Komisioni për politikë dhe demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u bëri thirrje të mërkurën të gjitha palëve të përfshira në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, të mbeten të përkushtuara për krijimin e kushteve për zgjedhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse, pavarësisht polarizimit në rritje dhe të sigurojnë që këto zgjedhje të kontribuojnë në forcimin e standardeve dhe praktikave demokratike në Kosovë.
Deklarata pasoi vizitën e një delegacioni të këtij komisioni javën e kaluar në Prishtinë, për të vëzhguar procesin e përgatitjeve për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.
“Delegacioni theksoi se fushata elektorale që sapo ka nisur është zhvilluar në një mënyrë të qetë dhe paqësore. Delegacioni pret që procesi zgjedhor të jetë në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës, gjë që do të ishte shenjë e pjekurisë së institucioneve”, thuhet në deklaratë.
Delegacioni i PACE në deklaratë ngriti shqetësimet e palëve të përfshira në zgjedhje për rritjen e retorikës populiste dhe nacionaliste si dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës përçarëse.
“Ata paralajmëruan se trende të tilla mund të dëmtojnë demokracinë dhe kohezionin ndëretnik dhe gjithashtu mund të ndikojnë negativisht në pjesëmarrjen e grave në zgjedhje dhe politikë, pavarësisht nga kuota gjinore në listat e partive”, thuhet në deklaratë, në të cilën nënvizohet se anëtarët e delegacionit e mirëpritën vendimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në këto zgjedhje.
“Diskutimet u përqendruan edhe në situatën në veri të Kosovës dhe zhvillimet e fundit. Delegacioni u njoftua për raportet në lidhje me trysninë dhe frikësimin e votuesve serbë të Kosovës si dhe fushatat dezinformuese nga mediat e mbështetura nga Beogradi. Në dritën e këtyre shqetësimeve, delegacioni u kërkon të gjitha palëve të shmangin veprimet që mund të përkeqësojnë tensionet”, thuhet në deklaratë.
Komisioni për politikë dhe demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ngriti shqetësimet në lidhje me mungesën e rregulloreve për mediat online, transparencën e pronësisë së medias, procedurën e emërimit të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Medias si dhe ndikimin e mundshëm të dezinformatave dhe përdorimit të inteligjencës artificiale gjatë fushatës.
“Ngurrimi i disa partive politike për t’u përfshirë në debate kontradiktore në televizion dhe bojkoti i shpallur i tre stacioneve televizive të njohura nga partia në pushtet, u konsideruan të dëmshme për informimin publik, veçanërisht për të moshuarit”, thuhet në deklaratë.
Njëzetetetë forca politike, prej të cilave 20 parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare dhe një kandidat i pavarur, do të marrin pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit ku të drejtë vote kanë dy milionë votues, prej të cilëve rreth 105 mijë qytetarë jashtë Kosovës.
Forcat politike tashmë kanë hyrë në javën e dytë të fushatës e cila sipas vëzhguesve lokal po përshkohet me gjuhë nxitëse./voa