Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Derek Chollet, më 11 janar nisi vizitën në Kosovë, duke takuar krerët shtetërorë.
Fillimisht, ai u takua me presidenten Vjosa Osmani, dhe më pas me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në takim, presidentja Osmani, sipas një njoftimi për media, tha se angazhimi i shtuar i SHBA-së në dialogun me Serbinë është “vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Kosovës”.
Ajo përsëriti qëndrimin se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.
“Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-në, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha Osmani.
Chollet dhe Osmani, sipas Presidencës kosovare, biseduan edhe për zhvillimet në rajon dhe botë dhe ajo tha se me mbështetjen e Rusisë, “Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon”.
Ndërkaq, detajet nga takimi Chollet-Kurti ende nuk janë bërë publike.
Kjo vizitë e zyrtarit të lartë amerikan vjen në kohën e përpjekjeve të reja ndërkombëtare për të përshpejtuar procesin e normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.
Këshilltari i DASH-it, në takimin me Osmanin dhe Kurtin, ishte i shoqëruar edhe nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Chollet më herët gjatë 11 janarit qëndroi edhe në Shkup, teksa pas Prishtinës do të niset drejt Beogradi.
Para nisjes së vizitës në Kosovë, DASH tha se ai do të bisedojë me krerët në Kosovë dhe të Serbisë për integrimin euroatlantik, përfshirë edhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes dy shteteve, të bazuar në njohje reciproke.
Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë se vizita e zyrtarit të lartë amerikan është e rëndësishme, sa i përket dinamizimit të procesit të dialogut.
“Është e qartë se kërkesa kryesore e Chollet do të jetë angazhimi më i madh, më energjik, më i mirëfilltë, më kualitativ i Qeverisë së Kosovës në dialog sepse edhe investimet madhore amerikane në Ballkan janë të drejtuar në arritjen e marrëveshjes finale dhe gjetjen e një zgjidhjeje për krijimin e një etape të re historike”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
Sa i përket Serbisë, Muhaxhiri thotë se ky shtet ka presione të mëdha, si nga SHBA-ja, po ashtu edhe nga BE-ja, mirëpo sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po tenton që fokusin ta vendosë te “mospajtimet dhe refuzimet e Kosovës ndaj kërkesave amerikane”.
“Por, është absolutisht e qartë që edhe Serbia do të duhet të bëjë kompromise shumë të mëdha nëse dëshiron që të mos stigmatizohet si bllokuese e procesit dhe nëse dëshiron që të ketë të ardhme normale evropiane”, thotë ai.
Fokusi te plani franko-gjerman
Vizita e Chollet në Kosovë dhe Serbi vjen disa javë pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës, që kulmoi me vendosjen e barrikadave nga grupe të serbëve lokalë në veri të shtetit, për shkak të arrestimit të një ish-polici serb.
Vetë Chollet deklaroi se u shpenzuan kohë në përpjekjet diplomatike në uljen e tensioneve, në vend se palët të përqendroheshin në dialog.
Në këtë drejtim, ai ka përmendur planin franko-gjerman, apo siç po quhet së fundi edhe si plani i BE-së, që synon çuarjen përpara të dialogut drejt një marrëveshjeje përfundimtare.
“Mendojmë se BE-ja ka parashtruar një drejtim të arritshëm, një drejtim të mirë. Sërish, do të jetë e vështirë. Do të dojë shumë punë. Do të dojë vendime të vështira dhe kurajë nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre”, ka deklaruar Chollet në një intervistë për Zërin e Amerikës të dhënë më 6 janar./VOA