Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se kërcënimet nga Rusia dhe Serbia paraqesin rrezik për rajonin ballkanik.
Osmani, në konferencën për medie me presidentin letonez, Egils Levits, kërkoi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Ndërkohë, theksoi se Kosova ka bërë maksimumin për të arritur marrëveshjen për targa me Serbinë, mirëpo pala serbe nuk ka pasur gatishmëri dhe po e bllokon progresin në dialog. Përkitazi me këtë, ajo paralajmëroi përpjekje të radhës për të pasur një ujdi për targat.
“Republika e Kosovës ka dhënë maksimumin si një palë konstruktive në dialog që të arrihet një marrëveshje, ashtu siç ka kërkuar dhe BE-ja në përputhjeje me kriteret, parimet dhe standardet e BE-së, por ne nuk mundemi të marrim përgjegjësi për atë që po e shkakton pala tjetër, këtë rast pala serbe. Ditët në vijim do të ketë akoma përpjekje, ajo çka mund t’ju siguroj është se Kosova do të jetë palë konstruktive dhe do të vazhdojë të jetë palë që respekton parimet dhe standardet më të larta evropiane. Ndërkaq se si do të sillet Serbia varet nga ta, por sjellja e tyre e deritanishme vetëm e ka bllokuar progresin në dialog. Deri tash kjo çështje është diskutuar në nivel të kryenegociatorëve. Sa përket udhëheqësve të dialogut, këtë rast kryeministrit tonë, si në çdo takim deri tani, kryeministri i vendit ka potencuar dhe do të vazhdojë të potencojë se ky proces është i përqendruar në njohje reciproke”, tha ajo.
“Së bashku do të sfidojmë kërcënimet që vijnë nga Rusia dhe aleati i saj Serbia, e të cilat paraqesin rrezik real për rajonet tona dhe përtej. Dy vendet tona ndajnë të kaluar të dhimbshme, por nëse qëndrojnë të bashkuar jam e bindur në suksesin tonë, në luftën kundër tiranisë dhe autokracisë”, shtoi Osmani.
“Kam kërkuar mbështetjen e presidentit Levits në rrugëtimin tonë drejt integrimit euroatlantik dhe kam theksuar se këto aleanca duhet t’i kenë gjithmonë dyert e hapura për shtetet si Kosova duke treguar përkushtimin dhe plotësimin e kritereve për të qenë pjesë e saj”, deklaroi ajo.
Presidentja Osmani komentoi edhe raportimet e fundit për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj me dyshimet së është i përfshirë në një skandal financiar.
“Sa i përket atyre që publikohen dua të potencoj atë siç e ka thënë edhe presidenti Biden, rreziku më i madh në raport me demokracitë tonë këto ditë, nuk janë vetëm tanket, por edhe dezinformatat. Kështu që si presidente pres që për çdo çështje që publikohen të konfirmohen dhe ato nuk konfirmohen, ne procedojmë ashtu siç i kemi marrë vendimet tona. Ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës kur mohon akuzat e tilla dhe natyrisht ai do të drejtojë gjitha këto çështje në organet e drejtësisë”, përfundoi Osmani./KosovaPress/