet çështjen e zgjerimit, i cili shtoi se do të shoqërohet edhe me investime të reja në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi se pas ketër vitesh, me investimet e reja situata do të paraqitet krejt tjetër.
“Unë kam sjell lajme të mira. Ne do të vazhdojmë punën me Ballkanin Perëndimor dhe e kemi seriozisht pjesën e zgjerimit. Plani konsiston në 9 miliardë euro grante dhe 20 miliardë euro garanci. Plani ekonomik në vetvete kërkon, që duhet të përshpejtojnë punën që duhet të bëjnë vendet e rajonit për të kapur ritmin e BE. Ky është një plan, të cilin e kemi plotësuar me vendet e rajonit. Pas katër vitesh në rajon, panorama do të jetë krejt ndryshme”, tha ai.
Komisioneri u ndal edhe tek ngritja e Gjykatës Kushtetutës. Sipas tij, autoritetet shqiptare duhet të bëjnë çmos që ta bëjnë funksionale sa më shpejt këtë institucion të rëndësishëm.
“Na duhet që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të jenë në punë dhe të bëjnë punën”, tha ai.
Shefi i qeverisë shqiptare theksoi se rruga e vendit tonë nuk do jetë vetëm rruga e reformave, por edhe rruga e ndërtimit të një ekonomie funksionale, e cila do të prodhojë zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë rajonin.
“Komisioneri ka qenë telefonata e parë nga BE, për të më garantuar që BE do të jetë pranë Shqipërisë, pranë rajonit edhe në ketë fazë, pavarësisht vështirësive që ka pasur. Jemi në një moment që marrëdhëniet me KE-në kanë një konkretësi shumë të madhe. Shqiptarëve mund t’u themi se rruga jonë vitet e ardhshme, nuk është thjesht rruga e hapave në reforma, por është rruga e ndërtimit të një ekonomie të re për rajonin”, tha Rama.
Komisioneri i BE-së u shpreh se Shqipërisë i duhen reforma të besueshme, ndërkohë shtoi se zgjedhjet e reja do jenë një test i vërtetë për rrugën europiane.
“Ne na duhet një reformë e besueshme zgjedhore, në bazë të së cilës do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme”, theksoi ai.
Megjithate Kryeministri, Edi Rama gjatë konferencës për mediat pas takimit me komisionerin, nuk u shpreh shumë optimist për marrjen e një ftese, duke përmendur Holandën si vendin që mund të dalë kundër për shkak të zhvillimeve të saj të brendshme duke iu referuar kështu zgjedhjeve të ardhshme.
I pyetur nëse raporti i pozitiv i Komisionit Evropian do të ndikojë tek vendet skeptike për zgjerimin, kryeministri tha se, Holanda nuk është më shumë e ndjeshme se sa vende të tjera të BE por e sheh raportin e Ke-së sipas interesave të saj.
“Nuk besoj se Finlanda, Suedia apo shumë vende të tjera të BE janë më pak të ndjeshme se sa Holanda kur vjen puna tek krimi, korrupsioni, drejtësia e kështu me radhë, por ka një dinamikë të brendshme të ndryshme në vende të ndryshme dhe pastaj është ajo dinamikë që i bën ta shohin me sy tjetër raportin e progresit, sipas interesave të tyre. Kështu që është legjitime janë interesat e tyre, unë nuk bëj parashikime shpresoj që ne të vazhdojmë duke ulur në tryezën ndërqeveritare pasi hapja e negociatave është dakordësuar mes të gjithëve.
Por, nga ana tjetër ne kaq shumë u mësuam duke u përgatitur për dasma dhe krushqit nuk na erdhën, sa që tani i kemi lënë përgatitjet për dasma. Në qoftë se do na thërrasin ne gati jemi të veshur dhe ulemi e vazhdojmë punën. Nuk kemi asnjë shqetësim”, deklaroi Rama.