U zhvillua sot në Tiranë protesta e tretë kombëtare e opozitës së bashkuar dhe e nënta e zhvilluar gjatë këtij viti, me sloganin “Rama Ik”, duke kërkuar sërish largimin e kryeministrit të vendit.
***
Protestues të shumtë filluan marshimin drejt Kryeministrisë. Kësaj here shumica e protestuesve mbanin në duar flamuj të Partisë Demokratike. Ndryshe nga protestat e tjera, përpara kryeministrisë është ngritur edhe një podium, ku foli kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Sapo iu bashkua protestës, kryedemokrati Lulzim Basha u ngjit në podiumin para kryeministrisë nga bëri paralajmërimin e parë për qeverinë. Ai tha se sot më shumë se kurrë janë bashkuar shqiptarët që kërkojnë largimin e tij.
“Lumi i sloganit e ka rrethuar ishullin e padrejtësisë si kurrë më parë. Ja ku jemi më shumë se kurrë më parë. Më të bashkuar se kurrë më parë. Më të vendosur se kurrë më parë, më të fortë se kurrë më parë kundër padrejtësisë, krimit dhe korrupsionit.
Bashkë me këtë vërshim të paparë e padëgjuar për Tiranën, me këtë bashkim zemrash, mendjesh e vullnetesh të burrave dhe grave të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë po bie muzgu i zi për bandën kriminale në pushtet.
Po bie muzgu i zi për bandën e korrupsionit më të paparë. Sot nuk na ndal asgjë”, tha Basha.
Sakaq, pas 1 orë e gjysmë tek kryeministria, protestuesit e opozitës marshaun drejt Parlamentit. Aty ata nisën përplasjet me policinë, duke hedhur shashka e kapsollë, ndërsa pati tentativa nën drejtimin e ish-deputetit Klevis Balliu për të çarë rrethimin me hekura para Kuvendit.
Pati sërish protestues me maska në fytyrë, edhe pse policia bëri thirrje të vazhdueshme ndaj organizatorëve që të largojnë simpatizantët që i kanë mbuluar fytyrat, të cilët janë personat që kanë qenë gjithmonë prezentë në aktet e dhunës.
Nga ana e saj, Kryetarja e LSI tha se më e rëndësishme është pjesëmarrja e njerëzve në këtë protestë.
“Kjo protestë nuk është protestë politike. Kjo është protestë e shqiptarëve. Kjo është protestë e grave shqiptare, e vajzave shqiptare.
Është protestë e të gjithë atyre që duan të ndërtojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre në Shqipëri dhe të gjithë atyre të rinjve dhe të rejave që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre”-tha ajo.
Ndërkaq, Policia është detyruar të hedh gazlotëssjellës, pas akteve të dhunës që militantë të PD- LSI nisin të bënin para parlamentit. Protestuesit kanë tentuar të shkojnë pranë Parlamentit duke thyer kordonët e policisë. Por në mungesë të forcave të shtuma policore të cilat ishin mbledhur fillimisht tek kryeministria ku nisi protesta në 18:00, uniformat blu janë detyruar të hedhin për herë të parë në këtë protestë gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën e protestuesve.