Ministria e Brendshme njoftoi sot se, operacioni policor në kampin e Muxhahedinëve në Manëz, vjen në zbatim të urdhrit të SPAK dhe vendimit të GJKKO dhe është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014, kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare.
Policia e Shtetit theksoi se, ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qenë konform ligjit dhe në zbatim korrekt të procedurave që kërkojnë operacione të tilla.
“Operacioni i sotëm i Policisë së Shtetit në vendqëndrimin e MEK në Manëz të Durrësit është në zbatim të plotë të urdhrit të SPAK dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, bëri të ditur Ministria e Brendshme.
“Vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qenë konform ligjit dhe në zbatim korrekt të procedurave që kërkojnë operacione të tilla. Veprimet e Policisë së Shtetit për zbatimin e ligjit janë kryer si në çdo pjesë tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë”, vijon njoftimi i Ministrisë së Brendshme.
“Fatkeqësisht brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, çka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit. Bazuar në të dhënat e Policisë së Shtetit, gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar. Për çdo pretendim për humbje jete në spitalin e vendqëndrimit të tyre po bëhen të gjitha verifikimet procedurale”, sqaron Ministria e Brendshme në njoftimin e saj.
Prej mëngjesit të së martës, Policia e Shtetit po zhvillon një operacion policor në kampin e Muxhahedinëve në Manëz, në bazë të një vendimit të marrë nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pas një hetimi në SPAK.