Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pas publikimit të opinionit final të Komisionit të Venecias.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerëson se Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias konfirmoi të gjitha qëndrimet e Presidentit të Republikës.
Si asnjëherë tjetër, Opinioni përfundimtar pësoi ndryshime thelbësore nga projekti paraprak.
Ndër konkluzionet kryesore u evidentua se:
- Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese.
- Presidenti i Republikës pati qëllim legjitim, që synonte shmangien e gjakderdhjes, mbrojtjen e pluralizmit politik, ruajtjen e stablitetit dhe të kredencialeve demokratike të vendit.
- Kompetencat kushtetuese të Presidentit nuk janë formale.
- Dekretet e Presidentit janë në fuqi dhe nuk u sfiduan përpara asnjë gjykate.
- Zgjedhjet parlamentare kanë status më të lartë kushtetues se zgjedhjet vendore.
Presidenti i Republikës shpreh keqardhjen që gjatë katër muajve u shpërdoruan energji që do të duhet të ishin në shërbim të integrimit europian të Shqipërisë dhe vendimit të shumëpritur për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE”, deklaron Presidenti Meta.