Kreu i grupimit të “Rithemelimit” në Partinë Demokratike, Sali Berisha, mblodhi sot grupin parlamentar që mbështet këtë nisëm.
Berisha, ligjëratën e tij e fokusoi në dy momente. Fillimisht tek operacioni në kampin e muxhahedinëve dhe më pas tek nisma për minimumin jetik.
Duke komentuar operacionin policor në kampion e Muxhahedinëve në MEK, Berisha tha se duhet një hetim ndërkombëtarë nga OKB mbi zhvillimet e operacionit policor, por edhe veprimtarisë së anëtarëve të komunitetit.
“Një hetim ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë një hetim nga OKB që i ka në mbikëqyrje. Gjithashtu, autorët e dhunës duhet të dalin përpara gjyqit. Si u vra ai që vdiq? Ata që kanë thyer kocka të refugjatëve, duhet të përballen me ligjin. Se thanë spraj, por spraji nuk thyen kocka. Është e domosdoshme një hetim që të nxjerrë abuzuesit me të drejtat e njeriut”,-theksoi Berisha.
Sipas tij, “në njoftimin e DASH ka një element të rëndësishëm që vetë këta shkelin të drejtat e njeriut. Kjo është absolutisht e rëndë. Edhe kjo duhet të jetë pjesë e hetimit të OKB-së. Nuk mund të përdoret kampi i strehimit për të dhunuar të drejtat e njerëzve të komunitetit. Se ai nuk është kamp ushtarak, është kamp refugjatësh. Ai duhet të jetë një kamp që respekton liritë dhe të drejtat e banorëve të kampit”, -vijoi Berisha.
Në pjesën e dytë të fjalës së tij, ai u bëri thirrje deputetëve që e mbështesin të vijojnë betejën për ligjin e propozuar nga grupimi i “Rithemelimit” për minimumin jetik.
“Problem kryesor ne kemi minimumin jetik. Kanë qenë 120 mijë familje në vitin 2013 dhe studimi tregonte se duhej të ishin edhe 180 mijë, pra duheshin të shtoheshin 60 mijë të tjera. Këta i kanë përgjysmuar dhe arrin puna që sot bashkitë paguajnë më shumë për një qen, paguajnë 60 mijë lekë për një qen dhe paguajnë 40 mijë lekë për një njeri. Ne duhet ta mbrojmë me forcë çështjen e minimumit jetik. Një çështje që jep impakt të menjëhershëm. Nuk duhet të ketë shqiptar që të mos ketë 200 euro në muaj.Kjo është një goditje e fortë e mjerimit, por edhe e varfërisë. Përfitojnë 1.3 milionë deri në 1.5 milionë shqiptarë. Ne do e mbrojmë këtë, e kemi premtuar gjatë fushatës elektorale”, -tha Berisha.
Ndërsa në fund, Berisha paralajmëroi edhe protesta, teksa kujtoi dhe rastin e Kukësit, duke shtuar se ngjarje të tilla duhet të aktivizoi nervin e protestës shqiptare./ata