Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, sqaroi se pagën e luftës, që qeveria do të japë për gjithë të punësuarit, që janë pezulluar, për shkak të përhapjes së koronavirusit.
Ibrahimaj tha se kjo pagë do të jepet për muajt mars-prill-maj, duke filluar nga 1 prilli. Ndërkohë, ajo sqaroi se të gjithë të punësuarve, që janë pezulluar nga muaji mars, kur u konfirmua rasti i parë me COVID-19 në Shqipëri, do iu jepet paga minimale, pra 26 mijë lekë.
“Ndihma ekonomike nis që nga data 1 prill. Në bazë të të dhënave të administratës tatimore janë mbi 60 mijë të punësuar apo të vetëpunësuar me pagë zero do të përfitojnë nga kjo ndihmë. Ndihma është menduar për një afat maksimalisht 3-mujor”, bëri të ditur Ibrahimaj.
Aplikimi, sipas Ibrahimaj, do të bëhet vetëm online.
Ibrahimaj shpjegon edhe mënyrën se si do të aplikohet për të përfituar pagën.
“Aplikon subjekti në emër të qytetarëve që kanë humbur punën për shkak se është mbyllur aktiviteti në bazë të vendimit të qeverisë. Për bizneset e vogla që deklarojnë një herë në tre muaj, ne do të marrim në konsideratë deklaratën e muajit dhjetor dhe lista do të pakësohet apo shtohet me deklarimet e bëra nga subjekti deri në datën e urdhrit për mbylljen e aktivitetit”, sqaroi ajo.
Ibrahimaj nënvizoi se në format është përcaktuar lista e individëve që përfitojnë dhe është shumë e rëndësishme që të përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare, ku do të bëhet kalimi i pagesës nga thesari.
Pas aplikimit drejtoria e Tatimeve ka një afat 10-ditor për të verifikuar të dhënat për të qenë përfitues.
Në total fondi i vënë në dispozicion nga buxheti për këtë paketë është 5.8 miliardë lekë, përfshirë këtu edhe pagesën për ndihmën ekonomike dhe të papunët.