“Rama ik”. Këto janë thirrjet që do të dëgjohen mbrëmjen e kësaj të hëne përballë Kryeministrisë kur opozita e bashkuar do të zhvillojë protestën e 10 kombëtare, ndërsa policia, nga ana e saj, duket se ka marrë masat përkatëse.
Burime pranë Policisë së Shtetit thanë për A2 se nuk do të angazhohen më tepër se 1200 efektivë për ruajtjen e Kryeministrisë dhe Parlamentit, përfshirë edhe repartet e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë apo Gardës së Republikës.
Gjithsesi, mësohet se forcat e FNSH do të qëndrojnë larg atyre të rendit apo komisariateve dhe mund të ndërhyjnë vetëm nëse situata përshkallëzohet në hedhjen e kapsollave apo molotovëve.
Organet ligjzbatuese kanë marrë masat rutinore siç është risistemimi i derës së blinduar të Kryeministrisë, ndërsa përgjatë të hënës pritet të vendosen edhe barrierat prej hekuri përqark ambienteve ku do të zhvillohet edhe protesta.