REAL POLITIK NR. 101
22 DHJETOR 2024 – 19 JANAR 2025
Komente “ flash” mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i njohur,
DR. JORGJI KOTE
1.Pako me dhurata për ekstremizmin!
Dhe për këto dhurata politike u gjet momenti më i favorshëm, Krishlindjet dhe Viti i Ri 2025. Pikërisht më 28 Dhjetor 2024 bëri bujë në të përditshmen prestigjioze gjermane ”Die Welt am Sonntag” opinioni i shprehur nga supermiliarderi Elon Musk, Këshilltar i Jashtëm i Presidentit Trump se « Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) është e vetmja shpresë dhe alternativë për Gjermaninë » Ndërkohë, më parë e kishte fyer Kancelarin Scholz, ndërsa Presidentin Steienmeier quajti « tiran anti-demokratik». Musk vijoi me ”peshqeshe” për AfD-në me një takim virtual më 8 Janar në platformën X me lideren e saj, Alice Weidel. Vështirë që ajo të kishte menduar dhuratë më të vyer, 6 javë përpara zgjedhjeve të parakohshme të 23 Shkurtit!
Më tej, Musk e shoqëroi gjeopolitikën e ” dhuratave dhe paradhënieve” ekstremiste me tirada sulmesh të paprincipta ndaj laburistëve britanikë. Kështu, ai kërkoi dorëheqjen e Kryeministrit britanik Starmer lidhur me rolin e tij si ish prokuror në ndjekjen e disa krimeve me natyrë seksuale vite më parë. Madje, i bëri thirje Mbretit Charles për shkarkimin e tij, non-sens i vërtetë politik dhe diplomatik. Ndërkohë, i ka kërkuar Partisë ekstremiste ”Reform UK” të sfidojë laburistët në zgjedhjet e ardhëshme e ardhëshme parlamentare, duke i premtuar dhe një ndihmë 100 Milion Dollarë.
Nisur nga roli i jashtëzakonshëm, pasuritë marramendëse dhe pozicioni i tij në Administratën Trump këto ndërhyrje janë vërtet dhurata dhe paradhënie të mëdha politike për forcat e ekstremit të djathtë në Europë, duke krijuar ndërkohë indinjatë në kancelaritë europiane me reagime të njohura dhe me thirje për Komisionin e BE-së, për të shqyrtuar pajtueshmërinë e akteve dhe qëndrimeve të Elon Musk me ligjet e shërbimit dixhital europian.
Në fakt, kur sheh pasojat e tyre të mundshme negative dhe në proceset zgjedhore në Gjermani, Britani dhe gjetkë, del se ato janë shumë më tepër se ”pako dhe dhurata” për Krishtlindje apo Vitin e Ri. Janë akte dhe veprime që ” shpien ujë në mullirin” e ekstremizmit, sidomos atij të djathtë. Ato janë bonuse të mëdha materiale, morale dhe politike që i shërbejnë përshkallëzimit të mëtejshëm të ekstremizmit të djathtë në Europë, në Amerikë dhe kudo në dëm të vlerave themelore perendimore dhe demokracisë liberale.
Faktet flasin më shumë se fjalët. Vitet e fundit partitë e ekstremit të djathtë kanë ardhur në pushtet dhe në disa vende anëtare të BE-së – Austri, Finlandë, Suedi, Slovaki, madje dhe në vende bashkëthemeluese të saj si në Itali dhe Holandë.
Të nxitur nga këto arritje, tani objektivi i tyre është akoma më i madh, të ” pushtojnë” boshtin e BE-së, Francën dhe Gjermaninë. Nëse në Berlin kanë ende disa pengesa dhe kryesisht CDU-në legjendare, në Francë duket se ardhja e Le Penit në pushtet është vetëm çështje kohe, ndoshta muajsh.
Gjithsesi, vlen të theksohet që përpara ”dhuratave” të Musk, ekstremizmin e djathtë Europa e ka ”peshqesh” kryesisht nga gafat, gabimet dhe naiviteti i klasave politike tradicionale të djathta dhe të majta të qendrës, sidomos në Francë, Gjermani, Holandë, Suedi, Finlandë, Itali, etj. Nuk po zgjatemi më këtu, mbasi kemi shkruar hollësisht më parë.
2.Paradhënie për Kryeministren Giorgia Meloni ishte takimi me të i Presidentit të zgjedhur Donald Trump më 5 janar 2025 në rezidencën e tij private në Mar-a-Lago. Mbas Sekretarit të Përgjthshëm të NATO-s, Mark Rutte, ky ishte takimi i dytë zyrtar në rezidencën e tij. Ndërkohë, më 7 Dhjetor 2024 Trump ishte në Paris në ceremoninë e rihapjes së Katedrales së famshme të ”Notre Dame” ku takoi Presidentin francez Macron, të Ukrainës, Zelenski dhe Princin Trashëgimtar britanik, William.
Pritja e ngrohtë për Melonin i kaloi kufijtë e mirësjelljes diplomatike. Trump u shpreh me nota tejet pozitive dhe vlerësuese për homologen italiane. Veç të tjerash, ai tha se ”Meloni pushtoi Italinë dhe Europën, si grua e fuqishme dhe energjike”. Nisur nga konsideratat e mësipërme dhe nga ky takim i privilegjuar, shumë analistë dhe burime pohojnë se Meloni mund të shërbejë si urë lidhëse midis Trump, BE-së e NATO-s. Një atu shumë e fortë kjo për imazhin e Melonit, ca më tepër duke patur parasysh dobësimin e Makronit dhe Scholzit, problemet e mëdha që ka motorri i funksionimit të BE-së dhe përshkallëzimi i të djathtës ekstreme; kjo e fundit, mbas Italisë, Holandës, Suedisë, Finlandës, po kërkon të marrë Berlinin me Parisin. Dhe atëhere mund të themi ” Good buy Europe”.
3. Koka, pastaj këmbët! Vazhdon të flitet e diskutohet shumë lidhur me emërimin e ndërmjetësuesit të BE-së për dialogun Prishtinë – Beograd. Me hamendësi të ndryshme duke treguar pluset dhe minuset e danezit Sorensen dhe finlandezit Haavisto. Praktikisht është diskutim naiv dhe ” pa bukë” mbasi së pari duhet të presim fillimin nga puna të Presidentit Trump dhe të drejtuesve të rinj në Departamentin e Shtetit për rajonin tonë. Por as ajo nuk mjafton. Siç e kemi shpjeguar dhe më parë, çështja e dialogut Prishtinë – Beograd nuk është punë ndërmjetësuesash; ata janë teknicienë që zbatojnë një strategji të caktuar politike dhe diplomatike të BE-së dhe të SHBA-ve.
Mirëpo, përderisa do të duhen muaj që të përcaktohet kjo strategji është e parakohshme të flitet për skenarë dhe alternativa të ndryshme. Ca më tepër kur tani bëhet fjalë për ndryshime të pritshme të mëdha gjeopolitike, ku dialogu i lartpërmendur është vetëm një nga temat e nxehta në katalogun e mbingarkuar gjeopolitik perendimor. Ndaj pyetja madhore që shtrohet është nëse do vijohet me diplomacinë ”qetësuese dhe përkëdhelëse” ndaj Beogradit ndërsa Kosova të trajtohet ” si e njerkës” apo do të ketë ndryshim thelbësor qëndrimesh? Mirëpo për këtë çështje kardinale rrezik askush, as vetë Trump nuk di ose nuk mund të thotë gjë për momentin.
4. Hap i madh drejt paqes ishte Marrëveshja e Armëpushimit e 19 Janarit midis Izraelit dhe Hamasit. Marrëveshje me rrjedhoja shumë pozitive për vendet përkatëse, Lindjen e Mesme, paqen dhe sigurinë kudo në botë. Sidomos mbas humbjeve të mëdha njerëzore, financiare dhe materiale të shkaktuara sidomos mbas sulmit terrorist të Hamasit ndaj Izraelit më 7 Tetor 2023. Veçse përvoja tregon se këto marrëveshje mund të mbeten në letër dhe me efekte të përkohshme. Ndaj kërkohen përpjekje për zbatimin e tyre në vazhdimësi, deri në realizimin e objektivave përkatëse madhore. POR, tanimë, duke përfshirë popullin dhe autoritetet palestineze. Le ta kuptojë kushdo njëherë e mirë, PA PALESTINEN, sido të vijë puna, nuk ka paqe dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë.
© 2025 Argumentum