Partia Demokratike dhe aleatët e saj zhvilluan sot protestën e radhës para kryeministrisë.
E parashikuar të niste në orën 17:00′, ish-Kryeministri Sali Berisha ka nisur marshimin e tij nga selia blu drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në orën 17:30 minuta, duke mbërritur tek sheshi përballë Kryeministrisë, në zonën ku është ngritur dhe podiumi ku drejtuesit e protestës do të mbajnë fjalën e tyre në orën 17:40′. Ndërkohë, që protesta ishte paralajmëruar që të zgjasë deri në orën 20:00, por u mbyll në 18:45, sapo ka mbaruar fjalën kreu i PD, Sali Berisha.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, në një dalje televizive pak para nisjes së protestës, u shpreh se është qytetari ai që vendos mbi fatin e tubimit.
“Ne jemi në krah të qytetarëve. Sot do të jetë një nga protestat më të fuqishme të PD, sot do të jetë edhe një mënyrë për të treguar se qytetarët nuk do të dorëzohen, do të rezistojnë, dhe më 11 Maj do të bëjnë ndryshimin që çdo qytetar shqiptare do sot. PD ka thirrur ketë protestë dhe do të jetë një protestë e opozitës së bashkuar, por qytetarët janë ata që vendosin, qytetarët janë ata që kanë irritimin më madh ndaj vjedhjeve që u bëhet”, tha Zhupa.
“Qytetarët sot duhet të protestojnë që të kuptohet që gjithçka bëhet në kurriz të tyre nuk mbetet pa u ndëshkuar. Duhet të protestohet dhe do të protestojnë për të treguar se nuk tremben më”, nënvizoi Zhupa.
“Dhe sigurisht ne jemi aty për t’i mbështetur, ne jemi aty për të folur me ta, jemi aty për të dëgjuar mesazhet e tyre, por skenarin final e vendos qytetari”, përfundoi Zhupa.
Protesta nisi me fjalimin e partive aleate të Partisë Demokratike.
Fjalën e mori kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu i cili tha se “ne jemi ata që hapëm rrugën e ndryshimit, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, ata që e futëm vendin në NATO”, ndërsa theksoi se “drejtësia po përdoret si armë politike nga mazhoranca për kundërshtarët”.
“Shqiptarët kudo që janë kanë sot më shumë se kurrë shansin për të punuar dhe ndryshuar Shqipërinë! Nuk mund të pranojnë që qeveria të jetë Zot i familjeve të tyre. Mbani vështrimin përpara si qytetarë evropianë e amerikanë e kudo që jeni, luftoni t’i ktheni Shqipërisë të ardhmen europiane”, tha Mediu.
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka tha se “kjo mazhorancë ka humbur seriozitetin për të qeverisur dhe sillet si pronare e vendit”.
Nga aleatët, i fundit që mori fjalën ishte Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ai përmes një audio-mesazhi nga burgu tha se “11 maji është dita e skadencës së narko-drejtësisë.”
“11 Maji do të jetë dita e përmbysjes së këtij modeli të Narkoekonomisë në shërbim të një pakice mizore dhe të pastrimit të parave të tyre dhe ndërtimit të një modeli ekonomik që mbështetet në prodhimin vendas dhe zhvillimin e bujqësisë, të industrive, inovacionit dhe nxitjen e eksporteve që rrit produktivitetin dhe garanton paga dinjitoze për të rinjtë tanë”, tha Meta.
“Gjej rastin t’i ftoj të gjithë vëllezërit tanë emigrantë kudo ndodhen, që të nxitojnë që të regjistrohen, që të mos humbasin këtë mundësi historike për të kontribuar për rivendosjen e vendit të tyre në shinat e Kushtetutës, për rikthimin e lirisë, të demokracisë dhe të llogaridhënies dhe në këtë mënyrë i hapet rruga dhe riintegrimit të tyre në Atdheun e tyre”, u shpreh Meta.
“Edhe njëherë suksese protestës tuaj dhe mirënjohje për patriotizmit tuaj dhe për gjithçka që ju bëni për triumfin e demokracisë në vendin tonë!”, përfundoi kreu i Partisë së Lirisë.
Kjo ishte protesta e parë e opozitës për vitin 2025, e cila vjen në vazhdën e një sërë tubimesh të zhvilluara gjatë vitit 2024 në kuadër të mosbindjes civile të opozitës./ATA