Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj mblodhi sot në një takim prefektët duke u dhënë porositë për konstituimin e organeve të reja të pushtetit vendor pas zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit.
Në kushtet kur opozita ka deklaruar se përfaqësuesit që janë zgjedhur nga radhët e tyre nuk do të lirojnë zyrat, pasi nuk e njohin 30 Qershorin, Lleshaj tha se do të zbatohet ligji.
“Urojmë askush të mos çmendet dhe të mos kemi situata të tilla. Mandati i të zgjedhurve vendorë është i përcaktuar qartë, 4 vjecar. Më 30 qershor ka ndodhur zgjedhje në Shqipëri, të certifikuara nga autoritetet përkatëse. Uroj të mos kemi situata të kësaj natyre, ku njerëz të caktuar të mos dalin nga binarët shtetërore.” –u shpreh Lleshaj.
Lleshaj kërkoi nga prefektët që të kujdesen për procesin e lënies së detyrës nga kryebashkiakët aktualë, dhe marrjen në dorëzim nga drejtuesit e rinj vendorë.
“Duhet të realizohet kjo gjë. Akte dorëzimi dhe marrje e detyrës nga të gjitha bashkitë. Nuk mund të presim perfeksion në këtë punë, por qëllimi do të jetë ky. Nëse do të ketë nga ata që s’e kuptojnë është tjetër gjë. Por nga prefektët duhet të ushtrohet mundësia e një tranzicioni të dorëzimit të detyrës.” –theksoi Lleshaj.