Dr. Jorgji KOTE
Në veprimtaritë përkujtimore të 32 vjetorit të Dhjetorit, muajit të pluralizmit politik, liderët e opozitës vazhduan me forcë thirjet dhe premtimet për çlirimin, sipas tyre, nga kthetrat e partiokracisë në vendin tonë. Ndonëse ky ka qenë refren i vazhdueshëm politik në këto 10 vite, ai ka rezultuar kryesisht retorikë boshe.
Që të mos përsëritet kjo histori e trishtë, në radhë të parë kërkohet vlerësimi real i dinamikave të trinomit madhor tematik -gjendja dhe mundësitë e opozitës, fuqia e mazhorancës dhe roli përcaktues i faktorit ndërkombëtar midis periudhës Dhjetor 1990 – 2022.
Kjo analizë krahasuese Realpolitike ndihmon për të kuptuar se rrëzimi demokratik i këtij rregjimi është mision mamuthian, shumë më i vështirë se më parë.
Ca më tepër se të vetmit komponentë të mbetur nga katalogu i larmishëm tematik opozitar 1990 është retorika politike, denoncimet e shpeshta dhe protestat e rralla, takime të ngushta dhe konferenca shtypit, si reflektim i pakënaqësisë masive. Mirëpo, do kuptuar drejt se vetëm me to, apo dhe me alternativat/ kandidatët më të mirë, do të jetë jashtëzakoniht e vështirë që opozita të vijë në pushtet.
Më konkretisht, gjendja politike dhe social – ekonomike në Dhjetor 1990 ishte krejt e ndryshme nga e sotmja, me papunësi dramatike, varfëri ekstreme, mungesa të artikujve ushqimore bazë, etj; sado i egër, sistemi ishte në rënie, megjithë përpëlitjet e tij për « demostrim force » ; kishte rënë Muri i Berlinit, Çaushesku…Atëhere në kushtet e pronës shtetërore absolute, njerëzit në fabrika, uzina, miniera, i mblidhje në mitingje, protesta dhe greva shkatërruese urie « me një të fryrë të bilbilit»! Kudo mbizotëronte fryma e rrëzimit të rregjimit me çdo kusht.
Ndërsa sot nuk është ende kjo frymë; megjithë krizën dhe prapambetjen ekonomike, veç të tjerash, kushdo ka njerëz jashtë që i ndihmojnë familjet ta mbajnë frymën gjallë; atëhere ishim në diktaturë, sot në demokraci, ndonëse më tepër fasadë; sot kemi një polici shumë më të madhe në numër, të armatosur dhe të pajisur me gjithçka për të shtypur protesta masive dhe një shtet të polizuar, që përdor “të drejtën e forcës“ në vend të “forcës të së drejtës“.
Pavarësisht nga valët e refugjatëve, sërish në Dhjetor 90 kishte një popullsi shumë më homogjene dhe më të re në moshë, me shpresa dhe pritshmëri të mëdha. Ndërsa sot, për fatin e keq të opozitës, azili i paligjshëm është kthyer në shpopullim masiv dramatik me shifra që të ngjethin mishin. Tanimë 60 për qind e popullsisë jeton jashtë. Vetëkuptohet që shumica dërmuese e tyre janë të opozitës, pengesë e madhe kjo për protesta masive e të pandërprera që mund ta gjunjëzonin qeverinë. Nga ana tjetër, atëhere gjithë disapora ishte në mbështetje të opozitës, ndërsa sot jo, sepse në këto 32 vjet dihet se ka patur disa valë emigrimi « të djathta, por dhe të majta »
Atëhere bënte shumë jehonë publike kur në protesta dhe në media shfaqeshin portretet dhe mesazhet e Kadaresë, Agollit, Qoses dhe liderëve euopianë, apo dhe me shkrimet e akademikëve dhe aktivistëve të shquar shoqërorë; ndërsa sot, ndonëse shkruajnë plot profesorë, ekspertë dhe akademikë të shquar, fjalëve të tyre vështirë se ua ve veshin njeri atje lart, sepse është qeveria dhe NJESHI që vendos për gjithçka.
Faktor tejet negativ për opozitën për të ardhmen e afërt është deformimi, cënimi dhe dhunimi i votës, e cila është shumë larg zgjedhjeve të Marsit 1991/1992. Më vonë votat te ne nuk kanë qenë as të lira dhe as të ndershme. Dhe vetë ODIHR i cilësoi zgjedhjet e 25 Prillit 2021 thjesht “të mirë organizuara“; mirëpo SHBA dhe BE nxituan t’i njihnin ato pa pritur ODIHR, siç veprohej më parë! Harruan ndoshta se për ironi të fatit, të “të mirë organizuara ato ishin dhe në periudhën e monizmit! Bashkë me ligjet dhe procedurat përkatëse dukshëm në disfavor të saj, kjo është një pengesë serioze për opozitën, që të mos shkojë më në zgjedhje “si capi te kasapi“
Atëhere opozita erdhi shumë shpejt në qeverisje, në Qershor 1991, pasi kishte fituar bindshëm në qytetet më të mëdha dhe në dhjetor e prishi koalicionin, duke provokuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe fitores së saj plebishitare më 22 Mars 1992. Ndërsa sot as që bëhet fjalë për një gjë të tillë, përjashto gafën trashanike më 2017 me krijimin e qeverisë teknike që nuk zgjati as 60 ditë, ku opozita nuk kishte as « çelësat e kashtës» Ca më keq akoma, në pushtetin vendor opozita ka vetëm Bashkinë e Shkodrës dhe asgjë tjetër. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në këto 30 vite ; gjithmonë, si opozita dhe mazhoranca kanë patur gati gjysmën e pushtetit vendor. Mirëpo ky është një MINUS dhe disavantazh i madh i opozitës për 14 Majin dhe më tej.
Në atë kohë administrata publike ishte shumë e vogël dhe u depolitizua. Sot ndodh e kundërta, administrata publike është dyfishuar në numër në 10 vitet e Rilindjes, kudo janë shtuar agjencitë me plot partiakë dhe sidomos patronazhistë, krenaria e mazhorancës që më parë nuk njihej as si term. Ndërsa sot përbën një detashment të madh të superpolitizuar, shumë më të rrezikshëm për opozitën se “enveristët“ e djeshëm.
Në pikpamje mediatike, në atë kohë kishte vetëm një televizion publik, i cili u detyruar të pasqyronte dhe veprimtaritë e shumta të opozitës, kishte shtypin e vet të shkruar që në atë kohë “ bënte namin”; ndërsa sot, praktikisht media kontrollohet më së shumti nga qeveria me trysni në rritje.
Tepër e rëndësishme, 30 vite më parë nuk kishte krim dhe korrupsion apo dhe para si sot kur ato po bëjnë kërdinë. Atëhere nuk guxoi njeri t’i dilte përpara e të kërcënonte liderët e opozitës, ndërsa sot ai u godit në mes të ditës me diell në bulevard, pak metra larg vendit ku zhvillohej Samiti i parë i BE-së në Tiranë!
Atëhere, të gjitha shpresat ishin varur te opozita, kundrejt zhgënjimit total me regjimin 45 vjeçar; kjo e fundit ishte unike, e bashkuar dhe solide; madje dhe partia social-demokrate, ndonëse e majtë ishte rreshtuar krahas saj, me partinë Republikane dhe të tjerë ; pa harruar Sindikatat e pavarura që atëhere « bënin gjëmën » duke kijuar një front të bashkuar.
Po ashtu, lideri i saj Sali Berisha dhe bashkëpuntorët e tij ishin të rinj, të njohur, mbi të gjitha të paprovuar dhe me shumë pritshmëri për qeverisjen e tyre ; ndaj kishin shumë besueshmëri politike dhe popullaritet publik, brenda dhe jashtë vendit. Ndërsa sot opozita është më e përçarë se asnjëherë; vetë PD-ja brenda saj në pritje dhe të një procesi gjyqësor; ndërkohë që aleatët e saj nuk sigurojnë dot vetë qoftë dhe një vend në Kuvend! Veç kësaj, opozita vazhdon të paguajë faturat e dy qeverisjeve të saj të mëparshme. Madje, ajo i trashi zullumet në vitet e fundit me djegjen e mandateve parlamentare, diçka e paparë dhe në vendet diktatoriale ! Vijoi pastaj me bojkotin absurd të zgjedhjeve vendore, duke krijuar një « monizëm » të ri, veç kjo jo për faj të sistemit, as të mazhorancës, por për idiotizmin dhe aventurizmin e lidershipit të PD-së.
Ndërkohë, për hir të së vërtetës, lideri i saj historik dhe të tjerë janë konsumuar goxha, mbasi kanë qenë dy herë në qeverisje, ku krahas arritjeve historike, patën dhe shumë gjynahe dhe kusure; kësisoj, imazhi dhe besueshmëria e tyre është reduktuar ndjeshëm, madje dhe brenda PD-së, le pastaj jashtë tyre. Ndërkohë, shohim shumë pak të rinj e të reja premtuese politike, ose « si nata me ditën » me 1990 dhe me vitin 2005 kur lindi « KOP-i » i famshëm!
Këtë lidership aq të nevojshëm e goditi dhe më rëndë shpallja “ non – grata e liderit të saj historik nga SHBA-të dhe Britania e Madhe. Ndonëse, kjo « non – grata » jo vetëm që nuk ishte bindëse, me transparencë dhe prova ligjore, por ajo është kthyer në një « karta bianka » duke i dhënë liri të shfrenuar veprimi qeverisë, e cila siç i thonë fjalës, « gjen shesh dhe bën përshesh »! Problemi i madh është se nuk dihet nëse kjo “non – grata“ a do të hiqet ndonjëherë dhe nëse po, kjo do të dojë kohë të gjatë; për faktin se mekanizmat përkatës në SHBA, duke filluar nga Ambasada në Tiranë dhe te Departamenti i Shtetit lëvizin me shumë ngadalësi dhe ca më tepër ato nuk mund të pranojnë se kanë gabuar. Ky është problem me aparatin zyrtar në SHBA; ja shihni në Afganistan, ku u deshën 20 vite luftë, mijra të vrarë, miliarda dollarë dëme dhe ndryshimi i 4 presidentëve që të pranohej disfata, natyrisht me gjysëm zëri dhe të tërhiqeshin trupat ë një kaos të paparë, duke i rikthyer sërish talibanët në pushtet. Vetëm se humbësja më e madhe në të gjitha këto raste është opozita, drejtësia dhe demokracia.
Më tej, në vitet 90 e tutje, opozita kishte mbështetjen pa rezerva të homologëve të saj europiane, madje dhe të majtës dhe të qeverive perendimore, OJQ-ve, medias, të gjithkujt. Në Mars 1991, Departamenti Amerikan i Shtetit ftoi dhe liderët e opozitës së atëhershme në ceremoninë e nënshkrimit të dokumentit mbi rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve nga dy ministrat e jashtëm, ndërsa sot ndaj pjesës së saj kryesore ka « embargo » pothuajse të plotë!
Për fat të keq sot, opozita nuk e ka më « luksin » e madh të mbështetjes ndërkombëtare, e cila është në minimumet e veta historike edhe te “ simotrat e saj” europiane. Ndërkohë që mazhorancës i janë hapur portat me « 7 kanate »!
Në vitet 90 po bëheshin kërkesat për antarësim në OSBE, NATO, KiE, që e kishin vendosur mazhorancën qeverisëse përpara sprovave të rënda; ndërsa sot nuk është më ky problem, jemi, por kemi kryesuar KiE-në, OSBE-në, jemi antar i Përkohshëm i KS të OKB-së, në 6 Dhjetor në Tiranë mikpritëm Samitin e parë në rajon BE – Ballkani Perendimor, me një shtim të ndjeshëm të rolit dhe ndikimit tonë gjeopolitik. Në të gjitha këto aksione, padyshim aktori kryesor është qeveria dhe mazhoranca, ndërsa opozita është sërish në periferi të tyre.
Shumë rëndësi atëhere për faktorin ndërkombëtar kishte DEMOKRACIA, ndërsa sot, ndonëse flitet shumë, në rend të ditës ka dalë STABILOKRACIA dhe interesat gjeopolitike, të cilat i kanë nxjerrë “prapa liste” të drejtat e njeriut, vlerat dhe parimet. Kjo natyrisht “ shpie ujë në mullirin e mazhorancës” dhe jo të opozitës. Strehimi i afganëve, muxhahedinëve, ofrimi i ndonjë baze ushtarake, lufta në Ukrainën, etj shkojnë në favor të qeverisë, ca me tepër nisur nga problemet dhe dyshimet e mëdha ndaj opozitës dhe lidershipit të saj.
Tepër e rëndësishme, atëhere nuk kishte lobim ndërkombëtar, ndërsa sot ky i fundit është gjithandej dhe këtu sërish mazhoranca qeverisëse ka shumë avantazhe të njohura dhe me emra. Rasti më i fundit me ish zv.Presidenten e Europarlamentit tregoi qartë se premtimet dhe zotimet janë fjalë në erë dhe se paraja po tregon një forcë ta jashtëzakonshme dhe te të të huajt në Tiranë, pavarësisht se kë përfaqësojnë. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që përfaqësitë e huaja në Tiranë, ndryshe nga disa vite më parë, bëjnë « shurdhin, të verbërin dhe memecin » dhe kur plasin aferat/skandale të bujshme që përfundojnë në dyert e gjykatave!
I përmendëm këto fakte për të treguar vështirësitë e shumta me të cilat ndeshet opozita në rrugën e saj drejt pushtetit. Megjithatë, nuk ka vend për pesimizëm, përkundrazi, është momenti për punë e përpjekje të shumta dhe të organizuara, “me mend në kokë dhe me këmbë në tokë“ e jo vetëm me « urra »! Në këto momente vlejnë dhe më shumë fjalët monumenale të Viktor Hygo se “ nuk ka ushtri që t’i rezistojë një ideje, të cilës i ka ardhur koha”! Problemi është se kur do të vijë kjo kohë dhe çduhet të bëjë opozita e bashkuar që ajo të vijë sa nuk është më vonë!
© 2022 Argumentum