Editorial
Ndërsa përplasjet Shqipëri-Kosovë janë në kulmin e tyre që nga takimi i fundit i treshes Rama,Vuçiç, Zaev lidhur me projektin “Open Ballkan”, këto 48 orët e fundit duket se e kanë ndaluar për pak furinë shqiptare këtej dhe matanë kufirit.
Bëhët fjalë për deklaratat e njëpasnjëshme zyrtare që nga Berlini e deri në SHBA lidhur me iniciativen e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim rajonal.
Bashkëpunimin rajonal e duan të gjitha palët, por jo Minishengen i shëndërruar sëfundmi në “Open Ballkan”, iniciativë që deri tani e përkrahin vetëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Kujtojmë se Ideja e “Mini-Shengenit” është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Më 29 korrik 2021, në një forum ekonomik që u mbajt në Shkup, kësaj nisme ju ndryshua emri në “Open Balkan”
Pikërisht iniciativen “Ballkani i Hapur” si vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, Kosova e ka kundërshtuar edhe më parë, por jo vetem nga Kosova. Mali i Zi dhe Bosnja Hercegovina, janë dy vende të tjera që kanë refuzuar deri më tani të bëhen pjesë e kësaj iniciative.
Megjithate në gjithë këtë vorbull që është krijuar veçanërisht midis Tiranës dhe Prishtinës, ku secila pale ngul këmbë në qëndrimet e saj, është pritur me interes që të dëgjohet zëri ndërkombëtar si arbitri që vendos “pikat mbi i” i sherrnajave politike në Ballkan.
Kështu, qeveria Federale gjermane, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe së fundi Bashkimi Europian, janë deklaruar mbështesin fuqimisht krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal. Por a mbështesin ata iniciativen e “Mini-Schengen” alias “Open Ballkan”?
Deklaratat
Në një përgjigje ekskluzive për GazetënExpress nga Qeveria Federale e Kancelares Angela Merkel kanë thënë se çfarëdo bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është fitimprurës. Nga Gjermania gjithashtu theksojnë se bashkëpunimi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Çfarëdo bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është i dobishëm. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që bashkëpunimi të mbetet gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashtë vendet në rajon. Kjo është arsyeja pse ne e mbështesim fuqishëm Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal”, ka thënë për Gazetën Express një zëdhënës i qeverisë gjermane.
Nga Berlini zyrtar kanë rikujtuar se të gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor i kanë dhënë zotimet e tyre në Samitin e fundit të Procesit të Berlinit, të mbajtur më 5 korrik për çështjen e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, derisa e përmendin edhe kërkesën e Kancelares Merkel që të dyfishohen përpjekjet për finalizimin e katër marrëveshjeve deri më 6 tetor, kur edhe do të mbahet Samiti i radhës Bashkim Evropian – Ballkan Perëndimor.
Reagim i DASH
Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se i mbështesin përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për ta forcuar integrimin ekonomik dhe i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i qaset me “mendje të hapur” përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik.
Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht vijimin e përpjekjeve në Ballkanin Perëndimor për të thelluar dhe forcuar integrimin gjithëpërfshirës rajonal, në bazë të rregullave dhe standardeve të BE-së, shprehet në një deklaratë për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.
I pyetur nga Shërbimi Shqip i Zërit të Amerikës lidhur me qëndrimin e Shteteve të Bashkuaraa ndaj nismës Ballkani i Hapur, të përqafuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por jo nga vende të tjera në rajon, zëdhënësi thekson përmes deklaratës se SHBA u bëjnë thirrje udhëheqësve në raajon “të përpiqen për të gjetur mundësi për reduktimin e pengesave tregtare, rritjen e konkurrencës ekonomike dhe ndërtimin e ekonomive të integruara, dinamike në shërbim të qytetarëve të tyre”.
Deklarata e cilëson me rëndësi “esenciale për tërheqjen e investimeve dhe rritjen ekonomike” krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal – i tillë që garanton lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.
“Ballkani Perëndimor është një rajon me potencial shumë të madh të pashfrytëzuar, që shfaqet edhe tek vizioni dhe përpjekjet e popujve të tij për të krijuar një rajon të begatë e të suksesshëm, të integruar plotësisht në Bashkimin Evropian” thuhet në deklaratën që bëri për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Reagim i BE-së
Bashkimi Evropian i mirëpret angazhimet e liderëve për bashkëpunim rajonal. Kështu është shprehur zëdhënsja e Unionit për Fqinjësi dhe Zgjerim, Ana Pisonero lidhur me idenë e “Open Ballkan”.
“Ne i mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal, një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim-Asociimit. Ne e kuptojmë dëshirën për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, një proces që e përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, një angazhim politik i marrë nga gjashtë udhëheqësit e rajonit në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënëses së BE-së, Ana Pisonero.
Po ashtu, Pisonero është shprehur se BE është duke krijuar mundësi investimi në rajon përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe se tashmë i takon rajonit që t’i shfrytëzojë këto mundësi në mënyrën e duhur.
“Ne po sjellim mundësi të rëndësishme investimi në rajon nëpërmjet Planit Ekonomik dhe atij të Investimeve. Tani i takon rajonit t’i përdorë ato mirë duke e shfrytëzuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke ngritur një treg të përbashkët rajonal bazuar në rregullat e BE-së.”
Pas këtyre deklarateve i menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministrit Rama i cili kritikohet në politiken shqiptare për këtë iniciative.
“Ndryshe nga çfarë thuhet në Prishtinë e Tiranë, Berlini mbështet nismën për bashkëpunim rajonal dhe shton se përveç kësaj, Gjermania kërkon edhe finalizimin urgjent të marrëveshjeve në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal, para Samitit të radhës në mes të BE’së dhe Ballkanit Perëndimor që do të mbahet më 6 tetor”, shkruan Rama në twiter
Nëpërmjet këtyre deklarateve nga Europa në SHBA, Z.Rama i jep të drejtë vetes se ka mbështetjen ndërkombëtare për “Open Ballkan”, ndonëse në asnjë rrjesht në deklaratat e mësiperme nuk citohet “Mini-schengen’ apo “Open Ballkan”, por vetem “Treg i Përbashkët Rajonal”. E cila është në tryezen e 6 shtetëve të Ballkanit Perëndimor si pjesë e “Procesit të Berlinit”, iniciative e Kancelares Merkel. Nese “Open Ballkan” është vetë Tregu i Përbashkët Rajonal i miratuar në Berlin, atëhere pse kjo nisme u rivijëzua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë? Pse hezitojnë të marrin pjese 3 shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor? Pse BE nuk është udhëheqesja e kësaj nisme?
E duke ditur se “djalli fshihet në detaje”, ndërkombëtaret duhet të jenë të qartë me Ballkanin Perendimor, KUSH mbështet KË: A është nisma në Berlin dhe nisma në Novi Sad i njëjti projekt i BE-së për Ballkanin Perëndimor?
© Argumentum.