Ndryshimet në ligjin për mediat që pritet të miratohen sot në Kuvend ka pasur mungesë të reflektimit konstruktiv. Ky është vlerësimi që bën Avokati i Popullit, i cili thotë se kjo paketë ligjoreka hasur jo pak kundërshti nisur jo vetëm nga përmbajtja e dispozitave dhe detyrimet që ato sanksionojnë, por edhe nga informacioni i munguar në lidhje me draftin përfundimtar i cili po paraqitet në Kuvend.
Ligji, thotë Avokati i Popullit mbetet ende jo në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Me gjithë përmirësimet që janë pasqyruar në projekt-ligj nga varianti i parë i paraqitur për miratim si propozim i Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në përgjithësi vlerësojmë se ka pasur mungesë të reflektimit konstruktiv. Projekt-ligji synon rregullimin e veprimtarisë së portaleve online përmes një kornize ligjore, arritjen e një ekuilibri ndërmjet qasjes në shërbimet e përmbajtjes online, mbrojtjen e konsumatorit dhe konkurrencës, garantimin e të drejtave të njeriut, respektimin e të drejtave të autorit, arritjen e një gazetarie profesionale, të lirë dhe të pavarur, si edhe respektimin dhe garantimin e së drejtës së jetës private, moslejimin e transmetimeve që nxisin intolerancë, gjuhë urrejtje dhe dhunë në shoqëri”, shprehet Avokati i Popullit.
Avokati i Popullit vlerëson se duhet të ekzistojë një balancë e mirë strukturuar në raportin mes të drejtave dhe lirive themelore të individëve nga njëra anë, dhe lirisë së medias nga ana tjetër. Ky institucion theksin se AMA nuk ofron garanci
“Procedura administrative e shqyrtimit të ankesave, e cila parashikohet në këtë propozim, nuk ofron garanci për një vendimmarrje objektive e të paanshme, në përputhje me detyrimin për respektimin e lirisë së medias për t’u shprehur. Veshja e një organi administrativ si AMA me kompetenca kuazi-gjyqësore nuk ofron garanci kushtetuese të mjaftueshme për paanshmërinë e këtij institucioni, duke mbajtur në konsideratë edhe faktin se Bordi i AMA zgjidhet nga Kuvendi, dhe është pikërisht ky organ i cili do të përzgjedhë edhe përbërjen e Këshillit të Ankesave, strukturë kjo e cila do të ketë në dorë vendimmarrjen në përfundim të shqyrtimit të ankimeve ndaj operatorëve të shërbimeve elektronike. Ndonëse në variantin përfundimtar të projekt-ligjit është parashikuar që përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit bazohet në rregullat e konkurrueshmërisë, si edhe që ky Këshill do të ketë në përbërje juristë, vlerësojmë se nevojitet garanci që kapacitetet dhe përgatitja profesionale teknike e këtij këshilli të jenë në nivelin e duhur për të ushtruar funksionet e ngjashme me ato të një gjykate”, thotë Avokati i Popullit.
Për këtë arsye, institucioni i Avokatit të Popullit rekomandon që të gjendet një mekanizëm/organ tjetër i cili të kryejë këto funksione. Veçanërisht duhet të mbahet në konsideratë që ky organ duhet të jetë jashtë organit të AMA.
“Nga kjo nismë mbeten të paqarta një sërë çështjesh të lidhura me karakterin subjektiv të ankesës, të tilla si: (1) burimi për të kuptuar se lajmi është i rremë; (2) përcaktimi dhe matja e masivitetit të problematikës; (3) vërtetimi i lajmit të pavërtetë, niveli dhe kufijtë e tij; (4) provueshmëria e fajësisë për deklarimin e pavërtetë; (5) vërtetimi se janë kryer kërkime të mjaftueshme për të provuar vërtetësinë e lajmit apo informacionit para publikimit të tij; (6) rrethanat në të cilat do të mund të kryejë Këshilli i Ankesave një hetim të mirëfilltë për të konkluduar se rasti në fjalë përbën lajm të pavërtetë dhe deri në ç’masë ai është i rremë, se cila është masa e fajit, e pasojave dhe dëmit të shkaktuar”, sqaron Avokati.
/Ora News.tv/