Ekskluzivisht për “ARGUMENTUM”
Nga Gregor NOTI
Lajme jo të mira vazhdojnë të vijnë për Presidentin turk Erdogan. Lëmshi politik rreth tij sa vjen e mblidhet. Pas fitores së bujshme të opozitës në qershor, nq Stambollin që ai drejtoi për 25 vite rresht kur Erdogan, si i thonë fjalës ” mbolli erë por korri furtune” Fryma e Stambollit » po përhapet me shpejtësi.
Opozita turke më në fund e ka kuptuar se Erdogan e ka’ shfrytëzuar mjeshtërisht përçarjen e saj gjatë 16 viteve të tij në pushtet. Dhe nëse vazhdon kështu, ka rrezik që dhe ” fryma e Stambollit” të venitet dhe të shuhet. Sepse vetëm me përçarjet që kanë filluar brenda AKP-së me largimin e ish-kryeministrit Ahmet Davutoglu nuk mund të pengohet Erdogani me autoritarizmin e tij. Përkundrazi, vetëm një opozitë e bashkuar, duke lënë mënjanë dilemat dbe divergjencat ideologjike e programore mund ta bëjë të gjithë Turqinë si Stambolli.
Duke iu referuar shtypit gjerman, javën e kaluar, përfaqësues të gjitha rrymave dhe ngjyrimeve politike të opozitës turke u mblodhën në një tryezë të përbashkët bisedimesh në Berlin. Ky ishte takimi i tyre i parë i këtij formati gjithëpërfshirës, me praninë e social – demokratëve, grupeve kurde, demokratëve myslimanë, radikalëve të majtë dhe nacionalistëve të moderuar. Ishin dhe deputetë nga tre partitë opozitare.
Takimi i opozitës turke nuk u zhvillua rastësisht në Berlin. Dhe jo vetëm se aty dhe në Gjermani është komuniteti më i madh turk me 4 milionë vetë, por dhe në një farë mënyre që Berlini t’i kthente një ” borxh » të vjetër simbolik Stambollit; ku 76 vjet më parë, në vitin 1943, social – demokrati i shquar gjerman Ernst Reuter organizoi një tryezë të kësaj natyre të opozitës gjermane, ku kishte emigruar me shumë të tjerë për t’i shpëtuar persekutimit të Hitlerit. Atje ishte vendosur dhe krijimi i Aleans Federale të Lirisë. Pas luftes së II Botërore, Reuter ishte zgjedhur Kryetari i parë i Bashkisë së Berlinit Perendimor. Në vitin 1948 – 1949, në krye të asaj bashkie historike dhe me mbështetjen e fuqishme të aleatëve perendimorë e në radhë të parë të SHBA-ve, dështoi bllokada humanitare e Stalinit mbi atë qytet, më e madhja në histori.
Në takimin e Berlinit u diskutua mbi rrugët dhe mënyrat e opozitës së bashkuar për ta kthyer Turqinë në shinat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Aty u fol gjerësisht mbi bashkimin e saj për t’i dhënë fund sa më shpejt sundimit autoritar të Erdoganit në zgjedhjet e ardhëshme. Aty u prekën në parim komponentët themelorë të demokracisë së ardhëshme turke, si liria, siguria, ekonomia, arsimi, ushtria, etj. « Fryma e Stambollit » karakterizoi gjithë takimin që natyrisht u mbajt në kushte sigurie. Ndërkohë, ky takim i parë i opozitës së bashkuar turke ka ngjallur panik dhe shqetësim në Turqi, çka është vërejtur dhe në shtypin turk.
Kjo ngjarje e rëndësishme politike merr rëndësi dhe më të madhe për faktin se po mbush një boshllëk të madh politik dhe institucional dhe për Perëndimin. Ky i fundit pritet të ketë së shpejti në Ankara një partner dhe bashkëbisedues alternativ
të besueshëm dhe me ndikim masiv; mungesa e një alternative të tillë, të fuqishme dhe të besueshme ka qenë një ndër shkaqet kryesore të jetëgjatësisë politike të Erdoganit.
Ja pse takimi i Berlinit është një nxitje dhe bonus i madh për peisazhin e ardhshëm politik në Turqi. Nëse humbja e Erdoganit në Stamboll dhe në shumë qytete të tjera të mëdha turke në zgjedhjet lokale të disa muajve më parë shënoi, siç komentohet gjerësisht,fillimin e fundit të pashmangshëm të Erdogan, takimi i opozitës se bashkuar turke në Berlin ishte hapi i duhur në atë drejtim. Gjithsesi, opozitës turke i mbetet ende shumë punë, sfida, pengesa dhe hapa të tjerë të mëdhenj që duhen hedhur përpara./argumentum.al
©Argumentum