REALPOLITIK FLASH NR. 77
16 – 30 SHTATOR 2023
Mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur, Mjeshtër i madh
Dr. JORGJI KOTE
1.”Organizata e Kombeve të Ndara” u tregua OKB-ja në Sesionin e 78 të Asamblesë së Përgjithshme që përfundoi më 27 Shtator. Kjo u pa qartë në të gjitha diskutimet e nivelit të lartë, me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të në njerën anë dhe BRICS, Rusia, Kina dhe Jugu Global në anën tjetër. Siç pritej, as kryesimi i Këshillit të Sigurimit për muajin shtator nga Shqipëria dhe mini-spektakli i Ramës më 20 shtator nuk shtoi ndonjë gjë, veç konsumit të brendshëm politik.
Ca më tepër kur ato ditë në Uashington po i ”hapeshin petët lakrorit” të Mc Gonal. Ndaj dhe Biden, Blinken dhe Escobar ” i bënë embargo” duke mos i dhënë as dorën Ramës, as aty në atë sallë sublime në Nju Jork!
2. Një paradigmë të re për BE-në dhe SHBA-të për dialogun Serbi – Kosovë mbas sulmeve terroriste të bandave serbe më 24 Shtator. Ajo datë shënoi fundin e një epoke të dështuar me dialogun 12 vjeçar dhe me Marrëveshjen e sforcuar të Ohrit; kjo e fundit, nga njohja dhe pranimi i Kosovës në OKB u katandis në tentativë për krijimin e asociacionit me plot pikpyetje.
Në vijim të ideve të mëparshme dhe në këtë rubrikë, me referenca nga media, ekspertë të huaj të mirënjohur dhe përvoja personale, po japim 10 sugjerime bruto mbi konturet e kësaj paradigme të re, e cila i kërkohet BE-së dhe SHBA-ve, që situatat në rajon të mos ” bien nga shiu në breshër”.
Së pari, të hiqet dorë nga diplomacia “qetësuese” ndaj Serbisë, nga qëndrimet ”përkëdhelëse” ndaj saj, duke e trajtuar ” si të nënës dhe Prishtinën si të njerkës”, me iluzionin naiv se “ me hapa qetësues” ajo do të qëndrojë larg Rusisë. Kërkohen politika të qarta me diplomaci shtrënguese. JO si deri tani kur BE-ja dhe SHBA-të kanë punuar pothuajse vetëm për realizimin e synimeve gjeopolitike dhe stabilokraci, duke injoruar shtetin e të drejtës. Për pasojë, përfituesit më të mëdhenj janë liderë autoritarë si Vuçiç me mbi 20 vjet në pushtet dhe të tjerë.
Të ridimensionohet qëndrimi ndaj Kosovës, siç sugjerohet dhe nga 56 deputetët dhe kryetarët e Komisioneve të Jashtme të vendeve të mëdha perendimore, duke i dhënë fund politikës kryesisht “me kërbaç” ndaj Prishtinës. Për më tepër kur atje, ndryshe nga Serbia, demokracia përparon, me zgjedhje dhe freskim të lidershipit politik.
T’i jepet fund dialogut të formatit të sotëm, duke filluar nga largimi i Lajçakut, Eskobarit dhe Hillit, sepse dështimi i dialogut ishte dhe për faj të tyre, pavarësisht nga emri eufemik ” lehtësues” por që u kthyen në ”vështirësues” të dialogut, për të mos përdorur terma më të rëndë. Ndërsa prania e ndërmjetësuesve të shtuar vërtetoi aforizmën tonë të njohur se” shumë mami e nxjerrin fëmijën çyryk”.
Tanimë, në vend të dialogut normalizues midis Kosovës dhe Serbisë kërkohet garantimi i sigurisë dhe paqes; mospërshkallëzimi i konfliktit të armatosur dhe mbi të gjitha masa për krijimin e besimit, ndër elementët më thelbësorë të OSBE-së. Sepse dialogu në një mjedis, terren dhe klimë të helmuar dhe minuar nga Serbia rezultoi zhgënjim i madh tragjik.
Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit duhen rinovuar dhe nënshkruar, duke iu rikthyer modelit franko-gjerman, që ka në qendër të vëmendjes dhe përparësore njohjen e Kosovës nga Serbia dhe 5 vendet e BE-së, anëtarësimin në OKB dhe në organizatat ndërkombëtare. Këto janë dy elementët vendimtarë që garantojnë përparimin e mëtejshëm për çështjet e tjera, duke përfshirë krijimin e asociacionit, veçse jo sipas ” midesë” së Beogradit për një “sprska tjetër”, por sipas modeleve më të mira perendimore.
Të hidhet poshtë pa asnjë hezitim propozimi për thirjen e një konference ndërkombëtare paqeje për Kosovën, pavarësisht nga emri. Ide tejet e rrezikshme, me pasoja të paparashikuara, e cila mund të kthejë gjendjen përpara vitit 1999, kur dihet se janë zhvilluar të gjitha konferencat duke sqaruar gjithçka. Ajo që SHBA-të dhe BE-ja duhet të kërkojnë tani nuk është konferenca por koherenca pikë së pari nga Serbia, si shkaktarja e trazirave dhe konflikteve.
Beogradit t’i kërkohet të përcaktojë përfundimisht pozicionin e tij gjeopolitik, me Perendimin apo me Lindjen dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës.
Në kuadrin e reformave të BE-së, në rast se Serbia nuk do të eci në trasenë europiane, të shkohet deri në ndërprerjen dhe ”rrëzimin e saj nga kategoria” në procesin e anëtarësimit në BE, ashtu sikurse dhe “ me kulaç” në rast të kthesës dhe ecurisë së saj progresive.
Të bëhen konsultime dhe të dëgjohet mendimi i ekspertëve të mirënjohur, të think tankeve dhe instituteve të specializuara lidhur me hartimin e një strategjie të re cilësore tërësore; që mbas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe Europiane 2024, të miratohet dhe të fillojë zbatimi i saj, me njerëz, ndërmjetësues dhe struktura të reja, sepse ” arnimet taktike ”nuk pijnë më ujë”
Deri atëhere, BE-ja, SHBA-të dhe NATO, në bashkëpunim me nismat rajonale dhe Kosovën e Beogradin të forcojnë masat për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon, duke shfrytëzuar sidomos dhe Procesin e Berlinit.
3. ME dhe PER Prishtinën, kjo kërkohet domosdoshmërisht nga qeveria dhe diplomacia jonë dhe Kryeministri Rama, me një besueshmëri tejet të gërryer në Kosovë, në vend që t’u japë mend BE-së dhe Prishtinës, ca më keq me teza të Beogradit; madje më mirë të heshtë ca dhe të telefonojë sa nuk është vonë Kurtin, ta ftojë në Tiranë apo në Kukës ose të shkojë dhe vetë në Prishtinë, për të hedhur themelet e një bashkëpunimi të ri luajal midis dy vendeve. Boll me avokatinë ndaj Beogradit, me teza dhe propozime që nuk i bëjnë mirë Kosovës dhe vendit tonë!
4. As me bust dhe as me burg nuk mund ”të ngrohen” marrëdhëniet ”e ngrira ”me Greqinë, mbas mbajtjes mbi 4 muaj në burgim të Belerit, Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës. Kryeministri Rama është përpjekur me premtimin për një bust kushtuar ish Kryeministrit Mitsotakis, babait të kryeministrit të sotëm në Derviçan për të kompensuar edhe konfimimet gjyqësore të burgimit të Belerit.
Mirëpo, do të ishte më e udhës që dhe sipas dhe neneve përkatës të Konventës Europiane, Beleri të hetohej në gjendje të lirë deri në vendimin përfundimtar gjyqësor dhe të bënte betimin si Kryebashkiak. As burg as bust, ajo çka nevojitet është diplomaci krize, me ec e jake dhe lëshime reciproke. Jo “majë më majë”, sepse sidomos në diplomacy ” uthulla e fortë prish enën e vet” sidomos me një vend fqinj!
© 2023 Argumentum