Asetet që do sekuestrohen në kuadër të ligjit anti KÇK, do të përdoren për modernizimin e Policisë së Shtetit, tha sot ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj teksa ka kërkuar nga politika të mos sulmojë policinë
Nga repartin “RENEA” ku është trajnuar Njësia ‘Operacioni Forca e ligjit’, Lleshaj i dha një mesazh si klasës politike në vend, por dhe personave të përfshirë në botën e krimit.
“Korrigjoni sulmin e shenjestrave politike. Nuk mund të jetë policia objekt i sulmeve politike. Dhe një thirrje për ata që kanë humbur rrugën e ligjit; asnjëherë nuk është vonë për pendim. Tërhiquni nga rruga e krimit për të shpëtuar të ardhmen tuaj dhe të të afërmëve tuaj dhe fëmijëve tuaj. Kthjellohuni se keni përgjegjësi për vete dhe për ata që s’ju kanë borxh turpin. Është thjesht çështje kohë; udhëtimi kriminal do të ndërpritet keq. Nëse jo sot, nesër”, tha Lleshaj.
Sandër Lleshaj, Ministër i Brendshëm, gjatë fjalës së tij theksoi se asetet e sekuestruara do të përdoren për modernizmin e Policisë së Shtetit.
“Paketa e njohur si anti KÇK shënon përshkallëzimin e panjohur të luftës. Shenjestra do të jetë pasuria e krijuar nga krimi i organizuar. Operacioni do të zhvillohet në bashkëpunim me SPAK dhe agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët në një kuadër shumë të përcaktuar ligjor. Burimi ekonomik dhe financiar që mban gjallë krimin, këtij modeli të shëmtuar dhe të rrezikshëm që gjeneron krime të rënda, josh shumë të rinj në rrugë të gabuar. Operacioni do të zhvillohet në bashkëpunim me Prokurorinë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe partnerët në një kuadër të përcaktuar ligjor. Objekt do të jenë pasuritë e deklaruara apo të fshehura”,- theksoi Lleshaj.
Sipas ministrit të Brendshëm, paketa nuk i jep autoritet të ri policisë, por detyra të reja dhe instrumentet për arritjen e qëllimit madhor kundër krimit. “Policia ka mbajtur me përkushtim shumë barrë të rëndë, janë përballuar dhe goditur, edhe kanë pësuar dhe sot përfaqësojnë një ndër institucionet më të besueshme. Suksesi i këtij operacioni do të jetë i garantuar”,- tha ai.