Presidenti Bajram Begaj është shprehur se nuk ka biseduar me kryeministrin Edi Rama lidhur me çështjen e McGonigal, ish-agjentit të FBI-së.
Ai tha se lidhur me këtë ngjarje është njohur nga media si dhe nëpërmjet informimit nga burimet të hapura.
“Pres që të bëjnë analizat dhe deduksionet e tyre institucionet kompetente dhe më pas të dal me opinionin tim personal”, tha Presidenti për emisionin “PA Censurë”.
Ndërkohë, sa i përket kërkesës së opozitës në SPAK për të hetuar këtë çështje dhe përfshirjen e kryeministrit Rama, Begaj tha shumë mirë që i janë drejtuar institucioneve dhe se duhet të kemi besim në to.
“Shumë mirë që opozita i është drejtuar institucioneve ligjzbatuese në vend për t’u marrë me procesin. Dhe kështu duhet të jetë. Duhet të kemi besim tek institucionet”, shtoi ai.
PJESË NGA INTERVISTA
Opozita ka paralajmëruar protestë që e lidh me aferën e ish zyrtarit të FBI-së dhe dyshimet se ai u korruptua nga qeveria e Shqipërisë. Si e keni përcjellë këtë lajm? I keni kërkuar kryeministrit ndonjë sqarim apo prokurorisë të hetojë?
Ju thashë dhe pak më parë. Jam një lexues dhe vëzhgues i rregullt i raporteve, si i atyre në vend, ashtu edhe i raporteve ndërkombëtare. Po kështu, jam informuar rreth çështjes që ju sapo përmendët, përmes medias dhe nëpërmjet informimit nga burime të hapura. Duke qenë një lexues i vëmendshëm, pres që të bëjnë analizat dhe deduksionet e tyre institucionet kompetente dhe më pas të dal me opinionin tim personal.
Për cilat institucione kompetente e keni fjalën?
Kjo është një çështje nën hetim dhe, sa kohë është një çështje nën hetim, ne duhet të presim derisa ajo të mbarojë.
Nën hetim është në SHBA.
Po, atje ka filluar.
Ka edhe një kërkesë nga opozita. A duhet të hetohet këtu?
Shumë mirë që opozita i është drejtuar institucioneve ligjzbatuese në vend për t’u marrë me procesin. Dhe kështu duhet të jetë. Duhet të kemi besim tek institucionet.