Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, i dërgoi kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, një kërkesë për rishikim tjetër ligjor mbi ndryshimet në Ligjin për Media Audiovizuale në Shqipëri, Ligjin për Komunikimet Elektronike dhe dispozitat e tjera përkatëse, të cilën qeveria e quan “paketa antishpifje”
Kryeministri Rama këmbëngul ta kthej këtë projektligj në ligj me votim parlamentar në shtator.
“Shpresoj që rekomandimet tona të merren parasysh dhe se modifikimet do të futen gjatë procesit parlamentar për të siguruar pajtueshmëri më të mirë të legjislacionin e ardhshëm me standardet ndërkombëtare mbi lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias “, shkruhet në letrën e përfaqësuesit të OSBE.
Shqyrtimi është përgatitur nga Dr Joan Barata Mir, një ekspert për mediat dhe është një version i zgjeruar dhe i përditësuar i analizës ligjore që Zyra e Përfaqësuesit për Lirinë e Medias pranë OSBE botoi më 11 korrik.(lexo KËTU)
Në letrën e tij drejtuar Edi Ramës, Désir theksoi disa çështje të mbetura që ende duhen ndryshuar në procesin legjislativ.
Rishikimi ligjor propozon, në veçanti, të modifikojë nenin 132/1 që i jep AMA-s kompetencën për të detyruar ofruesit e shërbimeve të botimeve elektronike të publikojnë një kërkesë faljeje, të heqin përmbajtjen ose të futin një njoftim pop-up në rastet e shkeljeve të dispozitave në veçanti në neni i ri 33/1.
Në këtë artikull, referimi ndaj “respektit të privatësisë dhe dinjitetit të qytetarëve”, i cili është i gjerë, i jep AMA-s fuqi të madhe të re që mund të ndikojë në lirinë e shprehjes.
“AMA ose ndonjë organ administrativ apo rregullator nuk duhet të merret me çështjet e shpifjes, të cilat duhet të mbeten nën kompetencat e gjykatave”, tha Désir.
Shqyrtimi ligjor ngre shqetësime edhe rreth kompetencave të dhëna AKEP-it në propozimin e qeverisë për ndryshimin e Ligjit për komunikimet elektronike.
Këto kompetenca janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të sigurisë juridike, proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë dhe nuk përfshijnë rregulla specifike për mënyrën e sigurimit të mbrojtjes së lirisë së shprehjes.
“Zyra ime do të vazhdojë të jetë e angazhuar ngushtë në këtë proces, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës për të gjithë aktorët relevantë deri në përfundimin e saj “, përfundoi Désir.