Dy përfaqësuesit më të lartë amerikanë për çështje të Ballkanit Perëndimor dhe dialogut Kosovë-Serbi, do të qëndrojnë në Kosovës gjatë ditës së mërkurë.
Përveç vizitës së të dërguarit të posaçëm të presidentit të Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, bëhet e ditur se në Kosovë do të qëndrojë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor,
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovës, Philip Kosnett, lidhur me vizitën e dy përfaqësuesve të lartë amerikanë, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Twitter, se mbështetja e SHBA-së, për Kosovën dhe Serbinë në procesin e dialogut kërkon punë ekipore.
“Mbështetja e SHBA-së për Kosovën dhe Serbinë në procesin e dialogut kërkon punë ekipore: I dërguari i posaçëm presidencial Grenell dhe përfaqësuesi special i Departamentit të Shtetit Matt Palmer së bashku në Berlin. Të dy do të vizitojnë Kosovën”, ka shkruar Kosnett përderisa ka shpërndarë një fotografi të postuar në profilin e Ambasadës së SHBA-së në Gjermani, dhe ku të dy zyrtarët e lartë amerikanë shihen teksa bisedojmë me zyrtarët gjermanë për situatën në rajonin e Ballkanit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka emëruar Grenellin – ambasador i SHBA-së në Gjermani – të dërguar të posaçëm të administratës për dialogun Kosovë-Serbi, më 4 tetor.
Ky vendim është vlerësuar si befasues, pasi Departamenti amerikan i Shtetit, në fund të gushtit, ka emëruar diplomatin Mattheë Palmer të dërguar të posaçëm për Ballkanin, i cili është thënë se, mes tjerash, do të merret edhe me dialogun.
Vizita e tyre ndodhë në një periudhë kur në Kosovë po numërohen votat e fundit të hedhura në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, në të cilat kryeson lëvizja Vetëvendosje, e cila ishte kritike e rreptë e mënyrës se si janë zhvilluar bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Këto bisedime janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.
Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.
Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kandidat për postin e kryeministrit, ka paralajmëruar se mund t’i heqë tarifat ndaj mallrave serbe, por do t’i zëvendësojë ato me “masat e reciprocitetit të plotë me Serbinë”.
Diplomatët shpresojnë që ripërtëritja e bisedimeve të ndodhë para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.
Emërimi i të dërguarve amerikanë ka bërë që të hidhen ide që edhe Bashkimi Evropian të emërojë një të dërguar të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi, të cilat sipas praktikës së deritashme do të duhej të ndërmjetësohen nga Josep Borrell, ish ministër i jashtëm i Spanjës, një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.