Realpolitik “ flash” Nr. 36
01 – 16 KORRIK 2021
EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, pikat mbi “ i” për 4 ngjarjet kryesore vetëm me 1000 fjalë nga diplomati dhe analisti i njohur Dr. Jorgji KOTE
***
1.Pa këllqe! Mund të thuhet për presidencën sllovene të BE-së ( 1 Korrik – 31 Dhjetor.) Nga pikpamja gjeografike, e popullsisë, gjeopolitike, “ këllqet” diplomatike, etj. Ca më tepër që vjen pas presidencës portugeze dhe gjermane, që megjithë superioritetin e tyre dështuan në disa drejtime kardinale. Programi slloven jep shpresa dhe premtime për një katalog problemesh të njohura, duke filluar nga mposhtja e pandemisë e deri te zgjerimi drejt Ballkanit Perendimor. Madje, për këtë të fundit, pas 11 samiteve verore, ajo ka planifikuar një tjetër më 6 Tetor. Vetëm se lidhur me heqjen e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, ajo ka dy pengesa jo të vogla: së pari, problematika e nxehtë rajonale që nuk i le shumë kohë dhe hapësirë veprimi dhe së dyti, vetë Sllovenia është disi e kompromentuar. Kjo mbasi ashtu si Bullgaria para një viti, dhe ajo mbajti të bllokuar pë 5 vite rresht antarësimin e Kroacisë deri më 2013; kur hoqi dorë nga vetoja, por jo nga “ gër vëret” me fqinjin e saj. Madje, ai ngërç slloveno-kroat u bë sebep që BE-ja të vendoste si kusht zgjidhjen e çdo mosmarrëveshje dypalëshe ndërmet vendeve kandidate përpara antarësimit në BE; tanimë ky kusht siç dihet është dhe për çeljen e negociatave. Kësisoj, në rast të këmbënguljes së presidencës sllovene ndaj Bullgarisë, kjo e fundit nuk do të ketë për gjë t’ia rikujtojë atë veto Sllovenisë. Nuk po hyjmë pastaj te shqetësimet që ka krijuar qysh në ditën e parë të presidencës Kryeministri slloven, ose “Marshalli Tito” siç e thërasin me qëndrimet negative ndaj medias, gjyqësorit, etj. Por, le të presim dhe të shohim!
2.Samit – simitja e Ohrit! Në rubrikën e kaluar përmendnim me fakte se samitet Në dhe Për Ballkanin Perendimor janë bërë si simitet. Vetëm në 30 ditët e fundit plot 11 të tilla, fizike dhe virtuale kudo. Meqenëse në më të shumtin e herës janë kthyer në show dhe spektakle mediatike, mund të thuhet se ato kanë zëvendësuar teatrot dhe kinot verore. I tillë ishte dhe Samiti i Forumit të Prespës në Ohër më 2 – 3 Korrik. Ndonëse tematika ishte se ç’duhet të bëjë Ballkani Perendimor për BE-në, ndodhi e kundërta; kjo e fundit u thumbua dhe anatemua, sidomos nga Kryeministri Rama; duke e shpallur ata gati gati fajtore për të gjitha “zullumet” e rajonit dhe duke ia venë “ kufirin te thana” se demek nuk na tregon dot BE-ja se çduhet të bëjë rajoni!!
Në fakt, ajo ta thotë që çke me atë punë, nëse do të hysh atje! Kështu që dhe samit “ simitja” e Ohrit la një shije bajate! Sa për të tjerat, “ fjalë të mira dhe gurë në trastë”!
3.Ballkani në Berlin shkoi virtualisht nëpërmjet Samitit të Berlinit më 5 Korrik, në kuadrin e Procesit me të njëjtin emër që mbylli ciklin e parë të filluar më 2014; nismë madhore diplomatike e Kancelares Merkel, me mbështetjen e Francës, Italisë, Austrisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe bashkëpunimin e Polonisë, Kroacisë, Bullgarisë dhe Slovenisë. Le ta themi qysh në fillim se “po, ai ia ka vlejtur”. Me mbi 50 programe dhe projekte që dëshmojnë se ishte reagim i duhur politiko/diplomatic; mbi të gjitha, ai ka ndihmuar për të mbajtur ndezur shpresat e Ballkanit Perendimor te perspektiva e antarësimit në BE.
Risia kryesore e kësaj nisme qëndron në përparësinë ndaj ekonomisë dhe posaçërisht modernizimit të infrastrukturës në secilin vend dhe në rajon si kushte të domosdoshme për kapërcimin e hendeqeve të mëdha me BE-në.
Në Mars 2016 u krijua Fondi Ballkanik i Investimeve në Tiranë; ndonëse nuk është bërë ende funksional, megjithë përpjekjet e palës sonë.
Ky Proces ka tentuar të shtrihet sa më gjerë në grupet e interesit, shoqërinë civile, komunitetin akademik, rininë, arsimin, etj.
Nën shembullin franko-gjerman, gjatë Samitit të Parisit më 2016 u vendos ngritja e Zyrës Rajonale Rinore ( RYCO) Megjithatë, ajo nuk ka ende ndikim të ndjeshëm në krijimin e frymës së duhur rinore në rajon.
Gjithashtu, Procesi i Berlinit përcaktoi si objektiv themelor forcimin/konkretizimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit rajonal në të gjitha fushat. Por, siç u konstatua dhe në Samitin e 5 Korrikut, në rajon janë ringjallur dhuna dhe konflikte të të gjitha llojeve brenda dhe ndërmjet vendeve të tij. Ca më keq akoma kur as liderët dhe as nismat e reja nuk i kanë shpëtuar mentalitetit të vjetër nacionalist.
Për pasojë, gjendja në rajon nuk ka përmirësime të dukshme krahasuar me 7 vite më parë. Maqedonia dhe Shqipëria kanë 15 dhe 7 vite që presin çeljen e negociatave; për ironi të fatit, në Samitin e Sofjes Nëntorin e kaluar, në kuadrin e këtij Procesi të bashkëkryesuar nga Bullgaria/Maqedonia e Veriut, megjithë thirjen e Kancelares Merkel “ Pajtohuni” Sofja vuri veton ndaj Shkupit për negociatat, duke krijuar një krizë të re me pasoja dhe për vetë BE-në! Edhe dialogu Prishtinë – Beograd ka ngecur prej kohësh në vend, për shkak të qëndrimeve refraktare serbe!
Dukuri tjetër negative është se vendet e rajonit presin “magjinë” nga BE/SHBA-të, por harrojnë të keqen e kanë nga brenda, që dhe pse mund t’i kenë kryer “ detyrat e shtëpisë” “ notën” ia japin “arbitrat” e BE/SHBA-ve, sepse ne jemi vetëm lojtarë.
4.” Hallvë e ftohtë” ishin zgjedhjet e parakohshme parlamentare bullgare, të dytat brenda 4 muajve; fitoi partia e yllit televiziv Slavi Triforov me 24 për qind, e ndjekur nga qendra e djathtë e ish – Kryeministrit Borisov me 23,5 për qind; pas 10 vitesh në pushtet ajo detyrohet “ të zbresë nga kali”. Këto zgjedhje ishin të rëndësishme si vend fqinj dhe antar i BE-së por dhe se nga rezultati i tyre varet në një masë të madhe fati i vetos bullgare për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut/Shqipërinë. Këto zgjedhje ishin pa zgjidhje dhe me më shumë pyetje se sa përgjigje.
Triforovi ka përjashtuar mundësinë e qeverisjes me koalicion dhe me 2 – 3 parti të tjera anti-establishment. Ai parapëlqen qeveri pakice, që ta çojë sërish Bullgarinë në zgjedhje të përkohshme, për të siguruar shumicën. Mirëpo, për shkak të zhgënjimit që mund të krijojne zgjedhjet e reja, atje mund të dalë fitues Borisovi, si “ burrë politik më i zoti”. Në këtë gjendje kaotike, ka fare pak shans për heqjen e vetos bullare; sidomos në rastin e zgjedhjeve të reja, heqja e saj nuk jep, por vetëm heq vota. Ndaj, mbetet të presim vonë në vjeshtë.
© Argumentum