Kuvendi miratoi ne mesnaten 20-21 Tetor 2022 projektligjin për ndryshimet në ligjin “Për të Drejtën e Informimit për dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar.
Kuvendi miratoi me 94 vota pro dhe 1 abstenim projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar.
Nisma u ndërmor nga grupi parlamentar socialist në vijim të shkresës së Autoritetit për Informim mbi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit drejtuar Kuvendit, lidhur me shqetësimet mbi pastërtinë e figurës së personave të zgjedhur apo të emëruar në detyra shtetërore dhe publike.
Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh se nisma për lustracionin është i nevojshëm dhe se nuk mund të lejohet që ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit jenë ende në majën e piramidës së pushtetit. Z. Balla gjatë fjalës së tij parashtroi një amendament, i cili iu bashkangjit atij të propozuar përpara seance nga kryetari i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, për hapjen e plotë të dosjeve.
“Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre, në përputhje me ligjin ‘Për të drejtën e informimit’, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve. Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i nevojshëm për gjetjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjestim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni. Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorimin e informacionit të marrë ”,u shpreh Balla gjatë parashtrimit të amendamentit.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në fjalën e tij u shpreh se hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit është një hap që duhej të ishte ndërmarrë shumë vite më parë dhe se kjo do të shënojë jo vetëm ndarjen me diktaturën, por edhe me tranzicionin.
“Nuk bëhet vetëm hapja e dosjeve për të parë kush kanë qenë bashkëpunëtorët e sigurimit, por për të parë kush kanë qenë punëtorët, prokurorët, gjyqtarët, ekspertët dhe gardianë burgjesh që vdekjen e njerëzve të pafajshëm e kanë pasur në bukën e tyre të përditshme. Do të duhet të gjejmë kurajën për të gjetur kush nuk është i kapur dhe kush nuk ka skelete në dollap. Në 2022 vendi i cili kërkon integrimin në Evropë do duhet ta kishte bërë të parën. Është fillimi i një procesi purifikues të kësaj shoqërie. Ne do duhet ta shohim cullak si ka qenë e shkuara e afërt e këtij vendi për të kuptuar se cilat ishin shkaqet e kësaj ngjarjeje që jemi sot. Çdo gjë që ka ndodhur në 50 vite diktaturë dhe 30 vite tranzicion. Litarë në këmbët e kësaj shoqërie dhe nuk e lë të shkojë përpara. Asnjë lloj triumfalizmi nuk ka. Besoj se historia do të jetë ajo që do të na vlerësojë nesër. Na falni shqiptarë, ju që keni vuajtur, ju që nuk gjeni eshtrat, ju që keni hequr të zitë e ullirit nga punëtorë dhe bashkëpunëtorë të sigurimit që kaq vonë u kujtuan për ju”, u shpreh Alibeaj.
Kuvendi miratoi me 74 vota pro, 1 abstenim 21 kundër projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin shtesë për projektin e zhvillimit të integruar urban dhe turizmin”.
Kuvendi miratoi me 98 vota pro projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin e dytë shtesë të Konventës për Krimin Kibernetik mbi Bashkëpunimin e Zgjeruar dhe Zbulimin e Provave Elektronike”.