Në datën 25 shtator do të zhvillohet një tryezë gjithëpërfshirëse për reformën zgjedhore. Kjo tryezë organizohet nga prezenca e OSBE në Tiranë.
Në këtë tryezë janë ftuar edhe partitë e opozitës, që ndodhen jashtë Parlamentit.
“Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të mbështesë autoritetet shqiptare për të përfunduar reformën zgjedhore në kohë dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, ku të adresohen të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe të palëve të interesuara kombëtare e ndërkombëtare”, thuhet në ftesën e OSBE për tryezën.
Pak ditë më parë edhe ambasadori i BE në vendin tonë, Luigi Soreca i bëri një apel klasës politike, që dialogu mes opozitës dhe mazhorancës të ketë pikënisje reformën zgjedhore.
“Me lejoni të them që dialogu duhet të fillojë nga diçka specifike, e kjo gjë specifike mund të jetë reforma zgjedhore”, deklaroi ambasadori Soreca 5 ditë më parë.