Shefja e Misionit të Vëzhguesve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet vendore të 14 Majit, Audrey Glover, mbajti sot në Tiranë konferencën e parë për shtyp, për të prezantuar objektivat dhe mënyrën se si do të vëzhgohen zgjedhjet.
Shefja e Misionit të Vëzhguesve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet vendore të 14 Majit, Audrey Glover tha se implementimi i ligjit është mjaft i rëndësishëm dhe shprehu besimin se procesi i zgjedhjeve do të respektojë të gjitha praktikat demokratike që OSBE kërkon të shohë nga Shqipëria, ku kandidatët duhet të luajnë në kushte të barabarta dhe votuesit të zgjedhin të lirë.
“Të gjitha vendet anëtare të OSBE janë shprehur për të zhvilluar zgjedhje në përputhje me këto standarde. Ne do të lëmë faktet që të flasin për të vërtetën. Ne do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë këtyre elementeve: punës së administratës zgjedhore dhe zbatimit të rekomandimeve të mëparshme, frymës së fushatës, pjesëmarrjes së grave në procesin zgjedhor dhe pjesëmarrjen e minoriteteve.
Me kujdes do të shikojmë mënyrën se si janë financuar fushatat zgjedhore dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në lidhje me zgjedhjet. Implementimi i ligjit është po aq i rëndësishëm sa ligji vet. Dhe për zbatim kërkohet vullnet. Ne jemi të interesuar të shohim nëse procesi është në përputhje me OSBE-në Të gjithë të kemi besim te procesi zgjedhor. Që procesi të ketë integritet zgjedhësit do të mund të bëjnë zgjedhje reale të mirëinfomuar mes kandidatëve të ndryshëm.
Kandidatët duhet të luajnë në kushte të barabarta dhe votuesit duhet të kenë të drejtën universale për të votuar. Zgjedhësit duhet të kenë mundësinë të votojnë të lirë, të fshehtë, të sigurt dhe vota të numërohet korrekt”, tha Glover para medieve.
Sipas saj, do të jenë 13 ekspertë ligjorë për zgjedhjet dhe 24 vëzhgues afatgjatë që do të shpërndahen në të gjithë vendin, ku do të monitorojnë dhe informohen për mbarëvajtjen e procesit të 14 majit dhe më pas atyre do u bashkohen delegacioni i PE dhe përfaqësues të tjerë.
Sa i takon vendimit të Kryeministrit Edi Rama lidhur me rritjen e pagave dhe për bonuset e pensionistëve ajo u shpreh se kjo çështje është një nga fushat më me rëndësi që duhet vëzhguar. “Ne do t’i kushtojmë vëmendje dhe ne do t’i kushtojmë kujdes vëzhgimit të kësaj fushe”, theksoi Glover.
E pyetur nëse do takohet me kreun e Komisionit të Rithemelimit në PD, Sali Berisha, Glover nuk e përjashtoi si mundësi.
“Ne kemi ndërmend të takohemi me cilindo që është i përfshirë në këtë proces zgjedhor,” tha ajo.