Prezenca e OSBE në Shqipëri ka bërë një njoftim të rëndësishëm. OSBE ka bërë me dije se një organizatë e vetëquajtur OKSE po zhvillon anketa dhe studime, duke pretenduar se e bën këtë për Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
OSBE sqaron se ajo nuk ka asnjë lidhje me OKSE-n dhe me asnjë anketues tjetër në Shqipëri.
“OSBE-ja nuk është dhe nuk do të jetë e përfshirë në sondazhe zgjedhore, dhe ajo distancohet plotësisht nga kjo organizatë dhe veprimet e saj”, thuhet në deklaratë.
E plotë:
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri nuk po zhvillon asnjë anketë zgjedhore në Shqipëri
TIRANË, 22 shkurt 2021 – Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është vënë në dijeni se një organizatë e vetëquajtur OKSE po zhvillon anketa dhe studime, duke pretenduar se e bën këtë për Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dëshiron të sqarojë se ajo nuk ka asnjë lidhje me OKSE-n dhe me asnjë anketues tjetër në Shqipëri. OSBE-ja nuk është dhe nuk do të jetë e përfshirë në sondazhe zgjedhore, dhe ajo distancohet plotësisht nga kjo organizatë dhe veprimet e saj
Ne kemi vënë në dijeni autoritetet përkatëse lidhur me çështjen dhe rezervojmë të drejtën të ndjekim veprime ligjore kundër përdorimit të paautorizuar të emrit apo logos së OSBE-së. Me këtë rast, informojmë se emri i OSBE-së, emblema e saj dhe logo të tjera, që janë pronë ekskluzive e OSBE-së, mbrohen nga Neni 6 i “Konventës së Parisit për mbrojtjen e pronësisë industriale” dhe nuk mund të kopjohen, të riprodhohen, të shfaqen apo të përdoren pa lejen paraprake me shkrim të OSBE-së.